Osmani forcave të NATO-s: Ju na shpëtuat ne dhe shpëtuat civilizimin tonë

Osmani forcave të NATO-s: Ju na shpëtuat ne dhe shpëtuat civilizimin tonë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjeneral Michele Risi, ambasadorë të shteteve të Quintit, diplomatë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, në Ditën e Paqes kanë vendosur lule te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të KFOR-it në sheshin “Nëna Terezë”.

Në një fjalë rasti, kryeparlamentarja Osmani, duke rekapituluar historinë e kësaj dite ka thënë se në Kosovë s’kishte përballje mes dy shtetesh, por kishte konfrontim mes dy botërash.

“Vlerat tona të lirisë dhe tolerancës po përballeshin me barbarizmin. Këtu vetë ekzistenca e civilizimit tonë po mbahej në teh”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, Kosova do të jetë gjithmonë falënderuese ndaj aleatëve që i erdhën në ndihmë në luftë.

“Vetëm kur i shihni gjërat në dritë të atyre vuajtjeve dhe të asaj situate të pashpresë, mund të filloni ta kuptoni se sa shumë jemi falënderues ndaj jush për ndihmën tuaj. Ajo çfarë ndodhi në Kosovë ishte një betejë për shpirtin e civilizimit tonë. Duke na ardhur në ndihmë – duke shpëtuar njerëz të pafajshëm të cilët gjendeshin në kthetrat e një regjimi barbar – ju na shpëtuat ne dhe shpëtuat civilizimin tonë”, ka thënë kryetarja e Kuvendit.

KOMENTE