DYLON

Oda Amerikane fton për përmbajtje nga diskursi përçarës politik dhe dhunënxitës

Oda Amerikane fton për përmbajtje nga diskursi përçarës politik dhe dhunënxitës
Avatar photo Redaksia

Stabiliteti politik është kyç për nxitjen e investimeve të brendshme dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Në këtë aspekt, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me diskursin përplasës gjithnjë e në rritje ndërmjet akterëve politikë në Kosovë, në një kohë kur vendi duhet të demonstrojë stabilitet jo vetëm për të avancuar agjendën zhvillimore, por edhe për të menaxhuar situatën e krijuar pas shpërthimit të pandemisë COVID19.

Po ashtu, Oda Amerikane beson që në kohën kur është e nevojshme rritja e angazhimit të gjithëmbarshëm për fuqizimin e shtetit të Kosovës, akterët politikë e shoqërorë duhet të tregojnë maturi dhe koordinim. Prandaj, Oda Amerikane fton liderët institucionalë e politikë të Kosovës të përmbahen nga gjuha e përçarjes së skajshme, si dhe thirrjet denigruese dhe nxitjet për dhunë.

Oda Amerikane rikujton se çfarëdo akti i dhunës, do të rëndonte më tej mbi imazhin edhe ashtu jo të mirë të vendit para investitorëve të huaj, aq shumë të nevojshëm për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik. Aktet e tilla jo vetëm që do të kthenin Kosovën mbrapa, por edhe do të kërkonin investim dhe përpjekje të reja për përmirësimin e perceptimit para investitorëve të huaj.

EkoHigjiena

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson që institucionet e vendit duhet të shfaqin vullnet të fuqishëm dhe angazhim serioz për arritjen e një stabiliteti të përgjithshëm edhe në kontekst të brendshëm, por edhe në raport me shtetet fqinje, meqë raportet e mira ndërfqinjësore janë parakusht për integrimin ekonomik rajonal por edhe për avancimin e procesit integrues euro-atlantik.