DYLON

Nuk jemi shoqëri!

Nuk jemi shoqëri!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Arsim Kastrati

Para lufte e dinim se kush ishim e çka donim, shtet tonin s’kishim, por shoqëri ishim.

EkoHigjiena

Elementet më të spikatura që e karakterizonin shoqërinë tonë të paraluftës ishin, identiteti nacional shqiptar dhe uniteti politik kundër okupimit serbojugosllav një shekullor.

Sot shtet kemi, por na mungon kohezioni politik e identitar i nevojshëm për të qenë një shoqëri me tipare të dallueshme, dhe më tej, një shoqëri që mund të përparojë ekonomikisht, kulturalisht, dhe e aftë ta ruaj shtetin e saj të brishtë.

Si kurrë më parë në mesin e Shqiptarëve të Kosovës, por edhe të tjerëve në Ballkan e gjetiu, kanë dalë në pah polarizime të konsiderueshme në disa dimensione të jetës së tyre.

Në dimensionin fetar janë lajmëruar drejtime të reja religjioze, diskurs dhe emocion i fortë fetar që paradoksalisht rivalizojnë primatin nacional të identitetit dhe mosdurimi i rritur ndërfetar, që më përpara nuk ishin dukuri tek populli i Kosovës.

Aq është bërë e ndieshme kjo problematikë sa që pothuajse paraqet një debat të pamundur, i cili edhe kur ndodhë në disa momente, shoqërohet me tone të larta dhe me sharje e kërcënime të skajshme.

Ironikisht, shqiptarët që për dallim prej fqinjëve të tyre e kanë pasur fatin apo fatkeqësinë që disa herë ta ndryshonin religjionin e tyre, sot paraqiten më katolik se papa i Vatikanit e më musliman se imamët e Mekës!

Tjetër, uniteti i fuqishëm politik në fillimin e rezitencës politike kundrejt okupatorit serb, me kalimin e viteve sa vinte e dobësohej duke u thelluar gjatë dhe fill pas lufte me profilizimin në dy kampe, të cilat e kishin të vështirë të bashkpunonin në të mirë të vendit, në krahun e paqës dhe ate të luftës”, si i quanin LDK-në dhe derivacionin politik të UÇK-së, PDK-në dhe AAK-në.

Para, gjatë dhe pas lufte, dhjetëra aktivistë të dalluar të LDK-së u vranë, për të cilat vrasje anëtarë e simpatizantë të LDK-së por edhe të tjerë, i akuzonin dhe akoma vazhdojnë ti akuzojnë njerëzit e krahut të luftës. Duhet thënë se as ekzekutuesit e as urdhërdhënësit e këtyre vrasjeve, deri më sot nuk janë zbuluar dhe kjo plagë e popullit të Kosovës ka mbetur e pa mjekuar, për të vazhduar ta helmojë jetën politike të saj edhe sot e kësaj dite.

Duhet përmendur edhe faktin, se partitë politike kosovare përgjatë dy dekadave të pas luftës edhe përkundër vështirësive e pengesave të ndryshme, gjetën fuqi për bashkpunim politik në rrugën e vështirë të shtet formimit të Republikës së Kosovës dhe të zhvillimit të saj.

Për të ardhur fatkeqësisht përsëri tek një konfliktualitet i theksuar politik, që viteve të fundit përcillet me pengimimin e funksionimit të institucioneve të shtetit dhe vonimin e proceseve zhvillimore dhe integruese të tij. Në këtë cikël të ri të konfliktualitetit politik rol të madh ka luajtur LVV e cila pritet ta vazhdojë qeverisjen pesëvjeçare të vendit.

Në fakt ky rivalitet i sforcuar i partive politike i ka dhënë shtytje edhe dimensionit të tretë të polarizimit të popullit Shqiptar të Kosovës, e ky është mosdurimi që po vërehet kohëve të fundit në mes të banorëve rezident dhe mërgatës së saj.

Dallimet dhe fërkimet kulturore mes kosovarëve rezident dhe njerëzve të mërgatës së saj janë dukuri normale sociologjike, por instrumentalizimi politik dhe thellimi i tyre është në fakt një pamje tragjikomike e këtij populli të shumëvuajtur.

Këto polarizime shoqërore dhe fakti që nga bashkësia ndërkombëtare iu imponua formimi i një shteti që për nga karakteri dhe simbolika është i ndryshëm me ëndrrën dhe gjakimin e tyre politik mbi një shekullor, Shqiptarëve të Kosovës ua vështirëson arritjen e një kohezioni politik e shoqëror të nevojshëm për mbijetesën dhe përparimin e ngrehinës së tyre shtetërore.

Për ta merituar epitetin shoqëri dhe për të ecur përpara, Kosovarët duhet ta duan e ta ruajnë shtetin e tyre shumë më shumë se sa deri tash, duhet të mos e harrojnë të kaluarën e tyre, të jenë më tolerant ndaj veçorive politike e fetare dhe kryesorja, çfarëdo drejtimi politik që mund t’a detyrojnë zhvillimet gjeopolitike të merr, ky popull do të ishte mirë të vazhdojë të quhet edhe Shqiptar edhe Kosovar! /2LONLINE/