OJQ “Elita prezantoi draft raportin monitorues të Kuvendit dhe strategjitë zhvillimore të fshatrave të Vitisë
/2L ONLINE/ – Është mbajtur sot në Viti punëtoria e përbashkët me grupet e margjinalizuara , përfaqësuesit e Kuvendit Komunal dhe Këshillave të fshatrave me temë : “ Prezantimi i raportit monitorues të Kuvendit Komunal prill 2015- prill 2016, si dhe strategjitë zhvillimore të fshatrave të Komunës së Vitisë”.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke përshëndetur këtë takim ka thënë se sikur strategjitë zhvillimore, po ashtu edhe monitorimi i Kuvendit kanë rëndësi të veçantë pasi që ndihmon edhe në zhvillim po ashtu edhe në rritje të transparencës së Kuvendit.
“Komuna e Vitisë është ndër komunat e para që është vlerësuar sa i përket organizimit të debateve nëpër fshatra për planifikim. Kjo ka ndikuar shumë pozitivisht që ne të jemi sa më të informuar me gjendjen e lokaliteteve dhe kjo punë e jona dhe ky përkushtim është vlerësuar lartë nga organizatat e ndryshme në Kosovë, duke e cilësuar si komuna më e mirë në këtë aspekt”, ka thënë Haliti.
Ai ka përmendur edhe projektet kapitale që do të realizohen dhe në këtë rrafsh ka potencuar projektin e rregullimit të Lumit Morava që konsiderohet shumë jetik dhe që kërkon zgjidhje, por se shumë shpejtë ky projekt do të finalizohet.
Ndërsa kryesuesi i Kuvendit komunal Naim Pira, ka falënderuar OJQ0-në “Elita” për bashkëpunim, si edhe organizatat e shoqatat e tjera për mbështetje, ndërkohë që ka përmendur edhe përkushtimin e asamblistëve për të dhënë kontributin në arritjen e synimeve për mirëqenien e qytetarit vitias.
Kurse Mentor Rexhepi nga OJQ “Elita”, ka njoftuar se për hartimin e strategjive zhvillimore nëpër fshatra, kanë mbajtur mbi 30 takime, me që rast janë identifikuar nevojat, por edhe janë grumbulluar edhe të dhënat për karakteristikat zhvillimore të këtyre lokaliteteve. Kurse Tefik Sailhu ka prezantuar draft raportin e monitorimit, ku siç tha ai, qëllimi i këtij monitorimi është vlerësimi i punës së këshilltarëve për adresimin e interesave të qytetarëve, që këshilltarët të jenë sa më afër qytetarit, rritja se transparencës,ndërtimi i relacionit të komunikimit qytetar-kuvend-komunë etj.
Kjo punëtori u organizua nga OJQ “ELITA- Viti” në bashkëpunim me Komunën e Vitisë, në kuadër të projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO -K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). /2L ONLINE/
