Pa Identitet?
Nga: Fikri Mehmeti
Është interesante se në shekullin 21 ekzistojnë njerëz pa identitet. Shumë lexues do ta marrin me rezervë (edhe nëse nuk e mohojnë). Si ekziston sot dikush pa identitet? Po! Sot, në shekullin 21, në kohën moderne, në kohën e shkencës dhe teknologjisë, në kohën kur njerëzimi arrijnë të eksplorojnë në univers, në shtetin tonë të ri e të njomë, vetëm në qytetin e Gjilanit jetojnë mbi 3500 persona pa shtetësi (sipas një regjistrimi të shpejtë që është bërë), pa kartë identiteti dhe pa pasaportë edhe pse jetojnë këtu qe 16 vjet.
Këta persona nuk posedojnë asnjë llojè dokumenti të republikës së Kosovës. Paguajnë kontribute (me numra personal në ATK) taksa, tvsh në artikuj, punojnë, mjekohen, shkollohen (deri në shkollën e mesme se fakultetin nuk mund ta vazhdojnë pa dokumente). Paguajnë energjinë elektrike, ujin, mbeturinat. Punojnë punë krahu (se nuk mund të punësohen dhe integrohen pa dokumente)…
Këta janè persona të cilët janë lënë anash nga qeveritë që e udhëhoqën këtë vend dhe vazhdojnë të lihen anash nga qeveria aktuale e këtij vendi. Këta persona lirshëm mund të them se janë një kategori shumë e ndjeshme e shoqërisë, janë refugjatët e luftës së 1999-ës të cilët të tmerruar, të maltretuar, të persekutuar, të dëbuar nga vatrat e shtëpitë, u drejtuan drejtë Kosovës të gjejnë strehim e siguri.
Janë refugjatët e vitit 1999 të cilët nuk i pranoi UNMIK-u ti pajisë me dokumente dhe vazhdojnë të kenë problem me dokumente që nga koha kur ata mbetën pa kulm mbi kokë, pa shtëpi e pa kurrfarë ndihme si pjesë e shoqërisë.
Janë persona të cilët kaluan kufi në gjendje alarmante e jo administrativ (ku nevojiten pasaporta, letërnjoftimi) gjë që MPB-ja e Kosovës sot nuk e kupton si duhet. Prandaj vendos kritere absurde që nuk mund ti realizojnë madje as vetë qytetarët e këtij vendi. Është normale të them që këta njerëz janë pa identitet, nuk posedojnë dokumente nga vendlindja e tyre, nga Kosova Lindore sepse gjatë luftës ju ishin sekuestruar pasuria, dokumentet dhe krejt çka kishin me vete.
Dikush mund të pyes; ‘përse nuk u pajisen me dokumente pas luftës?’ Këta njerëz nuk u pajisen me dokumente pas luftës sepse shteti serb kishte vendos kritere (që parandalonte një gjë të tillë) të rënda të cilat nuk mund ti realizonin. Kritere si ‘vendbanimi’ apo kthimi në shtëpitë e tyre (të djegura e të shkatërruara) dhe pagesat e larta që duhej bërë (për marrjen e dokumenteve).
Të gjithë sot jemi në dijeni për veprimet e shtetit serb që çdo ditë ç’regjistron nga kompjuteri qytetarë Shqiptarë të shtetit serb,gjë që i detyroi shumë organizata e lëvizje të ndryshme nga Kosova Lindore të dërgojnë ankesë deri te gjykata e lartë në Strazburg, e si behet fjalë për këta që nuk jetojnë brenda atij shteti? Pra, është e pa imagjinueshme që këta njerëz të marrin dokumente më shumë se certifikata e lindjes.
Këta njerëz sot janë pa identitet dhe kanë probleme me policinë kur ndalen në rrugë dhe i pyesin ”kush je ti?” këta mund të brohorisin me krejt energjinë se kush janë, por askush nuk ju beson sepse nuk kanë me çka ta dëshmojnë. Këta janë ata që nuk mund të regjistrohen në fakultet sepse nuk kanë dokument. Këta janë ata që nuk mund të punësohen sepse nuk kanë dokument. Këta janë ata që nuk mund të votojnë, sepse nuk kanë dokument.
Këta janë ata që nuk ekzistojnë, përderisa nuk kanë dokument. Këta janë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës e as të Serbisë. Këta janë ata që i quaj ‘pa identitet’ sepse sot mund ta kryej njëri prej tyre një krim, a vepër makabre, e pastaj le të na tregon ministri se kush do ta zbulon? Përse këta persona nuk aplikojnë për dokumente në shtetin e Kosovës? Personalisht kam shkuar me njërin prej tyre tek zyra për shtetësi afër MPB-së, dhe aty ‘kriteri më i lartë’ ishte: të pasurit një pasaportë ose letërnjoftim nga shteti serb, (edhe pse ai ishte 5 vjeç kur kishte ardhë në Kosovë), të pasurit 3000 euro në xhirollogari, e kritere tjera qesharake.
Nga kureshtja dua ta pyes ministrin se; ‘a i ka të plotësuara çdo qytetar i Kosovës këto kritere? Si mund t’i kërkohen dikujt ti ketë 3000 euro në xhirollogari kur ai nuk posedon letërnjoftim as pasaportë? (me çka të hap xhirollogari?). Edhe pse ai kishte dokumentet nga shkolla fillore, e mesme dhe dokumente tjera të vendbanimit, që dëshmoni se jeton më shumë se 15 vite në Kosovë, arsyeja pse u kthye mbrapa i zhgënjyer ishte se nuk posedonte 3000 euro dhe pasaportë të shtetit serb.
Shërbimet komunale nuk janë në gjendje t’ju ndihmojnë këtyre njerëzve vetëm nëse kanë euro të paguajnë-korruptojnë zyrtar të ndryshëm komunal. (Siç kemi dëgjuar raste të shumta).
Janë disa lëvizje e nisma të Kosovës Lindore që veprojnë në Kosovë, veçanërisht në qytetin e Gjilanit, dhe kur këto lëvizje kërkojnë të drejta, MPB-ja e Kosovës mendon se po kërkojnë të drejta për Shqiptarët që jetojnë në Kosovën Lindore e jo për të shtypurit e persekutuarit që jetojnë qe 16 vite pa shtetësi në Republikën e Kosovës.
Edhe pse çdo ditë i vizitojnë qendrat komunale,MPB-në, madje edhe organizatat e të drejtave të njeriut, askush deri tani nuk ju ka dhënë ndonjë ndihmë. Qeveria duhet të reflektojë dhe të largohen këto kritere qesharake për aplikimin për shtetësi, përderisa çdo ditë regjistron turq, kinez, amerikan, e japonez, duhet ti regjistron (pa kritere të rënda) edhe Shqiptarët e saj. /2L ONLINE/
