DYLON

Nuk ka qeverisje të mira apo të këqija, ka qeverisje të kontrolluara dhe të pakontrolluara!

Nuk ka qeverisje të mira apo të këqija, ka qeverisje të kontrolluara dhe të pakontrolluara!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ismet Azizi

Shpesh më ka bërë përshtypje mënyra se si flasim për motin dhe për qeverisjen. Në pamje të parë duken dy gjëra krejt të ndryshme, por kanë një ngjashmëri interesante.

EkoHigjiena

Meteorologët nuk thonë se moti është “i mirë” apo “i keq”. Ata e përshkruajnë atë si të nxehtë ose të ftohtë, me diell apo me reshje, me erë apo pa erë! Moti nuk gjykohet me etiketa emocionale, por shpjegohet përmes karakteristikave të tij.

Edhe për qeverisjen shpesh përdorim etiketime të shpejta. Dëgjojmë çdo ditë se një qeveri është “e mirë” ose “e keqe”. Madje, jo rrallë, politikanët etiketohen pa fakte si hajna, plaçkitës, tradhtarë apo me cilësime të tjera që më shumë nxisin përçarje sesa debat.

Unë mendoj ndryshe.

Besoj se në demokraci nuk është më e rëndësishme të thuhet nëse një qeverisje është e mirë apo e keqe. Më e rëndësishme është të shtrohet pyetja: A është ajo e kontrolluar?

Sepse nuk ka qeverisje pa gabime. Asnjë pushtet nuk është i pagabueshëm. Prandaj demokracia ka krijuar mekanizmat e kontrollit, në mënyrë që gabimet të evidentohen, të debatohen dhe të korrigjohen.

Këtu hyn në skenë opozita.

Fatkeqësisht, te ne shpesh opozita e kupton rolin e saj vetëm si kundërshtim, ndërsa pushteti çdo kritikë e konsideron sulm politik. Kjo nuk i shërben askujt, e aq më pak qytetarëve.

Një opozitë konstruktive nuk është armike e qeverisjes. Përkundrazi, ajo është kontrolluesi, këshilltari dhe korrigjuesi më i mirë i saj. Sa më serioze dhe më profesionale të jetë opozita, aq më e kujdesshme bëhet edhe qeverisja. Në këtë kuptim, opozita nuk e pengon zhvillimin; ajo e ndihmon atë.

Prandaj besoj se në demokraci nuk ka qeverisje të mira apo të këqija. Ka qeverisje të kontrolluara dhe qeverisje të pakontrolluara. Aty ku pushteti kontrollohet vazhdimisht nga opozita, nga mediat dhe nga qytetarët, mundësia e gabimeve zvogëlohet. Aty ku mungon kontrolli, rreziku i vendimeve të gabuara bëhet shumë më i madh.

Këto mendime m’u rikthyen këto ditë, ndërsa në Gjilan ka nisur realizimi i një projekti të madh për rregullimin e qendrës së qytetit dhe të hapësirës përreth objektit të administratës komunale. Si çdo projekt i rëndësishëm publik, edhe ky ka ngjallur diskutime. Dëgjohen mendime të ndryshme: flitet për planin urbanistik, për gjelbërimin, për transparencën dhe për mënyrën e realizimit të projektit.

Pikërisht në raste të tilla shihet vlera e një opozite aktive. Jo për të bllokuar çdo iniciativë të pushtetit, por për të kërkuar përgjigje, për të mbrojtur interesin publik dhe për të siguruar që çdo investim të realizohet në përputhje me ligjin dhe me interesin e qytetarëve.

Sipas vlerësimit tim, këshilltari komunal Gentrit Murseli është një shembull se si një anëtar i opozitës mund të ushtrojë këtë rol. Përvoja e tij shumëvjeçare në Kuvendin Komunal, ngritja e vazhdueshme e çështjeve me interes publik dhe kërkesa për transparencë dëshmojnë se opozita mund të japë kontribut të rëndësishëm edhe pa qenë pjesë e ekzekutivit.

Kjo nuk është meritë e një partie apo e një individi. Është meritë e kulturës demokratike. Sepse demokracia nuk matet vetëm me mënyrën se si qeveris shumica, por edhe me mënyrën se si opozita e ushtron përgjegjësinë e saj.

Në fund të fundit, qeverisja nuk bëhet më e mirë duke i duartrokitur pa rezervë pushtetit dhe as duke e kundërshtuar verbërisht atë. Ajo bëhet më cilësore kur kontrollohet me argumente, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi.

Prandaj vazhdoj t’i qëndroj bindjes sime:

Nuk ka qeverisje të mira apo të këqija – ka qeverisje të kontrolluara dhe të pakontrolluara. /2LONLINE/