/2L ONLINE/ – Kritikat e opozitës në adresë të kryesueses së Kuvendit Komunal(KK) të Gjilanit, se ajo nuk po i drejton mirë seancat, po konfrontohet me të gjithë, po provokon situata të tilla që po nxisin pastaj gjuhë jo parlamentare, nuk qëndrojnë sipas Valentina Bunjaku- Rexhepit, kryesuese e KK-së, por se ato janë rrjedhojë e faktit që opozita nuk është këndellur akoma nga humbja, dhe nuk po mësohet dot me rolin e saj në opozitë, aty ku e ka dërguar qytetari me votë.
Kryesuesja Bunjaku-Rexhepi thotë se nuk janë të vërteta kritikat apo akuzat që vijnë nga opozita, sepse nga ajo trajtohen njëjtë të gjitha palët në Kuvend si pozita, si opozita, dhe se ajo ndihet e lumtur që elektorati e mbështeti me votë duke e sjellë edhe në atë pozitë ku vlerëson se po e kryen punën me nderë dhe ashtu siç parashihet edhe me rregullore.
Ajo tha se për të, të gjithë anëtarë të Kuvendit janë të barabartë pavarësisht ai i takojnë subjektit të saj në pozitë, apo edhe opozitës dhe se nëse ndodh ndonjëherë që duhet tërhequr vërejtjen kur dalin jashtë funksionit që kanë si anëtar Kuvendi dhe i shkelin rregulloret, atëherë ajo e bënë këtë edhe ndaj anëtarëve të LDK-së.
Ajo u ndërlidh edhe me rasti ne fundit ku tha se ishte në anën e anëtare së Kuvendit nga radhët e PDK-së opozitare, e cila u ndje e fyer nga Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), ndonëse, sipas saj, drejtori i DKA-së Nazmi Musa nuk tha edhe ndonjë fjalë të rëndë, që e ka fyer rëndë opozitën, sepse ka pas raste ku pikërisht opozita ka bërë fyerje shumë të rënda duke përfshirë edhe rastet kur këto janë bërë në adresë të saj, i është atakuar edhe familja, por se ajo i ka tejkaluar ato, duke bërë tolerime për faktin se ka parë, që opozita, nuk po mund të këndellet akoma edhe pas këtyre viteve, me të qenit në opozitë, aty ku e ka dërguar vota e qytetarit.
Megjithatë, ajo tha se si kryesuese ka qenë, është dhe do të jetë përherë krah anëtarit të Kuvendit në raport me drejtorët, që të parët janë zgjedhur me votë dhe përfaqësojnë votuesit e tyre derisa drejtorët emërohen, dhe edhe në rastin konkret ka qenë me anëtaren e PDK-së, andaj ka kërkuar që drejtori i DKA-së ta tërheq fjalën dhe kur ky nuk e ka bërë ajo vet ka kërkuar falje në emër të tij si kryesuese e Kuvendit, dhe se do të jetë përherë me asmbleiste. Do ta mbrojë çdo anëtar të Kuvendit e veçmas femër, ka thënë ajo për të shtuar se angazhohet për një Kuvend demokratik ku secili e ka hapësirën e mjaftueshme, bile shpeshherë ajo jepet edhe më tepër se sa është e paraparë, ndërsa për gjuhën jo parlamentare, që pranoi se zë vend herë pas here, tha se tani e tutje do të jetë e pakompromis dhe nuk do ta lejojë atë.
Ajo tha se Kuvendi Komunal i Gjilanit, kur është në pyetje transparenca është më i miri në nivel vendi, por edhe për respektim të ligjeve dhe në këtë kontekst ka përmendur se nuk ka vendime që i ka nxjerrë kuvendi më 2015 e që i janë kthyer mbrapsht nga MAPL-ja. /2L ONLINE/