DYLON

Oda Amerikane përsërit thirrjen për shtyrjen e afatit për liberalizimin e tregut të energjisë

Oda Amerikane përsërit thirrjen për shtyrjen e afatit për liberalizimin e tregut të energjisë
Avatar photo Redaksia

Teksa afati për liberalizimin e tregut të energjisë po afrohet, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit qëndrimin e saj të mëparshëm se Kosova nuk është e përgatitur për një tranzicion të tillë. Përtej mungesës së konkurrencës reale në treg, afati i shkurtër nuk u ka dhënë bizneseve as kohë të mjaftueshme për përgatitje, as hapësirë për zbatimin e masave mbështetëse gjatë kësaj periudhe kalimtare, të cilat janë thelbësore për të shmangur goditjet financiare dhe rënien e konkurrueshmërisë.

Shqetësimet e bizneseve janë rritur ndjeshëm pas ofertave të marra nga furnizuesit, të cilat parashikojnë rritje mbi 200% të tarifave të energjisë, një zhvillim që bie ndesh me pritjet se liberalizimi do të sillte ulje të çmimeve përmes konkurrencës. Kjo rritje e paparashikuar do të prekë zinxhirin e gjerë të bizneseve në vend, nga sektori prodhues dhe përpunues, deri te sektori i shërbimeve, tregtisë dhe teknologjisë, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë financiare dhe perspektivën e investimeve.

EkoHigjiena

Argumentet se vendet e rajonit kanë zbatuar me sukses liberalizimin nuk janë valide në kontekstin e Kosovës. Vendet fqinje kanë qasje në burime alternative si gazi natyror, ndërkohë që në Kosovë, për shkak të vendimmarrjeve të gabuara në të kaluarën, projektet për ndërtimin e infrastrukturës së gazit janë braktisur, duke e lënë energjinë elektrike si burimin e vetëm për nevoja afariste dhe industriale.

Për më tepër, moskonstituimi i Kuvendit përbën një arsye shtesë se pse Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk duhet të vazhdojë me planet për liberalizimin e tregut në këtë faze, duke pasur parasysh se ky institucion i pavarur është llogaridhënës para deputetëve të Republikës së Kosovës.

Për një tranzicion të qëndrueshëm dhe të drejtë, Oda Ekonomike Amerikane u bën thirrje politikëbërësve të shtyjnë afatin përtej 1 qershorit 2025 dhe paralelisht të miratojnë legjislacionin e nevojshëm dytësor për të mundësuar investimet në teknologji të ruajtjes së energjisë (bateri) dhe në sisteme me efikasitet të lartë energjetik. Gjithashtu, kërkohet futja e një skeme nxitëse tatimore dhe doganore për teknologjitë e energjisë së ripërtëritshme dhe infrastrukturën mbështetëse. Pa këto masa, liberalizimi rrezikon të sjellë më shumë dëm sesa përfitim për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.