Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që nuk e kanë marrë ende këtë vendim.
Në fjalimin e mbajtur para ministrave të jashtëm dhe delegacioneve të 57 vendeve anëtare të OBI-t, Hoxhaj ka thënë se procesi i njohjes së Kosovës është global dhe si i tillë mbetet i pandalshëm. Ai ka shtuar se njohja e pavarësisë është në interesin e të gjitha shteteve dhe është një kontribut i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin rajonal.
“Kam kënaqësinë të ju informoj se deri më tani Republika e Kosovës është njohur nga 104 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Unë jam mirënjohës për 35 vendet anëtare të OBI-t për vendimin e tyre që ta njohin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Procesi ynë i njohjes është global dhe si i tillë mbetet i pandalshëm. Ne jemi të angazhuar të ushtrojmë sovranitetin tonë në mënyrë proaktive dhe në shumë drejtime. Kosova është anëtare e plotë e disa organizatave ndërkombëtare duke përfshirë të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare sikurse FMN, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (Nju Jork), Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim. Krahas kësaj ne synojmë anëtarësimin në forume, iniciativa dhe organizata të tjera të rëndësishme rajonale. Kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë e sovranitetit dhe progresit të Kosovës në raport me integrimin e plotë në sistemin ndërkombëtar”, ka thënë Hoxhaj.
Më tej, kryediplomati kosovar ka thënë se Kosova e pavarur është një fakt gjeopolitik në Evropë dhe do të jetë pëgjithmonë një shtet sovran. Miratimi i Rezolutës për njohjen e Kosovës në këtë Samit, sipas tij, duhet të dëgjohet edhe nga vendet e tjera. “Shembujt e shtetndërtimit na mësojnë se asgjë nuk mund ta ndal rrjedhën e historisë. Kosova sot përfaqëson shembullin më të mirë të ndërtimit të paqes dhe të shtetit në dy dekadat e fundit, e përkrahur nga shumë miq dhe aleatë. Derisa qëndroj këtu para jush, kjo dëshmon se sa e gjatë ka qenë rruga e jonë të jemi këtu dhe të përjetojmë të gjitha pengesat e mundshme njerëzore gjatë historisë. Kështu që besoj se thirrja e sotme nga Rezoluta për Kosovën do të dëgjohet nga vendet e tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, ka përfunduar fjalimin, ministri Enver Hoxhaj.
Thirrja e ministrit Hoxhaj dhe vendeve të tjera aleate të Kosovës për ta miratuar Rezolutën për Kosovën ka gjetur mbëshetje. Rezoluta e sponsoruar nga Shqipëria është miratuar dhe u bën thirrje vendeve islamike ta njohin Kosovën, pasi shumica prej tyre tashmë e kanë marrë vendimin e njohjes. Po ashtu, Rezoluta e mbështet dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe mirëpret bashkëpunimin e institucioneve ekonomike e financiare të OBI-t.
Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në Samitin e 40-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-të që është mbajtur në Guinea Conakry të Afrikës.