Nuk guxojmë të marrim vendime me të cilat duke menduar të stopojmë një gjë, prishim shumëçka

Nuk guxojmë të marrim vendime me të cilat duke menduar të stopojmë një gjë, prishim shumëçka

Jemi të vetëdijshëm se jeta e njerëzve është mbi të gjitha, porse nuk guxojmë si shtet të marrim veprime të ngutshme, të pamenduara mirë, vendime të cilat duke menduar të stopojmë një gjë, prishim shumëçka.

Shkruan: Arta Haziri – Nuhiu                    –               2LONLINE.com

Në fillet e pandemisë në Kosovë kishim një bllokadë disa mujore, ndërsa efekti i saj ishte shkatërrimi i ekonomisë, ndërsa numri I rasteve me koronavirus është shumë më i lartë se para, gjatë dhe pas masave bllokuese. Domosdoshmërish duhet vetëdijesuar qytetarët për masat më të lehta kundër përhapjes së infektimeve, siç është distance, maskat, dhe higjiena, por assesi nuk guxojmë të shkojmë tutje me masa përtej kësaj, sepse pasojat janë afatgjate dhe vështirë të rikuperueshme.

Si anëtare e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, dhe si një mësimdhënëse, i shoh më së miri pasojat që kanë krijuar kufizimet e njëpasnjëshme. Është trishtuese kur në një klasë të vetme përballesh më një numër shqetësues të nxënësve të cilët deklarojnë se nuk kanë mundësi t’i blejnë librat e tyre. Keni parasysh në çfarë situate të rënduar ekonomike duhet të jetë një familje që fëmija i saj të deklarohet hapur për mungesën e mjeteve për tu pajisur me libra!

Nuk kalon një ditë e vetme që dhjetëra qytetarë që kanë bizneset e tyre të vogla e që nuk e mendojnë mbylljen me dry. Imagjinoni në çfarë gjendje ekonomike ka ra sektori i biznesit, e mos të flasim për familjet të cilat kanë një ose fare të punësuar.

Qeveria dhe institucionet tjera të shtetit nuk duhet llogaritur gjendjen ekonomike të qytetarëve me të tyren, sepse ata përmuajshëm marrin mbi dy mijë euro, ndërsa mijëra familje në vend jetojnë pa asnjë të ardhur, e shumë prej tyre varet nga sektori i gastronomisë e qendrave tregtare të cilat po mbyllen. Kur shteti merr masa izoluese, paraprakisht duhet ta mendojë zgjidhjen, ndihmën që duhet dhënë sektorit të biznesit dhe qytetarëve. Tani e sa muaj Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nuk kalon në Kuvend, ndërsa masat e reja janë bë tanimë të përjavshme, dhe në anën tjetër për çdo 24 orë mijëra qytetarë gjobiten për mosrespektimin e masave anti-Covid.

Vendi është̈ kah zhytet në kolaps ekonomik për ditë e më shumë. Pasojat do të jenë të mëdha, ndërsa për rimëkëmbjen e sektorit privat do të nevojiten të paktën 10 vite. Para së gjithash, mendojeni mirëqenien e qytetarëve, sepse nuk shpëtohen jetë duke shkatërruar të tashmen dhe të ardhmen e tyre. /2LONLINE.com/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE