Opozita e bashkuar thotë se një ditë para protestës madhështore për shtet me sovranitet, është mbajtë një tubim mobilizues me gra ku u fol për mobilizimin rreth protestës së nesërme.
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri tha se Republikë kemi vetëm kur jemi bashkë dhe vetëm kur të jemi të barabartë. “As lëvizjet ilegale dhe as ushtria çlirimtare nuk kanë njohur burra dhe gra. Këto kanë pasur dëshmorë, martirë, të burgosur politikë, sakrificë e fjalim të grave dhe të burrave bashkë, sepse një projekt lirie dhe barazie kërkon angazhim të përbashkët”, tha Ymeri. Protesta i tregon Mustafës e Thaçit që nuk do të jenë kryeministër e president, se nuk do të vazhdojnë të na e rrënojnë të tashmen e të na e shesin të ardhmen, sepse republika nuk duron dhe nuk duhet të udhëhiqet nga shkatërruesit e saj. “Nesër me 17 shkurt do të bëhemi bashkë në protestën e shoqërisë, në protestën e popullit kundër shkelësve të kushtetutës, e kundër këtyre zaptuesve të shtetit”, tha më tej Ymeri.
Kurse Nazlie Bala nga VETËVENDOSJE! tha se opozitarizmi i i opozitës nuk është kundër shtetit, opozitarizmi ynë është kundër pushtetit dhe politikave të tij ndaj shtetit dhe qytetarit. “Opozitarizmi nuk është i ndarë në gjini, vetëm për burra dhe vetëm për gra, sepse politikat e këtij pushtetit janë një dhe të dëmshme si për burra edhe për gra”, shtoi ajo.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në fjalën e tij tha që as nesër sikur asnjëherë më parë gruaja nuk do të mungojë në momentet vendimtare për vendin. “Nesër ne duhet të jemi bashkë në Prishtinë sepse vetëm si të tillë ne do ta përçojmë mesazhin tonë”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, Makbule Shkodra nga Forum i Gruas së AAK-së tha se “menduan që heshturazi mund ta sjellin Serbinë në Kosovë përmes ‘Zajednicës’, por ne së bashku i thamë jo me 28 nëntor, me 9 janar dhe do t’i themi sërish jo me 17 shkurt”. Nesër do të protestojmë në mënyrë që fëmijët tanë të festojnë në vitet e tjera. Do të protestojmë kundër kësaj qeverie anti-kushtetuese për shtet me sovranitet dhe demokraci pa improvizime.
Kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj në fjalimin e tij drejtuar të pranishëmve tha se duke iu falenderuar ndihmës dhe sakrificës së grave përgjatë këtyre muajve kemi arritur që kauzën tonë ta shndërrojmë në një kauzë kombëtare dhe tani na mbetet që edhe njëherë së bashku të gjithë t’ia japim edhe një shtysë punës sonë që nesër t’a mbushim sheshin e Prishtinës.
Më pas, Afërdita Gjonbalaj tha që bashkërisht me miq, familjarë me kokën lartë dhe me guxim do të dalim në protestë sepse protesta ka nevojë për ne, ka nevojë për prezencën tonë fizike deri në shkarkimin e kësaj qeverie anti-kushtetuese e cila ka humbur legjitimitetin për ta udhëhequr vendin.
Duke iu falenderuar ndihmës dhe sakrificës së grave përgjatë këtyre muajve kemi arritur që kauzën tonë ta shndërrojmë në një kauzë kombëtare dhe tani na mbetet që edhe njëherë së bashku të gjithë t’ia japim edhe një shtysë punës sonë që nesër t’a mbushim sheshin e Prishtinës.