Ombudspersoni: Kryetari i Parteshit po pengon zbatimin e ligjit
Avokati i Popullit i Kosovës ka publikuar sot Raportin lidhur me moszbatimin e vendimit të Trupit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës sipas të cilit ishte anuluar vendimi i kryetarit të Komunës së Parteshit që ka të bëjë me ndërprerjen e marrëdhënies së punës, në të cilin thuhet se kryetari i Parteshit po pengon zbatimin e ligjit.
Avokati i Popullit thekson se vendimi i kryetarit të komunës Parteshit, për shkarkimin e ankuesit nga pozita e asistentit administrativ të Kryesuesit të Kuvendit të Komunës është në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 2 të Udhëzimit Administrativ MAPL nr.02/2014 dhe MAP nr.01/2014 për caktimin e stafit mbështetës në komuna ku është paraparë që marrëdhënia e punës së stafit mbështetës/asistentit pushon me përfundimin e mandatit të Kryesuesit të Kuvendit, shkruan Indeksonline.
Ja raporti i plotë i Avokatit të Popullit:
Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Raportin për rastin nr. 124/2015, në lidhje me moszbatimin e vendimit të Trupit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës nr.09/442, të datës 15 prill 2015, sipas të cilit ishte anuluar vendimi i kryetarit të Komunës së Parteshit nr.54/15, i datës 10 shkurt 2015, që ka të bëjë me ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Ky Raport ka qëllim të vlerësojë pretendimet e ankuesit se i janë shkelur të drejtat e tij sipas nenit 49 paragrafi 1 [E drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sipas nenit 6, par.1 dhe nenit 13 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
Duke pasur parasysh ankesën individuale të ankuesit dhe në faktet dhe provat e palës, si dhe në shkresat e lëndës, të cilat i posedon Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), vërehet se ka zvarritje të paarsyeshme për zbatimin e vendimit të Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, gjë që është në kundërshtim me të drejtën e garantuar me nenin 6 dhe me nenin 13 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ).
Avokati i Popullit, vëren se vendimi i organit të shkallës së dytë i Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, i datës 30 maj 2015, ishte i formës së prerë dhe det yrues dhe se deri më sot nuk është zbatuar nga ana e komunës së Parteshit.
Po ashtu, Avokati i Popullit dëshiron të vë në dijeni se të drejtat e ankuesit, janë të garantuara edhe sipas nenit 49 paragrafi 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe vendimi i kryetarit të komunës së Parteshit në këtë rast nuk ka të bëjë me zbatimin e ligjit, por ka të bëjë me pengimin e zbatimit të ligjit.
Avokati i Popullit thekson se vendimi i kryetarit të komunës Parteshit, për shkarkimin e ankuesit nga pozita e asistentit administrativ të Kryesuesit të Kuvendit të Komunës është në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 2 të Udhëzimit Administrativ MAPL nr.02/2014 dhe MAP nr.01/2014 për caktimin e stafit mbështetës në komuna ku është paraparë që marrëdhënia e punës së stafit mbështetës/asistentit pushon me përfundimin e mandatit të Kryesuesit të Kuvendit.
Avokati i Popullit konstaton se veprimet e Komunës së Parteshit, përkatësisht vendimi i kryetarit të komunës, ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara me Kushtetutë dhe me KEDNJ, përkatësisht nenin 31 të Kushtetutës.
Bazuar në të gjeturat e këtij Raporti, në pajtim me nenin 135, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Avokati i Popullit “[…] Ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa, nëse vëren shkelje të drejtave dhe lirive të njeriut nga ana e organeve të administratës publike dhe organeve të tjera shtetërore”. Sipas kuptimit të nenit 18, paragrafi 1.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit “(..) ka përgjegjësi të tërheq vëmendjen për rastet kur institucionet e Republikës së Kosovës i shkelin të drejtat e njeriut dhe të bëjë rekomandim që t’u jepet fund rasteve të tilla dhe kur është e domosdoshme të shprehë mendimin e vet mbi qëndrimet dhe reagimet e autoriteteve përkatëse në lidhje me rastet e tilla.”
Së këndejmi, përmes këtij Raporti, Avokati i Popullit rekomandon që Kryetari i Komunës së Parteshit të ndërmerr masa të menjëhershme për zbatimin e vendimit të Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, Nr.09/442, të datës 15 prill 2015.
Ky Raport i Avokatit të Popullit për ankesën nr. 124/2015, i është drejtuar tashmë Kryetarit të Komunës së Parteshit dhe pret përgjigje në rekomandimin lidhur me rastin, jo më vonë se më 24 dhjetor 2015.
