DYLON

Oresti ose qytetari fisnik

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Femi HALIMI

Personazhet!

EkoHigjiena

Në kohën e monizmit, autorët tanë pothuaj të gjithë, personazhet i kanë ndërtuar në mëtim të kontributit për lirinë e vendit,. Shpesh ata të sigurimit të shtetit kanë thirrë në bashkëpunim ekspertë të letërsisë dhe artit, njohës të thellësive të figuracionit e simbolizmit, për të deshifruar tregimin në një vjershë, a në një prozë. Luftë ka qenë me identitetin shqiptar, gjuhën shqipe, shenjat nacionale, veshjen, melosin, folklorin. Edhe boksi ka qenë në këtë dhe ekipi i Prishtinës përkrahej natë e ditë për fitore, që shqiptari të kishte një identitet dhe krenari dikund, me çdo kusht. Liria e kombit ishte qëllim…Shkrimet janë, nuk kanë ikur kund, dhe mund të dëshmojmë lirshëm për gjithë autorët tanë krijues letrarë e artistikë të kohës së kaluar të socializmit. Te shumica personazhet, letrare a artistike, a figurat, tregojnë bindshëm animin dhe luftën e autorëve për personazhin, sidomos kryesor, në luftën gjigante për çlirim. Sadoqë larg e anash ka nisur një autor skicimet e tregimet e veta, me shkrim, me vizatim –pikturë, a me muzikë, personazhet kanë qenë shumica dërmuese, liridashës dhe çlirimtarë dhe në luftë me kundërpersonazhet negativë. Kështu personazhi pozitiv është kuptuar personazhi që mundohet për të mirën e njerëzve, vendit dhe jetës në këtë vend, për gjuhën dhe identitetin kombtar, si dhe në fund të këtyre, personazhi ka qenë kërkesa për pushtet vendor dhe liri kombi!… Gjithë edukata e asaj kohe ka qenë në ndërtimin e simpatisë për personazhin pozitiv, sidomos për kryepersonazhin. Fatkeqësia e mosarritjes së qëllimit në shumë raste nuk ka qenë prej personazheve, por prej autorëve që nuk kanë arritur të shkruajnë si dhe sa duhet. Ka qenë edhe Kodi i Nderit. Një Poant D’Honor. Ka qenë kjo atdhedashuria. Gjithçka për atdheun dhe para aktit për të, heshtej. Ishte gjithë ajo -kohë e dramës për atdheun, që tanimë nuk kuptohet, -as ka kushmë thuajase vullnet ta kuptojë.

Forca e Ligjit – Drama

…Oresti dual para masës. –Në dorë të djathtë mbante çarçafin me gjak të tharë, dhe në dorë të majtë, shpatën që pikonte gjak! Tha se,…”me këtë shpatë vrava nënën, sepse më vrau atin”…Ishte Kohë Heroike atëherë. Masa kishte Kodin e Nderit! Ata u ndalën dhe heshtën…Po, kjo është kështu që atëherë! Rregulli nënkuptohet kur forca e ligjit mbanë në kontroll ligjin e forcës, qoftë edhe me krim, siç ndodhi me Orestin! Mosmarrëveshja është se në jetën e përditshme përzihen aktorët dhe rolet. Në të vërtetë janë edhe autorët në mes dhe për më tepër edhe ndjekësit. Kështu në këto raste vështirë është të dihet kush në rol të kujtë është… Eskili ishte këtu dikund kur shkroi tekstin.

Më bie në mend koha e Hetuesisë asokohe, kur ata të sigurimit nuk e kishin kurrë të kjartë se kush ishte autori, aktori, personazhi, si dhe jeta e aktorit për dallim nga aktrimi në një rol. Fatkeqësia është se ndjekësi mëparë është gjithmonë i ndjekur! Kjo është lufta me arsyen. Ndjekësi për më tepër ndërron sipas rastit, por përbrenda llojit është më i stërkequri. Dosido, ndërrohen rolet dhe aktrimi, por personazhi nuk ndërron kurrë. Ndjekësit, -në emër të shtetit e popullit!…Po, mbetëm me rend, dhe jemi tek ndjekësit!…Pas të gjithave ishte përgjegjësia, të cilën ata e bënin për ndjekës që ishin, ndaj dikujtë që duhej të ishte autoritet dhe ndjekja që pasonte ndaj të veçuarve nga vetë autoriteti, për armiq. Shkonin, që siç po thonë tani, me klipin e parë. Nëse dikush kishte lexuar diçka të ndaluar për ndjekësit, kishte bërë veprim kriminal kundër popullit e shtetit. Edhe nëse kishte dëgjuar, vepra kriminalizohej. E le më nëse kishte shikuar e parë! Akuza rëndohej trefish dhe personi i hetuar shpallej Armik i Popullit!

