Organizatorët e Eurovisionit kanë sqaruar se ndalesa për përdorimin e flamurit të Kosovës gjatë netëve finale të Eurosong-ut, nuk është kundër shtetit të Kosovës
Kjo sipas tyre ka të bëjë me rregullat e përgjithshme të tyre. Menaxheri për komunikim me media nga Eurovisioni, Paul Jordan, ka thënë, për Radion Evropa e Lirë, se një rregull e tillë vlen edhe për flamurin e Skocisë.
Flamuri i Kosovës nuk do të mund të jetë në duart e të pranishmëve, audiencës gjatë dy netëve finale që do të mbahen në Stokholm të Suedisë.
“Për fat të keq, Kosova nuk është as pjesëmarrëse dhe as vend anëtar i Kombeve të Bashkuara. Është për keqardhje që ky dokument është publikuar ngase ai ishte vetëm për nevoja të përdorimit të brendshëm dhe në listën e tij ishin vetëm si shembuj flamujt e Kosovës dhe Baskisë. Ne nuk duam që në asnjë mënyrë këtë ta ndërlidhim me ISIS-in dhe na vjen keq nëse radhitja e flamujve në dokument dikë e ka lënduar”, ka thënë Paul Jordan.
Sipas rregullores së re, flamujt që do të mund të përdoren në garën e Eurovisionit janë vetëm ato të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, pastaj flamujt e shteteve pjesëmarrëse në Eurovision apo atyre që kanë marrë pjesë më herët, si Turqia, Portugalia e Rumania.
“Politika rreth flamujve nuk është e orientuar kundër çfarëdo organizate apo territori. Nëse flamujt e publikuar në dokumente e kanë lënduar dikë, ne ndjejmë keqardhje”, ka thënë Jordan.
Po ashtu, nuk do të lejohet përdorimi as i flamujve lokal, rajonal apo provincial, si edhe i atyre që propagojnë përmbajtje komerciale apo edhe aso të urrejtjes dhe diskriminimit.