/2L ONLINE/ – Anëtarët e opozitës në Kuvendin Komunal të Gjilanit (PDK, VV, dhe të subjekteve tjera politike që janë në pozitë), bazuar në Ligjin për Vetqeverisje Komunale, Statutin e Komunës dhe rregulloren e punës së Kuvendit Komunal, i kanë dorëzuar sot kërkesën Kryesueses së KK me nënshkrimet e nevojshme të asambleistëve, që të ftojë seancën e jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës, për të diskutuar gjendjen e rëndë në fushën e Arsimit në Gjilan.
Kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në emër të këtyre subjekteve e kanë dorëzuar, Riad Rashiti (PDK) dhe Fehmi Syljejmani(LVV).
Në këtë kërkesë thuhet tutje:
“Sipas asambleistëve të opozitës dhe të një pjese të pozitës, problemet në këtë sektor janë shumë të mëdha dhe që kërkojnë trajtim dhe zgjidhje të shpejtë të këtyre problemeve të akumuluara, sidomos muajve të fundit dhe me rastin e fillimi të vitit të ri shkollor.
Edhe pse qeverisja komunale e drejtuar nga Lutfi Haziri e ka injoruar këtë gjendje të papranushem në sektorin e Arsimit, opozita e vlerëson se në seancën e jashtëzakonshme duhet të trajtohen dhe ofrohet zgjidhje për këto probleme, si; parregullësit e mëdha në regjistrimin e nxënësve nëpër shkolla e Gjilanit, punësimet, zëvendësimet dhe transferet joligjore të mësimdhënësve, anulimin e dhënies së bursave për studentë sipas buxhetit të planifikuar për vitin 2015, organizimi i ekskursioneve, përgatitjet higjieno-teknike nëpër shkollat e Gjilanit, dështimi i investimit në kompleksin e shkollave të mesme si dhe problemet të tjera me të cilat përballet Arsimi në Gjilan.
Sipas dispozitave ligjore, kjo seancë e jashtëzakonshme duhet të thirret tri dite pune para mbajtjes së saj, që do të thotë se javën e ardhshme pritet të mbahet kjo seancë e kërkuar nga opozita në Gjilan”, thuhet në kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në emër të këtyre subjekteve e kanë dorëzuar, Riad Rashiti (PDK) dhe Fehmi Syljejmani(LVV). /2L ONLINE/