“…-Pse e shkrove? Pse vizatove? Pse këndove?” –Ishte përgjegjësia për autorët! “–Pse e shikove?! -Pse e ndoqe? Pse e përkrahe? Pse u bëre si ai?…-Pse e luajte rolin, pse e lexove, pse shkove në teatër, pse e bleve gazetën, pse e dëgjove atë, pse nuk mendove, pse nuk frikove, pse nuk ndejte në shtëpi tënde?!…Pse shikove? Pse si mbylle sytë?! Pse nuk ike, pse nuk u fshehe që të mos të shihnin ata ty?!”… Sepse edhe më keq ishte kur të shihte ana tjetër! Kjo për shtetin ishte shumë armiqësore!…Si nuk ishte armiqësore?! Ishte, shqip!…Armik i popullit ishte ndëshkim aq i tmerrshëm, sa që edhe tani të tillët trajtohen për të tillë!… -Çdo interpretim ndryshe prej atij zyrtar dimenzionohej në dramën e përgjegjësisë dhe veprimit armiqësor. Tani shkojmë me klipin e dytë. Puna kishte shkuar aq larg sa që veprat kriminale kundër pushtetit, edhe kur mungonin, bëheshin nga vetë pushteti. Duhej dikush që të bënte vepra kriminale, që pushteti të ishte, e të mbahej. Po nëse nuk kishte vepra të tilla kriminale për pushtetin, ata të pushtetit dilnin në teren dhe veçonin flitë e sakrificës ndër banorët, -dhe kujtë i binte me short, ai e pësonte. Ishte ky Gjahu, si në përrallat për Kuçedrat, që hanin njerëz me një shujtë të caktuar ditore. Në këtë puqeshin kufinjtë nëmes të pushteteve dhe viktimave. Por të mbajmë mend temën, -kjo ishtë vetëm për shqiptarët. Ka ndodhë, dhe mua më ka ndodhë asokohe, që më kanë pyetë për autorin e një vepre, e që ishte i para dymijë e pesëqind vjetëve! Mirëpo ata të fuqishmit e Hetuesisë së famshme të kohës së drejtësisë së socproletariatit serboshqiptar donin me çdo kusht tu tregoja për autorin, -ku ishte, kush ishte pas pseudonimit, ku dhe kur takohesha me te, çka kisha bashkëpunim me te, etj! Shkoi kohë e gjatë e derisa qëlloi një dikush nga ta i dijshëm paksa dhe u tregoi se njëmend, kyfarë autori që unë përmendsha kishte jetuar para aq kohe dhe se nuk kishte mundësi të sillej në hetuesi! Ka qenë shkas për të qeshur kohë të gjatë aty atje, -anise unë pata hëngër dhjetë metra dru për atë thi autorin! Unë isha në akuzë, në përgjegjësinë e autorit, aktorit dhe personazhit, -kurse ata në gjyqin e ndjekësve, hetuesve dhe ndëshkuesve!

“ -Aris –to –teli a?! A –ris –to –teli! A nuk po kallzon ku o ky farë leshi a?! Qe sa njihesh me te? Kush të lidhi me te? Ku e kini bazën? Sa herë në muaj takoheni? Kush janë tjerët –grupi?!…-Ka dekë? Qysh be ka dekë?! Qysh guxon me dekë pa lejen tonë?! Na e dajmë –a ka dekë, -a s’ka dekë! Ani, paska dekë qe 2400 vjet!?! A ti hajgare po bon me neve a?!…”

Drama! Epilogu…

ash, nuk ka më këso marrëzish! Porse erdhën marrëzitë e reja të kësaj kohe. Që ishte fjala në fillim, për aktorët dhe personazhet. Tash është luftë për mbrojtjen ose heqjen e shenjave të identitetit, burimit, njohjes, respektit, qëndresës. Janë këto role të kësaj kohe, krejtë të kundërt me atë kohë, por dhe kur për këtë nuk përgjigjet askush. Njëra palë lufton për mbrojtjen e tyre, pala tjetër lufton ti zhdukë. Të dy palët janë shqiptarë dhe pa dallim. Por jo, ka dallim!…Dhe në këtë nuk ka nevojë ky fqinji të hyj me ushtri e njësi speciale këtu këndej. Janë njerëzit tanë si më parë, që në besim e për premtime, e me do pagesa vjetore, e tjera,…donë të shkatërrojnë gjithë identitetin, sa mos të mbetët më as edhe një për be, për të njohur edhe veten vetë. Kështu po mundohen ka kohë, dhe po tregojnë vetë!

