Opozita (PDK, Vetëvendosje e Nisma): I dhamë leksion kryetarit!

Opozita (PDK, Vetëvendosje e Nisma): I dhamë leksion kryetarit!

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e të enjtes ka vendosur që raportin e kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor, raportin financiar për të njëjtën periudhë si dhe raportin e auditimit, t`i shtyjë për të hënën.

Në fakt, në fillim të seancës opozita kishte kërkuar që në shqyrtimin e tri pikave të lartpërmendura, të jetë patjetër kryetar i komunës, në të kundërtën ata edhe do të mund ta braktisnin seancën nëse do të tentohej me çdo kusht të procedoheshin ato.

Kjo bëri që kryesuesja e kuvendit t’i ftojë në konsultë shefat e grupeve dhe se kishin ra dakord për të ndryshuar renditjen e pikave, duke i zhvendos pikat në fjalë për fund të seancës, raportin e kryetarit, raportin financiar si dhe raportin e auditimit, për t`i dhënë mundësi kryetarit të Komunës që të arrijë në seancë dhe të paraqes raportin e punës.

Megjithatë, kur kryetari erdhi dhe u erdhi rendi edhe këtyre pikave, u kërkua pauza dhe pas pauzës, opozita (PDK, Vetëvendosje dhe Nisma), kërkoi që Kuvendi t`i ndërpresë punimet dhe të vazhdojë të hënën, ose ndonjë ditë tjetër.

Në një deklaratë të përbashkët të këtyre subjekteve (PDK, Vetëvendosje dhe Nisma), që e ka siguruar 2LONLINE, thuhet se këtë veprim të tyre e kanë ndërmarrë për t’i dhënë leksion kreu të komunës, që ta respektojë kuvendin, këshilltarët por edhe qytetarët, sepse prania e tij në pikat në fjalë, sidomos, në atë që ka të bëjë me raportin e punës së tij, është obligim ligjor.

Përndryshe në deklaratë ne përbashkët thuhet: “E shtymë seancën si vërejtje serioze për injorimin që kryetari ua bëri sot këshilltarëve, duke mo ardhur me kohë në seancë ku ishin të parapara tri çështje kruciale për diskutim, ku ai është i obliguar me ligj të marr pjesë, sidomos për raportimin për punën e tij gjashtëmujore, për raportin financiar. Pra, kjo është arsyeja që ne e ndërpremë seancën për ta vazhduar të hënën. Kryetari duhet të disiplinohet e të mos e injorojë Kuvendin, kuvendarët dhe qytetarët me mospjesëmarrjen e tij, pothuajse në asnjë seancë. Në të kundërtën opozita është e detyruar të merr masa tjera”.

Përndryshe, ky veprim nga pozita është vlerësuar si thyerje e marrëveshjes që bënë opozitarët kur me dakordim i zhvendosën pikat në fjalë për fund të seancën, për t’i dhënë mundësi kryetarit të arrijë në seancë, ndërkohë që tani vepruan ndryshe.

Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal nuk e ka mirëpritur këtë qëndrim të opozitës, duke i rikujtuar ata se po e thyejnë një marrëveshje që kishin bërë paraprakisht për të ndryshuar rendin e punës, ndërkohë që kryetari i komunës, Lutfi Haziri tha se ai është i gatshëm të vijë dhe të raportojë për punën e tij, kurdo që Kuvendi vendos të mbajë seancën.

KOMENTE