(2LONLINE) – Ish-pushteti gjilanas, një pushtet më primitivi, të cilit nuk mund t’ia gjesh kund shoqin në historinë njerëzore, fuqizoi pushtetin e injorancës, të sundimit më primitiv, më brutal dhe më johuman. Si i tillë, në vend të udhëheqësve humanë e të përparuar, ai krijoi sundimtarët arbitrarë më primitivë, të cilët, në vend të krijimit të një realiteti shoqëror më human, krijuan realitetin e së keqes, në të cilin qytetarët u ndjenë të keqtrajtuar, kurse njeriu dhe çdo vlerë njerëzore të poshtëruara.
Një pushtet i tillë, i cili duhet t’i shërbejë si shembull çdo pushteti sesi nuk duhet të jetë, qe tërësisht pushtet në shërbim të vetvetes dhe kundër një shoqërie e qeverisjeje të përparuar; qe tërësisht një pushtet në shërbim të interesave të ngushta e tejet egoiste të klanit të pushtetarëve dhe kundër nevojave dhe interesave më njerëzore të qytetarëve.
Pushtetarët e pacipë të kohës së ish-pushtetit gjilanas, prandaj, bënë veprimet të cilat i bëjnë vetëm njerëzit më të prishur, të cilët nuk dinë ç’është morali, dija, kultura, as humanizmi.
Sjelljet dhe veprimet e vrazhda të ish-pushtetit gjilanas dhe realiteti tejet primitiv e tejet çnjerëzor që krijuan ata, të cilat duhet t’i shërbejnë si një lloj katarsisi shoqërisë dhe, veçmas, çdo pushteti të ardhshëm, do të na zbulohen qoftë edhe vetëm nëse kujtojmë se kush udhëhoqi drejtoratet komunale, ç’lojëra banale u luajtën në fushën e arsimit, të kulturës, financave…
Sepse ku ka ndodhur në botë që kundër dëshirës së nxënësve për t’u regjistruar te një mësues-e i,e caktuar, të ndërhyhet me polici?! A nuk është injorancë dhe egërsi e paparë kjo kur me forcë të ndërhyhet kundër fëmijëve dhe prindërve, në vend se, në rast nevoje, me ligj të veprohet kundër mësuesve, -eve, të pandërgjegjshëm, -me?!
Sepse ku ka ndodhur në botë që arsimtarët, edhe pas diplomimit, në fakultete e katedra përkatëse, të rivlerësohen për punësim nga fakulteti i edukimit ose edhe nga komisione injorantësh që nuk dinë as për vete?!
Sepse ku ka ndodhur në botë që arsimtari më me përvojë të largohet nga vendi i punës, që t’ia lëshojë vendin arsimtarit me më pak përvojë, vetëm pse ai ka pasur mbështetjen e pushtetit, siç ishte p. sh. ish-pushtetit primitiv gjilanas?!
Sepse ku ka kuvend komunal, i cili vendos “rregulla” të cilat mbështeten në forcën e kërkesën e ushtrimit të saj, dhe jo në diturinë e shkencave të ndryshme dhe nevojën e zbatimit të tyre në shoqëri, siç synohet në çdo shoqëri të përparuar?!
Sepse ku ka ndodhur në botë, përveçse në sistemet totalitare dhe tek popujt e robëruar, që, dhunshëm, të largohet njeriu nga pozita e tij dhe ajo pozitë t’i jepet anëtarit të partisë tjetër, siç u veprua në rastin e largimit të drejtorit të Drejtoratit për Kulturë, Rini e Sport, Selver Xhelilit, dhe imponimit, përkundë marrëveshjeve partiake, të personit tjetër, Veton Nevzatit?!
Sepse ku ka ndodhur në botë, përveçse këtu, në kohën e ish-pushtetit gjilanas, që arsimtarët të konsiderohen qytetarët më të pandërgjegjshëm, në raport me shtetin, dhe të shtrëngohen të dëshmojnë kryerjen e obligimeve qytetare, për të realizuar të ardhurat e tyre, siç u veprua këtu, nga ish-pushteti gjilanas?! E të tjera. E të tjera.
Ish-pushteti gjilanas, i cili në qendër të interesimit ka pasur interesin e klanit të pushtetarëve dhe të të afërmve të tyre e jo të qytetarëve, kurrë nuk ka dëgjuar ankesën, këshillën, as kritikën e qytetarëve. Kurrë nuk është skuqur, nuk është ndalur dhe ka vazhduar me të tijen, madje, duke u lavdëruar se ka bërë e bën mirë, se ka qeverisur e qeveris mirë! Pas rënies, nga votat e qytetarëve, përfaqësues të ish-pushtetit gjilanas, duke harruar marrëzitë e kohës së pushtetit të tyre, duan ta mësojnë pushtetin e tanishëm, sikur dikush ka nevojë për përvojën e praktikën e tyre!
Ish-pushteti gjilanas, gjatë kohës së sundimit të vet, ka parashikuar edhe rënien e dështimin, nga vota e qytetarëve, prandaj, si një pushtet primitiv e johuman dhe në kundërshtim me interesat njerëzore e qytetare, ka vendosur e përcaktuar vendime, aspak ligjore dhe aq më pak njerëzore, nga të cilat ish-pushtetarët do të përfitonin edhe pas humbjes së pushtetit!
Sipas moralit dhe vendimeve absurde të ish-pushtet gjilanas, p.sh. Veton Nevzatit duhet t’i sigurohet vend i punës, ndonëse ai, në mënyrë të paligjshme, u vendos në vend të Selver Xhelilit (ish-drejtor i DKRS-së) , të cilin ish-pushteti e largoi nga vendi i punës vetëm pse mundi, duke keqpërdorur pushtetin!
Sipas vendimeve absurde të ish-pushtetit gjilanas, ndonjë ish-pushtetar, pas disa muajve, pritet të zërë vendin e ndonjë punëtori, pasi ai të pensionohet, sipas kontratave të mëhershme, që ka bërë ish-pushteti gjilanas!!! E të tjera, e të tjera marrëzi të këtij lloji.
Kështu, ish-pushteti gjilanas, në saja të vendimeve aspak ligjore dhe aq më pak njerëzore, ka krijuar privilegjet më të panjerëzishme për individët aspak meritorë, të cilat një pushtet i ditur, i drejtë, demokratik e human nuk i njeh në asnjë mënyrë.
Pushteti i sotëm gjilanas dhe gjilanasit, sigurisht do të ketë shumë punë edhe me shumë të këqija të tjera të papërmendura, të cilat ish-pushteti i ka sedimentuar nëpër organet e ndryshme shoqërore./2lonline/
Nuhi Ismajli