DYLON

Nuk i ndihmoi as ‘Nata e Bajramit’!

Nuk i ndihmoi as ‘Nata e Bajramit’!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Florim Zeqa

Dështim pas dështimi, bllokim pas bllokimi, mashtrim pas mashtrimi kemi arritur në dështimin e 27 të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës! Me akuza dhe kundërakuza faji ka mbetur jetim, kurse shteti pa institucione!

EkoHigjiena

Pa largimin e djallit nuk ka konstituim të Kuvendit

Nuk është hera e parë e bllokimit të institucioneve shtetërore shkaku i egove (djallëzisë ) personale dhe armiqësive të imagjinuara partiake! Sikur na është bërë dukuri e shpikjes së “armiqve” të brendshëm dhe “bashkëpunëtorëve” të Serbisë pas çdo procesi zgjedhor!

Pas dështimit të fundit, 48 orëshi u pjestua për 2 shkaku i ‘Ditës së Bajramit’. Kjo u bë shkak që një pjesë e qytetarëve të besojnë në mrekullinë e natës së madhe!

Në këtë moment m’u kujtua kënga e Ndoc Mark Gegës, kur në vlugun e luftimeve, ‘Qaushi’ e merr ikën përpjetë livadhit: “Ndihmo Zot oj Natë e Bajramit, natë e Bajramit je qëllue prej Ndoc Markut n’mujsh mem pshtue, prej Ndoc Markut n’pshtofsha vet, për zapti tybe s’po e kam dert, se zapti boll ka baba mbret, pak na vyfshim na lypim apet”.

Në anën tjetër edhe Ndoc Mark Gega i lutet Zotit: “Ndihmo Zot o ‘Qiri i Shën Kollit”, natë e qirit sonte je qëllue, prej Qaushit vet n’mujsha me pshtue për babë të Gegës tybe nuk po kam dert, se boll ka rrnue plaku 70 vjet, 70 vjet plaku i ka rrafshue, na i shkoj ymri plakut tuj luftue, me qausha fyt e n’fyt tuj luftue”!

Analogjia e betejës së Ndoc Mark Gegës kundër ushtrisë turke, me betejën politike në Kuvend qëndron në faktin e përballjes së dy blloqeve politike në Kuvend, ku asnjëra nuk e kanë hallin e shtetit dhe as të qytetarëve, por si të arrijnë vet në pushtet, nën thënjen imagjinare të  politikanëve; “para ka boll baba shtet, sa herë t’na duhen zgjedhjet na i marrim vet, se për popull as që e kemi dert”!

Kjo është  e vërteta e hidhur e bllokadës politike në Kuvend, si pasojë e inateve personle apo e djallit mes subjekteve politike në Kuvend, pa largimin e të cilit as që pritet të gjendet zgjidhje fatlume në Kuvend.

E gjithë kjo shkaku i egos (djallit) në kokat e liderëve partiakë, të cilët më me dëshirë e pranojnë rikthimin e Serbisë në Kosovë sesa t’ia shtrijnë dorën e pajtimit njëri-tjetrit për të mirën e shtetit. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.