DYLON

OJQ – të dhe shoqëria jonë

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Sami HALITI

(2L ONLINE) – Pa bërë ndonjë analizë të thellë, mundë të konstatohet se për të pasur një situatë normale ekonomike, dhe shoqërore, kjo do të thotë situata kur banori ordiner nga Kosova të mos ketë më arsye të marr botën në sy pa një destinacion i cili i ofron atij një perspektivë më të dinjitetshme ekonomike, buxheti i Kosovës, do të duhet të operoj me një shifër e cila është së paku tri herë me të madhe se kjo që kemi aktualisht, kjo do të thotë se do të duhej të kishim shifra mes pesë dhe gjashtë milardëshe. Realisht, një situatë e tillë edhe në variantin më të mirë jo që nuk mundë të arrihet, por as nuk mundë të pretendohet së paku në dhjetë vitet e ardhshme. Fatkeqësisht. Kjo mbetet një synim i cili megjithatë në një masë të caktuar do të duhej të përmirësohet nga vet ne, pasi që nuk jemi edhe të pa faj në këtë drejtim, pasi dihet që në disa aspekte kemi adresë duhur lidhur me këtë. Unë do ta theksoj njërën nga to edhe pse ajo mundë të mos jetë kryesorja.

EkoHigjiena

Ky është shoqëria civile respektivisht sektori i Organizatave jo Qeveritare apo OJQ-ve. Për ironi, Kosova vendi më i varfër në Ballkan, thuhet kinse e ka rep dhe hip hop muzikën më të zhvilluar në Ballkan. Absurde. Një vend me mentalitet kryesisht folklorik ka të zhvilluar trend modern postmodern të muzikës. Nuk është për t`u besuar. Në fakt, vet tekstet e këngëve të këtilla repit kosovar, i cili është ekstremisht folklorik, bile me elemente gjeografike e konfirmon këtë. Megjithatë kjo vetëm do të na shërbej për të dalë diku tjetër.

Pra, në fokus është sektori i OJQ-ve dhe shoqëria civile. Ky është një tregues tjetër i cili në Kosovë e konfirmon situatën e tërësishme depresive ekonomiko-shoqërore, kjo thjeshtë edhe nga numri i OJQ-ve të cilat evidencohen. Pa pasur një numër të saktë të tyre nga të dhëna zyrtare, jam i sigurt se numri i tyre sillet mbi 3500, gjë që krahasuar me numrin e popullsisë dhe kapacitetet buxhetore tona, nga sa u tha më lartë, jo që paraqet një numër të madh, por gjithsesi se paraqet edhe një numër absurd. Çfarëdo konfirmimi i këtij apsurditeti mundë të nxirret nga proporcionet që mundë të i parashtrojmë mes variablave të ndryshme shoqërore në relacion me numrin e OJQ-ve. Është e qartë se ne jemi (apo do të duhej të jemi) shoqëri pluraliste, sado që kemi elemente të theksuara me ngarkesa, edhe të arsyeshme, etno-folklorike dhe nacional-romantike, elemente këto të cilat do të duhej të ishin relikte të shoqërive demokratike. Ajo që dua të nënvizoj fillimisht është fakti se nuk mundë të pretendohet, aq më pak të mendohet si normal opsioni i një organizimi të tillë shoqërorë demokratik, ku shoqëria civile dhe sektori i OJQ-v do të ishte joekzistent apo i ngulfatur. Pra, shoqëria civile dhe OJQ paraqesin një segment të pa evitueshëm dhe fundamental të shoqërisë demokratike (Karl.Popper) dhe kjo është determinantë e patejkalueshme e cila nuk mundë dhe as që guxon të tejkalohet.

Por a ka për të u thënë diçka më shumë në këtë drejtim.

Le të mundohemi të themi diçka

Jemi një shoqëri e cila ka një buxhet të paktë, por njëherit kemi një numër enorm të OJQ-ve. Sa për të pasur guximin të themi se jemi të parët në Ballkan. Sikurse repistët kosovarë. Le ta kthejmë kokën në analizimin e dhjetëvjeçarit të kaluar. Si kanë funksionuar OJQ-të? Si janë pasuruar njerëzit që kanë operuar me to? Kjo i bie që jo vetëm që jemi një shoqëri e cila nuk ka arritur kapacitet të duhura organizative, as diciplinë të duhur, e cila do të rezultonte në mbledhjen reale të taksave dhe me këtë në shmangien e informalitetit i cili paraqet një hemoralgji konstante të buxhetimit tonë shoqërorë. Njëkohësisht bazuar në numrin e OJQ-ve, duket se kemi krijuar një aparat të sofistikuar në vjeljen e këtij buxheti të varfër i cili, pos aspeketeve tjera, kur është fjala për OJQ-të, të shumtën përfundon në gjepat e themeluesve të OJQ-ve, respektivisht në fletëpalosjet me fatura të fryra dhe pa ndonjë aktivitet faktik të realizuar “për se” , apo për qëllimin në vetvete të krijimit të OJQ-s në fjalë.

E thjeshtuar deri në absurd, kjo do të thotë se sektori i OJQ-ve, duke mos përshirë ndoshta disa dhjetëra sosh që mundë të e justifikojnë ekzistencën e tyre bazuar në aktivitetin e realizuar, është sektor i cili në masë të madhe ka abuzuar me fondet e marra në emër të aktiviteteve fiktive të cilat kanë qenë fatura mbrojtëse e tyre.

Konstatimi që rrjedh nga kjo situatë është se ne, jo vetëm që kemi një buxhet të varfër (kushtimisht le të themi pa fajin tonë), por i njëjti ka arritur të përvetësohet, pos tjerash, edhe nga OJQ-t e shumta, të cilat në fakt kurrë nuk e kanë justifikuar atë buxhet të vjelur, i cili të shumtën është shpërndarë në baza krejtësisht personale dhe klienteliste. Pra hiq tenderomaninë, korrupsionin dhe elementet tjera negative, të cilat janë pika të dobëta të shoqërisë sonë, edhe sektori i OJQ-ve ka një rol jo edhe modest në tretjen e fondeve publike financiare.

Në rrafshin shoqërorë, në një situatë të këtillë kur kemi kontribute të pakta në të mirën e përgjithshme nga aspekti fiskal dhe njëkohësisht gllabërimin e tyre pa nam e nishan nga aspekti individual pragmatik i shpenzimit, emëruesi i përbashkët është stagnacioni shoqërorë dhe kriza permanente, bile edhe humbja e perspektivës për të ardhmen. Për ilustrim, se sa i fuqishëm është sektori i OJQ-ve në Kosovë, mundë të e theksojmë faktin e flirtimit të të gjitha partive politike më individë, të cilët karrierën e tyre e kanë ndërtuar në sektorin e OJQ-ve,ndoshta me dhjetëra sosh, dhe të cilët jo pak herë e kanë gjetur veten në përqafimet e ngrohta të partive politike . Okej, kjo nuk është absurde do të mundë të thoshte dikush sepse p.sh edhe edhe Barak Obama në një periudhë e ka udhëhequr një fondacion bëmirës në SHBA. Kjo është vetëm një arsyetim formal, bile i pandershëm, pasi që përderisa në shtetet e demokratike përfitimi material nga aktiviteti vullnetarë dhe misionarë (OJQ dhe shoqëria civile) nuk është komponentë e dorës së parë, e kundërta është në Kosovë pasi që te me shumica e OJQ-ve, qëllim të parë kanë përfitimin personal e jo kontributin në komunitet. Kjo mundë ë konstatohet në terren me rroga substanciale dhe akomdim jo të lirë social. Si do të mundë të kontribuoj dikush në komunitet duke qene p.sh. i pa punë. Apo si do të mundë të kontribuoj dikush në komunitet duke qenë pjesëtarë i misioneve të ndryshme që janë prezente në Kosovë, kur i njëjti së paku gjatë pesë ditë të javës është në punë zyrtare.

Besoj se pajtoheni me konstatimin se fondet e dhëna për shumë OJQ kanë përfunduar në gjepat e personave të cilat i kanë formuar ato. Ato nuk janë krejtësisht të pakta. Me apo pa vetëdije deri më sot nuk ka ndonjë vëmendje të duhur në këtë drejtim, vëmendje kjo e cila do të duhej të rezultonte në llogari dhënien lidhur me fondet e marra nga OJQ-t. Sa ka benefit shoqëria nga to, si mirren dhe si ekzekutohen ato fonde. Sa është e duhur transparenca dhe libër mbajtja lidhur me to. Të theksoj se aktiviteti i mirëfilltë në komunitet do të duhej të ishte i orientuar në ndërmarrjet të cilat do të reflektoheshin me përmirësimin e jetës në komunitet, përderisa nuk ka tregues se kjo ka ndodhur.

Për të e përfunduar këtë problematizim, le të e marrim në retrospektivë kohën e krizës politike e cila ngjau në Kosovë që nga mbajtja e zgjedhjeve deri në konstituivin e Qeverisë. Ishin OJQ-të ato që nuk lanë veriantë pa e marrë në konsideratë, nuk lanë medium dhe ndikim të cilin nuk e shfrytëzuan duke e promovuar vetën, dhe në fund si duket asnjëra nga to nuk pati “eksperizën” e duhur të e antcipoj këtë çfarë ngjau”. Thënë troç që të gjitha dështuan. Te aktiviteti i OJQ-ve në këtë aspekt kemi edhe dukurinë kur “personalitetet” të OJQ-ve kanë guximin dhe i japin të drejtë vetës të ndërhyjnë,dhe të japin “ekspertizën” e tyre edhe në çështje të debateve puro akademike, edhe pse duket se ata persona individualisht janë krejtësisht jo kompetent dhe të pa përgatitur në atë aspekt. Bile edhe naiv. Kjo në fakt e konfirmon konstatimin e Karl Popperit se shoqëria civile dhe OJQ-të me gjithë domosdoshmërinë e ekzistencës së tyre, si korrigjuese e aspekteve parciale të shoqërisë, nuk janë organizime të dorës së parë, pasi që megjithatë janë strukturat tjera shoqërore, posaçërisht ato shtetërore , që duhet të u qëndrojnë pas vendimeve që kanë konsekuenca reale në shoqëri, sado që mundë të kemi kritika nga aspekti kualitativ në këtë drejtim. Dhe kjo sipas Popperit do të jetë kështu edhe për një kohë të gjatë. Një aktivist i komunitetit pas një interviste në televizion apo në ndonjë medium tjetër, lirisht mundë të shkoj dhe të flejë i qetë, pasi që nuk do të ketë asnjë konsekuencë personale. Thjeshtë sepse askush nuk kërkon përgjegjësi nga ai. Dhe kjo më së miri dëshmohet te ne me pseudoekspertizat made in Kosova- OJQ. /2L ONLINE/