Përfaqësuesit e partive opozitare kanë krejt tjetër mendim nga përfaqësuesit e pozitës për Marrëveshjen e 19 prillit. Përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare kanë vlerësuar për “Epokën e re” se kjo marrëveshje Kosovës i ka sjellë vetëm dëme.
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje!, Zgjimi Hyseni, ka thënë për “Epokën e re” se nëpërmjet kësaj marrëveshje Serbia ka shtrirë ndikimin e saj në Kosovë. “Marrëveshja e 19 prillit meriton të quhet historike, por në një kuptim tjetër. Kjo marrëveshje përbën risi sa i përket lehtësisë nëpërmjet së cilës Serbia ka shtrirë hegjemoninë e realizuar aspiratat e saj në Ballkan. Nëse marrëveshjen për Republikën Srpska të nënshkruar në Dejtonë Serbia e ka arritur në kushtet e luftës, marrëveshja e 19 prillit është nënshkruar ditën me diell pa pasur kurrfarë situate urgjente”, është shprehur Hyseni.
Ai ka bërë me dije se niveli i realizimit të Marrëveshjes së 19 prillit është në proporcion të zhdrejtë me mundësitë e Kosovës për shtetndërtim. Sipas tij, sa më shumë realizohet ajo, aq më të vogla janë gjasat e Kosovës për sovranitet e integritet territorial.
“Kjo sepse Marrëveshja e 19 prillit nëpërmjet krijimit të Zajednicës (Bashkësisë së Komunave Serbe) formon entitetin autonom serb brenda Kosovës. Nëse me Planin e Ahtisaarit, nëpërmjet vizatimit të territorit në vija etnike është hedhur tharmi seperatist, ky proces, duke vazhduar në të njëjtin drejtim, ka marrë përmasat e entitetit autonom me Marrëveshjen e 19 prillit për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka vlerësuar ai, duke shtuar se strukturat që dalin nga kjo marrëveshje institucionet vendore nuk mund t’i shpërbëjnë.
“Nëse me Planin e Ahtisaarit kishim komuna etnike serbe me kompetenca të zgjeruara, me marrëveshjen e 19 prillit kemi Zajednicën e cila nuk mund të zhbëhet nga asnjë prej institucioneve shtetërore. Me Planin e Ahtisaarit kemi komandantin policor që zgjidhet nga komunat serbe, pas marrëveshjes së 19 prillit komunat veriore e kanë zgjedhur edhe komandantin rajonal. Me Planin e Ahtisaarit kemi gjyqësi të ndarë etnikisht në nivelin e parë, marrëveshja e fundit e ka ndarë etnikisht edhe apelimin”, ka thënë Hyseni.
Të njëjtin mendim ka edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha. “Marrëveshja e Brukselit është një nga dëmtimet më të mëdha të perspektives evropiane të Kosovës, sepse me këtë marrëveshje faktikisht ka filluar të realizohet skenari që Kosova të mos jetë shtet funksional. Tani koha po tregon se me marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshjet e tjera që e kanë pasuar atë kanë treguar paaftësitë e lidershipit të Kosovës”, ka deklaruar ai. Sipas tij, Kosova nuk është dashur të shkojë në bisedime me Serbinë në Bruksel pa kushte.
“Ajo që po ndodh në Kosovë si rezultat i marrëveshjeve të Brukselit nuk ndodh në asnjë vend të botës. Kjo është fatkeqësi për shtetin tonë, sepse është legalizuar politika e Serbisë në Kosovë, në një pjesë të vendit ku sot e 15 vjet pas luftës institucionet tona nuk e ushtrojnë sovranitetin e vet”, ka thënë Berisha.
Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, Marrëveshjen për Normalizim të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e kanë nënshkruar më 19 prill 2013 nën ndërmjetësimin e ish-Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton. Kjo marrëveshje, e cila përbëhet prej 15 pikave, është nënshkruar pas disa raunde bisedimesh mes përfaqësuesve të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=61895&Ctype=1