DYLON

OSBE dhe Gjilani organizojnë takim me rininë për vullnetarizmin

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – OSBE së bashku me Komunën e Gjilanit, Ministrine për Kulturë, OJQ – të dhe të rinjtë, kanë organizuar aktivitetin me rininë për promovim të vullnetarizmit, sfidat dhe angazhim në punë vullnetare.

Në këtë takim është bërë edhe shpërndarja e broshurës “Angazhohu sot, mos e lë për nesër”, ku precizohet saktësisht se çka në të vërtetë është vullnetarizmi, llojet, format dhe parimet e punës vullnetare etj.

EkoHigjiena

Në këtë takim është thënë se puna vullnetare është kontributi me dituri, përvojë, shkathtësi dhe kohë në veprimtaritë dhe nismat në shërbim dhe interes të komunitetit. Ky angazhim ka përfitime të ndryshme të vullnetarit si në shkathtësi, përvoja të reja, përvoja të reja, por edhe shpërblim moral nga përmirësimi i gjendjes për të cilën ai ka kontribuuar, ndërsa, komuniteti përfiton nga përmirësimi i kushteve të jetës, qeverisjes, sigurisë njerëzore dhe zhvillimit.

Me këtë rast drejtori i OSBE – së në Gjilan, Ulrich Biffar, ka thënë se të rinjtë që janë pjesë e angazhimeve vullnetare, kanë përfitime jashtëzakonisht shumë nga ky angazhim, edhe pse nuk marrin mjete materiale – para.

”Të jesh vullnetarë do të thotë shumë, kur kemi parasysh që me punën vullnetare mund të bëhen përmirësime të shumta që janë në shërbim të komunitetit në forma të ndryshme. Angazhimet mund të jenë në asistencë, bamirësi dhe solidaritet, pjesëmarrje qytetare, avokim, lobim, pastaj ndihma në raste emergjente etj. Shembull të vullnetarizmit kemi kur një i ri për një periudhë kohore kryen punë vullnetare në një institucion. Ky i ri do të jap kontributin e tij në fushën e caktuar në dhënie të shërbimeve të ndryshme dhe janë përfitues një numër i madh i përfituesve, që në këtë rast janë një numër i madh i komunitetit që prekin këto shërbime”, tha ndër të tjerash ai, duke spikatur se vullnetarizmi buron nga shpirti.

Ndërsa drejtori i departamentit për rini, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhevat Bajrami, ka thënë se infrastruktura ligjore është e mjaftueshme për vullnetarizëm, por ka ende nevojë në harmonizim të mbështetjes edhe nga ministrit e tjera.

”Vullnetarizmi duhet të jetë një burim moral i të riut. Ne kemi infrastrukturë ligjore, por kemi problem në terren kur kemi parasysh përfitimet simbolike që duhet të ketë për vullnetarët. Shpresojmë shumë që në një të ardhme të shpejtë vullnetari të ketë vërtet benificionet simbolike, por që e dallojnë nga ata të tjerët që nuk janë vullnetarë. Poashtu, kemi ngritur prej kohësh edhe problemin tjetër që vullnetarit puna dhe angazhimi i tij, nuk llogariten si punë vullnetare”, tha ai, duke përfunduar me një thënie nga Shqipëria, ku thuhet “bëje të mirën dhe hidhe në det, në mos ta ditë robi, ta di Zoti”.

Ndërsa nga ana e tij Bujar Haziri, udhëheqës për Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se në Gjilan që nga viti 2003 është punuar në drejtimin që vullnetarizmi të vlerësohet, por edhe të ketë benificione për të rinjtë e angazhuar.

“Vullnetarizmi është aktiv përmes formave të ndryshme edhe para se të kemi ligje që e rregullojnë këtë çështje. Ne kemi rekrutuar të rinj që të angazhohen për organizime të ndryshme kulturore dhe të tjera, ndërsa benificionet për vullnetarët që atëherë ishin hyrja falas në Teatër, Stadium, Palestër, por edhe marrja parasysh gjatë punësimit dhe lehtësira të tjerë”, tha Haziri, duke potencuar se Komuna e Gjilanit u qëndron shumë afër me mbështetje të rinjve e posaçërisht vullnetarëve.

Ndryshe, në këtë takim ishin pjesëmarrës përfaqësuesit e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal, OJQ dhe rreth 50 të rinj, të cilët kanë debatuar për vullnetarizmin në përgjithësi si një vlerë e ndryshimeve pozitive për komunitetin. /2L ONLINE/