Osmani: Synimi për këtë vit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO

Osmani: Synimi për këtë vit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është mbajtur manifestimi për 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Në fjalën e saj ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka thënë se synimi për këtë vit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Osmani ka thënë se pavarësia nuk do të mund të arrihej pa presidentin e ndjerë Ibrahimi Rugova, komandantin Adem Jashari si dhe dëshmorët e rënë për liri.

“Kam kënaqësi që jam para jush për ta rikujtuar krijimin e shtetit tonë. Ky shtet është bërë nga gjaku i dëshmorëve nga rezistenca e pathyeshme. Madhështia e popullit tonë është në madhështinë e secilit prej jush”, është shprehur Osmani.

“Rruga të cilën e ndoqëm nuk ishte e lehtë dhe u deshtë shumë mund i grave dhe i burrave. Ne duhet ta mbrojmë këtë ditë të bekuar ngase nuk ka dashuri më fisnike se ajo e atdheut tënd. Pavarësia nuk do të arrihej pa presidentin Rugova dhe komandantin Adem Jashari me familje dhe të gjithë dëshmorët. Nga një vend që përjetoi luftën se sot po bëjmë hapa për të bërë kontribut për paqe në vende të tjera. FSK-ja është ushtria më e re në botë dhe gjatë gjithë kësaj kohe FSK-ja po punon në realizimin e synimit të anëtarësimit në NATO”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka thënë se synimi i vendit tonë është në familjen e popujve evropianë. “Në këtë 13-vjetor shtetin tonë e konsiderojmë të shenjtë dhe garantojmë tërësinë territoriale të vendit tonë”, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Epoka e Re

KOMENTE