DYLON

OVL e UÇK-së: Nishani gaboi kur dekoroi Ibrahim Rugovën

Avatar photo Redaksia

Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së, ka shprehur pakënaqësinë lidhur me dekorimet e bëra nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani për nëntëmbëdhjetë figura nga Kosova. Aty përfshihet edhe Ibrahim Rugova, të cilin OVL të UÇK-së e quajnë ’njeri i Velanisë’. Sipas tyre, është e ulët që Nishani të keqpërdorë pozitën e të parit të shtetit për të futur përçarje brenda shqiptarëve.

Sipas tyre, dekoratat e bëra në këtë datë historike, pasi që implikimet politike në dhënien e këtyre dekoratave janë të mëdha dhe shumë tendencioze.

EkoHigjiena

“Pa u ndalur në emra të përveçëm të të dekoruarve, ia kujtojmë Presidentit Nishani, se vija politike paqësore e konkretisht bartësi i saj, Njeriu i Velanisë, asnjëherë për të gjallë të tij, në asnjë fazë të luftës për liri as pas saj, nuk e ka njohur as nuk e ka pranuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje, e ka quajtur “dorë e zgjatur e Serbisë”. Një gjë të tillë e ka bërë publikisht në janar të vitit 1997, kur krahas kësaj në një konferencë për shtyp të mbajtur në Prishtinë ka kërkuar edhe ardhjen e Interpolit për të zbuluar aksionet e armatosura që po i kryente UÇK-ja kundër forcave policore e ushtarake serbe. Si rezultat i kësaj thirrjeje, brenda dy javësh, policia serbe burgosi mbi 100 të rinj e të reja shqiptare, në mesin e tyre u burgosën dhe u vranë edhe disa prej krerëve drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata kanë kujtuar edhe Epopenë e Prekazit, në mars të vitit 1998, kur komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u sakrifikua me tërë familjen dhe lagjen Jashari, mbi pesëdhjetë veta, ndonëse Drenica po digjej në flakë, sipas tyre, njeriu i Velanisë nuk e pa të arsyeshme të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, për më tepër i mbajti “zgjedhjet e lira” në Kosovë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

“Edhe pas përfundimit të luftës, të cilën e fitoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës me përkrahjen e aleatëve të NATO-s në krye me SHBA-të, Njeriu i Velanisë asnjëherë për të gjallë të tij nuk e mori guximin të shkojë në Prekaz për të nderuar sakrificën e Familjes Jashari, as të asnjë pjesëtari të UÇK-së në mbarë Kosovën. Gjithashtu, edhe bashkëpartiaku juaj prej nga vini, Sali Berisha, nuk është prapa në këtë drejtim. Janë skandaloze veprimet e tij kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në territorin e Shtetit Shqiptar, derisa në krye të tij ishte Sali Berisha, ku përveç tjerash edhe i arrestoi e mbajti ne burgje, Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe Heroin e madh të luftës së UÇK-së Komandant Zahir Pajazitin. Madje stafi më i ngushtë i Berishës, ku bëjnë pjesë edhe anëtarë të ngushtë të familjes së tij, për vite të tëra mblodhën materiale kundër UÇK-së me qëllim të komprometimit dhe shkatërrimit të strukturave të UÇK-së që arritën ta mbijetojnë luftën”, thuhet në komunikatën e veteranëve.

Ata kanë shkruar se është e ulët që Presidenti Shqipërisë, si personalitet që përfaqëson frymën e unitetit të kombit, të bëjë veprime të instrumentalizuara dhe të keqpërdorë pozitën e të parit të shtetit të futë përçarje brenda shqiptarëve.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.