(2LONLINE) – Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, ka organizuar të mërkurën një debat me temën “A ka grupe islamike në Anamoravë” të përkrahur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung me seli në Prishtinë e në të cilin debat panelisti i parë Flamur Hyseni, profesor universitar, ka thënë se Gjilani gjendet në trekëndëshin kufitar, andaj edhe ballafaqohet me probleme të sigurisë. Sipas tij, problemet në Siri dhe në botën arabe patën ndikim edhe në Ballkan, kurse shqiptarët nuk njihen si komb vrasës e pushtues dhe shtoi se Kosova ka miratuar ligjin kundër pjesëmarrjes në lufta jashtë Kosovës.
Hyseni, tha se për Gjilanin dhe Kosovën paraqet problem edhe numri i madh i personave pa shtetësi dhe ka kërkuar që institucionet të jenë më syçelë e të rinjtë të mbahen në kontroll.
Edhe Halit Rexhepi, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka thënë se ka shërbime që tentojnë të destabilizojnë situatën dhe shtoi se Gjilani nuk është vatër e terrorizmit dhe gjithnjë është njohur si qytet i sigurt dhe i qetë, por që sipas tij mosuniteti në Bashkësinë Islame po ndikon që një numër i rinisë të indoktrinohen.
Sylejman Osmani, kryetar i Bashkësisë Islame në Gjilan, tha se ka keqpërdorime në masë të madhe dhe se po cenohet tërësia paqësore e fesë islame. Ai tha se islami e urren, dhunën, ngatërresat, përçarjet dhe synon ta mbjell të mirën e paqen. Ai tha se në Gjilan nuk ka ekstremitet dhe se puna e hoxhallarëve është tejet transparente, andaj sipas tij nuk duhet mbjellë frikë e drojë ndaj islamit. Për luftën në Siri, ai tha se ky është problem global dhe e keqja është lufta. Ai tha se dijetarët islamë janë kundër pjesëmarrjes në luftën e Sirisë. Ai ka kërkuar që lufta e Sirisë të mos shfrytëzohet për të krijuar mllef e urrejtje ndaj islamit.
“Jemi kundër shkuarjes të të rinjve tanë në Siri, kundër terrorizimit dhe në luftojmë për ta shëruar ekstremizmin”, ka thënë Osmani, që edhe njëherë ka bërë apel që të largohen nga idetë e veprimet ekstreme, sikurse që mjeteve të informimit u ka bërë thirrje që të mos paraqesin klimë ekstreme.
Problem të ngjashëm ka edhe në Gjermani, tha përfaqësuesi i Fondacionit “Friedrich Erbert”, Wulf Lapins sipas të cilat duhet të apelohet që të mos shkohet në vatra të tilla. Sipas tij, njerëzit duhet të edukohen e të arsimohen dhe të krijohet perspektiva, ngase mos perspektiva.
Xhymshit Osmani, ka thënë se ka fytyra të reja që sillen nëpër qytet, me veshje ndryshe e me sjellje ndryshe, bëjnë jetë brenda komunitetit të vet, por e mira është se ata janë pak. Ai kërkoi që Bashkësia Islame të distancohet nga ky komunitet.
Hysni Haziri e ka djalin e arrestuar si të dyshuar për terrorizëm, tha se po e përjetojnë rëndë arrestimin e këtyre djemve, sjelljen e rëndë dhe të vrazhdë ndaj tyre. Ai tha se këta djem janë shumë të rinj dhe tash e pesë muaj po mbahen në paraburgim. Ai tha se ata janë të pafajshëm dhe padrejtësisht po mbahen në burg, ka argumente të bollshme për pafajësi, procesi është i montuar. “Jemi të pafuqishëm. Po bëhet një hajkë, kurdisje e po linçohemi nga akuzat e rënda”, ka thënë Haziri, që ka kërkuar që të ndërpritet një diskriminim i tillë. Ngjashëm janë shprehur edhe prindërit e personave të tjerë të arrestuar, të cilët kanë kërkuar që të dal në shesh e vërteta. Ngjashëm janë shprehur edhe prindërit e personave të tjerë të arrestuar, të cilët kanë kërkuar që të dal në shesh e vërteta.
Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se Anamorava nuk është strehë e terroristëve siç po thuhet kohëve të fundit. “Anamorava përkundrazi është vend i qetë dhe i sigurt. Megjithatë me këta njerëz duhet të merret shteti dhe të edukohen e arsimohen” tha Terziu.
Demir Krasniqi e Fadil Gashi kanë kërkuar që të punohet më shumë me nxënës në shkolla dhe të mbahen ligjërata edukuese. /2lonline/