Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” njoftohen për mundësitë e kalimit të një viti shkollor në SHBA
Dikur nxënëse në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, e tashti studente e dalluar në Fakultetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë dhe “Kadri Zeka” në Gjilan, Flaka Abdyli ka ndarë përvojat e saja me nxënësit e gjimnazit, duke shërbyer si shembull për ta për orientim në karrierë.
Ajo, derisa ishte nxënëse e klasës së njëmbëdhjetë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” kishte fituar një bursë për të qenë maturante në një shkollë prestigjioze në Oregon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte qëndruar për një vit.
Tashti, ajo para nxënësve, që kryesisht ishin të klasave të njëmbëdhjeta ka prezantuar programin e Future Leaders Exchange (FLEX) Global, që është një mundësi e mirë që të vazhdohet me një vit mësimi në shkollat amerikane.
Siç ka theksuar Flaka Abdyli, këto bursa për shkollim në SHBA janë të plota. Duke folur për përvojën e saj, ajo ka thënë se për një vit kishte kaluar jetën shkollore në SHBA, si pjesë e programit YES, mundësi të cilën e patën edhe 19 bashkëmoshatarë të saj, të cilët ishin vendosur nëpër qytete e shtete të ndryshme të SHBA-ve.
Ajo ka theksuar se ishin vendosur nëpër familje amerikane dhe se gjatë shkollimit të saj kishte folur për shtetin e Kosovës, kulturën amtare, duke qenë një lloj ambasadoreje e Kosovës, derisa atje ka arritur përvoja të reja, duke qenë e zellshme në mësim, në aktivitete jashtëmësimore dhe vizita të ndryshme studimore.
Flaka foli për kriteret, për jetën në SHBA, për miqësitë që ka krijuar atje si me familjen ku ka jetuar për një vit, po ashtu edhe për nxënësit e paraleles dhe shkollës së saj, duke inkurajuar që edhe gjenerata e tashme të konkurrojë.
Ky lloj bashkëbisedimi ishte interaktiv, ngase edhe nxënësit I kanë parashtruar asaj shumë pyetje, kurse nga nxënësit u vlerësua se organizime të tilla janë të mirëseardhura për ta. /2LONLINE/
