Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dalë sot me një kërkesë të qartë për të gjithë ata që dinë diçka, se kush ka punuar dhe kush punon akoma për shërbimet sekrete të Serbisë. Kjo organizatë e dalë nga lufta ka apeluar të gjithë ata që dinë diçka për këtë çështje, në mënyrë që emrat e 140 atyre që kanë punuar për Serbinë të bhen publik dhe ta dinë të gjithë se kush janë.
“Ne si Organizatë, i inkurajojmë dhe i përgëzojmë z.Mehmet Loci, z.Fadil Kajtazi dhe z.Fatmir Çallakaj për gatishmërinë dhe guximin e tyre për t’u deklaruar për një çështje kaq të ndjeshme, e cila do të duhej të zbardhet sa më shpejtë”,
Ne kërkojmë nga të lartpërmendurit por dhe nga të gjithë ata që kanë informacione të argumentuara se kush ka punuar dhe kush ende punon për shërbimet sekrete serbe, të bëjnë publike emrat dhe pseudonimet, për hir të sqarimit të kësaj të vërtete të hidhur të popullit shqiptar.
Sidomos, ne do ishim gjithmonë mirënjohës, që ta dimë se kush janë 140 personat që si pjesëtar të këtyre shërbimeve, janë infiltruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me detyra të ndryshme. Kjo do ta ndihmonte shumë, procesin e verifikimit të veteranëve, invalidëve dhe Dëshmorëve të Kombit, proces i cili po zhvillohet këto ditë”, thuhet në komunikatën e OVL- UÇK-së, transmeton RTK.
Gjithashtu, kjo organizatë ka apeluar institucionet e Kosovës, Qeveria dhe Parlamenti, që të fillojnë procesin e nxjerrjes së ligjit për lustracion të figurave publike. “Ky ligj, i cili është i domosdoshëm për funksionalizimin e mirëfilltë të institucioneve të vendit, do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë një epokë të errët për popullin shqiptar”, theksohet në komunuikatë.