Opozita (LDK e PDK), shumicë në Kuvend i rikthehet bojkotit!
Seanca e sotme urgjente e Kuvendit Komunal të Gjilanit dështoi për mungesë të kuorumit pasi anëtarët e Kuvendit, nga radhët e LDK-së dhe PDK-së, subjekte opozitare, po që në Kuvend përbëjnë shumicën, nuk ishin të pranishëm në sallën ku mbahen mbledhjet e tilla.
E vetmja pikë e rendit të ditës për sot ishte :”Dhënia në shfrytëzim e pronës publike për periudhën prej 30 vite për Universitetin “Kadri Zeka”.
Seanca urgjente ishte ftuar sot me kërkesë të kryetarit të komunës Alban Hyseni dhe duket se kjo edhe ishte edhe shkaku për mungesë të anëtarëve të kuvendit nga subjektet opozitare (LDK e PDK). Sidoqoftë mbetet të shihet a ishte problematike forma se si u ftua seanca apo ka edhe çështje tjera që thellojnë mospajtimet pozitë-opozitë dhe sjellin ngërç të ri.
Përndryshe, edhe kur ishte në pyetje buxheti i komunës për vitin 2025, pati seanca të shumta që dështuan për mungesë kuorumi, pikërisht për formën se si ftoheshin ato nga kreu i komunës dhe per rrjedhoje kishim mosprani të anëtarëve të LDK-së e PDK-së. Por, në fund u gjet rruga dhe buxheti u miratua.
Përndryshe, kreu i komunës Alban Hyseni, në seancën e sotme tha se në konsultë edhe me kryesuesin e Kuvendit do të ftojnë subjektet politike, paraprakisht në një takim për t’u evituar çdo mosmarrëveshje dhe për t’u ftuar seanca sa më parë.
Mbetet të shihet rrjedhja e kësaj çështje, në ndërkohë PDK, ka ftuar konferencë për ora 11:00. /2LONLINE/