“…–S’ka shqiptarë, s’ka gjuhë shqip, s’ka teritor shqiptar!”… Këta përbrenda:”s’ka shqiptarë”, -fqinjët përjashtë: “s’ka shqiptarë”!…Këta këtë po e thonë, kërkojnë, paguajnë për këtë. Njeriu ynë po del dhe po e bën këtë. Njeriu ynë, që ishte në të vërtetë, por që u bë si gjithmonë, me armiqt. Dhe besojnë se edhe të huajtë këtu, dikur do të pajtohen.

“-Mirë, në rregull, okey! -Pasi nuk po doni të jini shqiptarë, mos jini, pasi jini të tjerë!…-Le ta merr këtë vend, kush është në rend!…Ose, -po e marr unë, “ -do të thotë i huaji, “-e me mua do të jenë të zgjedhur këta mohuesit simpatikë si gjithmonë!” …Të tillët ishin edhe në kohën e vëllazërim –bashkimit. Krejt në fund, do të mbetet gjuha jashtë, -e atyre që e mbajnë veç jashtë!…Oresti sërish del para masës. Është një Orest i mesit tonë. Krimi ka ndodhë, edhe më keq. Ka ndodhë më keq se vrasja e Agamemnonit. Oresti duhet të bëj diçka, sepse është fisnik me çdo kusht, – por nuk di, as nuk mundet. Jo se nuk don të vras, por edhe po të donte, nuk ka me çka, e me se. Vetë, i pa fron fare. Ata që e ndoqën, që e ropën përsëgjalli, e mbajtën nëpër burgje, tash ia kanë marrë “kosovarepublikën”! Nuk ka më!…Çka? Pse? Si?!…

Të çuar peshë!

Ndërtimi i personazhit tutje pëson komplikime tjera pakufi. Kështu, në marrëzinë e tashme, i njëjti qytetar fisnik karikohet në vend publik për aktiv politik, autor, aktor, personazh, ndjekës dhe të ndjekur! Sikur një fabrikë private tash, – ku prej portirit, pastruesit e deri te drejtori, është vetëm një njeri, -drejtori, -e që është, pronari! Një pakënaqësi, si një furtunë e kobshme në mot të lig, po vjen, për asgjë. Veçse mbase, thjeshtë, nuk po dihet dallimi nëmes lirisë e robërisë. Për më tepër robëria për shumkë po del më e mirë se liria. Gjithë bota ka hyrë e strukur në një dhomë. Një fcb që mundëson gjithsecilin të hyj e të shkruaj çka të dojë, torturon gjithë masën me fakte, gjykime, kërcënime, shlyerje, poshtrime, gjueti shtrigash, hakmarrje, -ndaj të gjithëve që bënë që ky vend të jetë i lirë –siç është tani. Kjo ndodhë tani në dhomën e Internetit. S’ka kush ku të struket më, as ku të fshihet. Kujtë ia ka marrë mendja se liria edhe nuk është aq e kaq e dashur dhe e çmuar, siç mendohej atëherë, kur u nisën drejt saj ata, -e që e sollën. Thjeshtë, ja, ka shumicë mbase që nuk e duan!…Po, ne jemë, këta –ata që…edhe dy shtëpi në majë malit nuk kanë hyë e dalë!…-E në hakmarrje gjaku kanë zgjedhë me kujdes më të mirin, më të vyeshmin, për vrasje…Dymijë vjet kundër vetes vetë -me të gjithë të tjerët. Një sfond terri i tmerrshëm, me një rrugë drite përmes, me luftëtarë lirie…

“-Jo, atëherë ishte më mirë se tash, -a tash është më mirë se atëherë!?…Nëse doni të jam me juve tash, ma ktheni atë kohë kur isha mirë!?! Unë tash jetoj në Zvicërr. Në Zvicërr jetohet më mirë se këtu. Për këtë fajtor janë udhëheqësit këtu. Të gjithë janë të korruptuar, sepse në Zvicërr jetohet më mirë se këtu, -për këtë!…-Kush tha që këtu po jetuaka mirë?! Idioti! Unë jetoj mirë, po unë jetoj, a të tjerët po vuajnë për bukë. Mirë e kanë. O as shkau s’un i ka bajtë!…-Kah me ia mbajtë?! –Pare kam, pasuri kam, të gjitha i kam, -kurrgjë nuk më mungon, -por këtu është shkret. Skamje e madhe. Këtu vdes njeriu për bukë. Jashtë Kosove kudo është mirë. –Çka u bo me neve kështu?!?”…
-A po din kush më çka po flet?…
Kush beson në këto punë, më?!