Një dokument zyrtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e lëshuar me 26 mars, të vitit 2014, në web faqen e saj shihet se ky mision nuk e konsideron Mitrovicën si pjesë të Kosovës, por të Serbisë.
Fotografinë e një dokumenti zyrtarë të OSBES-së, e ka publikuar deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-së, Alma Lama, e cila ka shkruar se kjo është një shkelje shumë e rëndë nga ana e këtij institucioni, dhe se më e rëndë është edhe nga Qeveria e Kosovës, e cila nuk e ka idenë se çfarë po bëhet dhe si prezantohet sovraniteti i shtetit të Kosovës.
Për të sqaruar çdo paqartësi do të ishte mirë që zyra për informim publik pranë Misioni të OSBE-së të bënte një sqarim në lidhje me këtë dokument. Në të kundërt do të ishte një shkelje e sovranitetit të Kosovës nga ana e saj. Por, Gazeta “Bota sot”, ka tentuar të marr një përgjigje nga Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, por këta të fundit nuk kanë dashur që të kthejnë të paktën një përgjigje.
Ndërsa, ish-deputeti i Kosovës, Driton Tali, në një prononcim për Gazetën “Bota sot”, thotë se sigurisht se kjo është skandaloze kur merret parasysh fakti se në shqiptarët e Kosovës jemi aq shumë senzitiv në këtë aspekt.
“Mbase, mund të jetë edhe një gabim (që të ju them të drejtën është vështirë për t’u besuar, sepse ajo kalon nëpër disa filtra), ose të jetë e qëllimshme. Sidoqoftë, Qeveria jonë dhe institucionet gjegjëse duhet të reagojnë ndaj asaj dhe t’ju tërheqin vërejtjen OSBE-së (por edhe gjithkujt tjetër) se këto ‘gabime’ janë të papranueshme. Në të kundërtën, çështja del të jetë shumë më e komplikuar”, thekson Tali.
Avni Zogiani, nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Gazetën “Bota sot”, se OSBE-ja e njeh Kosovën në bazë të dokumenteve që deri tani kanë fuqi në të drejtën ndërkombëtare, sepse shteti i Kosovës, falë politikës së dështuar, nuk ka arritur të afirmohet si një palë në fushën ndërkombëtare.
“Në rast se institucionet e Kosovës nuk e kanë asnjë problem të zhvillojnë marrëdhënie bashkëpunimi institucional me OSBE-në pa e vënë në tavolinë asnjë vërejtje a kërkesë që ky institucion të njohë dhe demarkojë Kosovën dhe territorin e saj, natyrisht se OSBE nuk ka për të bërë ndonjë hap, sepse ajo e di mirë se në anën tjetër qëndron Serbia, e cila do të reagoje për çfarëdo lëvizje njohëse të këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar”, thotë Zogiani.