Nxënësit e Shkollës se Arteve Pamor “Adem Kastrati”, realizojnë një vizitë studimore në Sofje
Shkolla e Mesme e Arteve Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan, realizoi një vizitë studimore në Sofje të Bullgarisë, në njërin nga panairet më të rëndësishme të Evropës lindore të dizajnit të enterierit dhe mobileve, organizuar nga “Inter Expo Center”.
Roland Masurica, drejtor i Shkollës së Mesme e Arteve Pamor “Adem Kastrati” tha se qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte që nxënësit e profilit të dizajnit të Enterierit të njiheshin nga afër me zhvillimet e fundit në projektimin e mobileve dhe të shkëmbimit të përvojave me profesionistë të fushës.
Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë të shihnin trendet e reja dhe inovantive, pasi në panair ekspozuan kompani me renome ndërkombëtare nga mbarë Evropa.
EXPOMEBEL shërben si një platformë e rëndësishme për ekspozimin e ideve të reja në dizajnin e hapësirave të brendshme, duke bashkuar stilet klasike me ato bashkëkohore.
Një moment kyç i vizitës ishte takimi me përfaqësuesit e shkollës bullgare “National High School of Plastic Art and Design – Dechko Uzunov” nga Kazanlak.
Profesoresha e kësaj shkolle, znj. Karaterzieva, e cila foli në emër të shkollës së saj, ftoi delegacionin tonë për një vizitë zyrtare në institucionin e tyre.
Drejtori i shkollës, Roland Masurica, së bashku me profesorin dhe koordinatorin e praktikës profesionale, Reshat Alidema, u dakorduan me znj. Karaterzieva që në një të ardhme të afërt të zhvillojnë një takim për të konkretizuar mundësitë e bashkëpunimit mes dy shkollave.
“Një falënderim i veçantë shkon për zëvendës ambasadorin, Bujar Deskaj dhe konsullin, Bekim Misini, të cilët na vizituan në panair dhe shprehën gatishmërinë për të na pritur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje”, ka thënë drejtori Masurica.
Pas vizitës në panair, grupi vizitoi objektet me rëndësi historike e kulturore në Sofje si dhe realizoi aktivitete të lira. Si institucion, jemi tejet të kënaqur me rezultatet e kësaj vizite dhe falënderojmë të gjithë ata që kontribuon në realizimin e saj. Posaçërisht, GABRIELA LYUBENOVA, menaxhere e panairit, e cila për ta shprehur mirënjohjen e saj për vizitën tonë mundësoi që nxënësit tanë dhe mësimdhënësit, të liroheshin nga pagesa.
Shkolla jonë e arteve po krijon një standard të ri në modernizimin e metodologjisë së të nxënit, duke përdorur qasje bashkëkohore dhe interaktive që e vendosin nxënësin në qendër. Synimi ynë është të ndërtojmë një ambient frymëzues ku nxënësit jo vetëm mësojnë, por edhe e duan shkollën dhe zhvillojnë kreativitetin e tyre. /2LONLINE/
