DYLON

Pa energji, pa drejtësi, pa shpresë – Koha për veprim ka ardhur!

Pa energji, pa drejtësi, pa shpresë – Koha për veprim ka ardhur!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Arlind Vokshi

Kur shpresa vidhet, arsyeja duhet të bëhet më e fortë dhe zëri duhet të ngrihet. Heshtja, në kohë padrejtësie, nuk është qetësi është dorëzim.

EkoHigjiena

Pa energji elektrike të qëndrueshme,

me çmime që rriten çdo ditë,

biznese në prag të mbylljes,

dhe një ekonomi që mbijeton më shumë sesa ecën,

Qytetari nuk ka perspektivë ka vetëm pasiguri.

Kur drita fiket, ekonomia ndalet.

Pasojat nuk maten vetëm me humbje energjie, por edhe me biznese të mbyllura, rënie të besimit dhe tension shoqëror. Një shtet që nuk garanton energji nuk mund të flasë seriozisht për zhvillim ekonomik e as për mirëqenie qytetare.

Kur jeta shtrenjtohet çdo ditë, e siguria zvogëlohet pa zë, problemi nuk është ndjesi personale, por gjendje shoqërore.

Kosova sot po përjeton një realitet që ngjan me vitet e pasluftës: sapo kishim dalë nga një periudhë e përgjakur dhe përpiqeshim të mbijetonim me pak shpresë, por me shumë sakrificë. Dallimi është se atëherë kishim pritje për nesër, ndërsa sot kemi pasiguri për sot.

Le të reflektojmë për sfidat që na ndjekin çdo ditë: faturat që rriten, çmimet që nuk ndalen, pasiguria ekonomike dhe mungesa e perspektivës. Realiteti na dhemb të gjithëve, por gabimi më i madh është kur heshtim ose vendosim gabim në kuti.

Në fund, kutia e votimit nuk është vetëm një procedurë demokratike është vendi ku vendoset drejtimi i shtetit. Aty ndahet heshtja nga veprimi, justifikimi nga përgjegjësia, dhe mbijetesa nga shpresa.

Sepse një shoqëri që hesht, e pranon krizën.

Një shoqëri që mendon, e sfidon atë.

Dhe një shoqëri që vepron, e ndryshon fatin e vet.

Nëse duam një të nesërme më të sigurt, zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet të jenë të menduara mirë. Sepse në fund, mënyra se si vendosim sot, përcakton mënyrën se si do të jetojmë nesër.  /2LONLINE/