DYLON

Obligimet si arsyetim

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ismajl Kurteshi

/2L ONLINE/ – Nga momenti kur lufta në mes të Kosovës dhe Serbisë u cilësua si konflikt, e fusnota e zëvendësoj Republikën, kurse negociatat me Serbinë filluan pa kushte dhe pa parimin e reciprociteti, me Serbinë u negociua madje edhe për çështje të brendshme të Kosovës, u hapën shumë çështje që vendet sovrane nuk i hapin me të tjerët.

EkoHigjiena

Politikanët e papërgjegjshëm të këti vendi, këto koncesione, që po e bëjnë Kosovën çdo ditë e më pak funksionale, po i arsyetojnë me gjoja obligimet që i kemi ndaj ndërkombëtarëve.

Për t’u arsyetuar para qytetarëve për dëmin që ja sollën vendit me koncesionet ndaj Serbisë, e zbuluan refreni “… kemi obligim ndaj miqve tanë ndërkombëtar… ta bëjmë këtë e atë… .

Me arsyetimin se kemi obligime… ne e pranuam Decentralizimin në baza etnike, që mundësoj formimin e komunave politike një etnike.

Këto komuna pastaj pamundësuan funksionimin e shtetit në territorin ku shtrihen ato dhe mundësuan ndërhyrjen e institucioneve të Serbisë në atë pjesë të vendit.

Të gjitha këto lëshime u arsyetuan si “obligime” karshi ndërkombëtarëve, që mision e kanë ruajtjen e qetësisë por jo domosdoshmërish edhe ndarjen e drejtësisë.

Me “obligimin ndaj miqve” si arsyetim, pa e përmendur kërkesën e Serbisë, po imponohet edhe themelimi i Gjykatës Speciale, që nuk ja sjell asnjë të mirë vendit, që paraqet vazhdim të cenimit të sovranitetit edhe ashtu të cenuar të Republikës së Kosovës. Specialja, si i tillë, nuk u votua nga deputetët që nuk ju nënshtruan presionit të liderëve të tyre partiak, që shumë herë kanë dëshmuar se interesat personale i kanë vu mbi ato të përgjithshme.

Në emër të obligimeve këta politikaj kanë mundësuar edhe punësimin e pjesëtarëve të “Civilna Zashtitës”, pra të MUP-it të Serbisë në institucionet e Kosovës,me marrëveshje politike, jo me konkurs, edhe pse punësimi pa konkurs paraqet shkelje ligjore dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Si rezultat i punës së papërgjegjshme të kësaj kaste politike po tolerohet zhvillimi i mësimit në të gjitha nivelet e shkollimit me plan-programe të Serbisë, ku shqiptarët paraqiten si armiq e UÇK-ja si kriminele. Në Bruksel nga të njëjtit është legjitimuar plaçkitja e dokumenteve kadastrale. Po lejohet pjesëmarrjes e serbëve në votime pa dokumente të Kosovës. Sa herë që kompromiset nuk mund të arsyetohen me dobinë që ja sjellin vendit, ato cilësohen si të domosdoshme për shkak të obligimeve që Kosova kinse i ka karshi miqve ndërkombëtar dhe perspektives evropiane, edhe pse dihet se askush as nuk e ka obligim dhe as nuk ka të drejt të veproj në kundërshtim me interesat e vendit.

Por athua nuk janë obligime të këtij Kuvendi, të kësaj Qeverie dhe të miqve ndërkombëtar: Zhvillimi ekonomik i vendit dhe hapja e vendeve të reja të punës. Rritja e cilësisë në arsim dhe shërbimet shëndetësore. Krijimi i ushtrisë pa kufizime. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Efikasiteti në administratë dhe drejtësi. Dobësi këto që po na përcjellin qe 16 vite dhe askush nuk po merret me ato seriozisht.

Se zgjidhja e këtyre problemeve jetike për Kosovën nuk është preokupim i miqve tanë ndërkombëtar lehtë vërehet pas formimit të qeverive nga të cilat miqtë tanë ndërkombëtar me insistim kërkojnë herë: bisedimet pa kushte me Serbin, herë decentralizimin në baza etnike, herë ulëset të rezervuara dhe të garantuara në Kuvend për minoritetet që nuk e njohin shtetin e Kosovës, herë arsim, shëndetësi e gjyqësi paralele, herë asociacionin e komunave serbe me të drejta ekzekutive e buxhet paralel, herë Kosovë shumë-etnike e herë ndarje në baza etnike.

Kërkohen koncesione që nuk hasen askund përveç në Kosovën “multi etnike” me 95% të shtetasve shqiptar.

Preokupimi i miqve ndërkombëtar, shpesh shkon përtej garantimit të drejtave të barabarta për minoritetin serb, ata angazhohen edhe për shumicën e dyfishtë në Kuvend, që shpesh paralizon punën e Kuvendit. Edhe kjo kërkesë u pranua si përmbushje e obligimeve tona ndaj ndërkombëtarëve.

Në Qeveri dhe Kuvend në këtë mandat, u pranuan përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, të cilët nuk e njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës. Edhe kjo ndodhi për shkak të perspektivës evropiane edhe pse këtë model nuk e gjejmë askund në Evropë.

Institucionet e Kosovës duhet t’i respektojnë miqtë, por nuk guxojnë të marrin obligime që janë në kundërshtim me interesat e vendit.

Deputetët e Kosovës kanë për obligim ta përmbushin betimin e tyre të dhënë para qytetarëve të këti vendi, ku përveç tjerash thuhet: ‘…me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës…”.

Të nderuar miq ndërkombëtar, ju që na ndihmuat në momente shumë të rënda për fatin e vendit dhe popullit tonë, misioni i juaj për ta ruajtur paqen në Ballkan nuk do të përmbushet kurrë, duke u përpjekur t’i ngopni apetitet e Serbisë, sepse Serbia është e pangopshme.

Paqja do të ruhet, të nderuar miq, Nëse fqinjët e njohin pavarësinë njëri-tjetrit, nuk ndërhyn në punët e njeri tjetrit dhe e pranojnë parimin e reciprocitetit.

Kosovës do t’i ndihmohet duke mos u mjaftuar me kritika dhe kërcënime ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, por duke e luftuar atë me të gjitha mjetet e lejuara demokratike.

Miq të nderuar, Kosovës nuk do t’i ndihmoni dhe as nuk do ta qetësoni rajonin, duke ia imponuar kërkesat e pa arsyeshme të Serbisë dhe duke i përkrahur politikanët e korruptuar.

Kosovës i ndihmoni duke i inkurajuar përfaqësuesit e saj që ata vet t’i identifikojnë interesat e vendit dhe të punojnë për ato, e jo duke ua imponuar zgjidhjet si që po bëni aktualisht. Presioni mbi deputetët të cilët janë të vetmit në këtë vend që e kanë legjitimitetin e popullit me i përfaqësuar ata është lëndim i rëndë i demokracisë. Angazhimi për gjykatë një etnike është angazhim për aparthejd që nuk mundemi dhe nuk bënë ta pranojmë.

Deputetët e dijen, se sa do që Qeveria dhe ndërkombëtarët ngarkohen me përgjegjësi kur bëjnë presion mbi deputetët, kur hapur i fyejnë, se përgjegjësia është e deputetit. Prandaj deputeti vet duhet të vendosim për votën tij. /2L ONLINE/

/autori është deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje/