Klubi i futbollit FC Drita nis rrugëtimin në garë për trofeun e Kupës së Kosovës nesër, e mërkurë, me ndeshjen e 1/16-ës së finales ndaj KF Liria.
Në prag të këtij takimi kryetrajneri, Ardian Nuhiu njofton për përgatitjet rreth kësaj ndeshje, të cilën thekson se FC Drita do ta trajtojë atë me përgjegjësi.
“Kemi shfrytëzuar pushimin në maksimum për të rikuperuar energjitë pas një orari të ngjeshur të garave. Skuadra ka punuar mirë, jemi munduar të përmirësohemi në çdo aspekt, të rritemi gjithmonë edhe më shumë si skuadër. Si zakonisht i kemi analizuar ndeshjet e kundërshtarit dhe bëhet fjalë për një ekip të organizuar, i ndërtuar me qëllime të qarta, i diciplinuar në aspektin taktik dhe kanë futbollistë me përvojë që e njohin mirë futbollin kosovar. Jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme, kam besim tek ekipi im dhe fryma mbizotëruese në të. Do të futemi me të gjitha forcat në këtë ndeshje dhe do ta trajtojmë me përgjegjësi takimin”, thekson Nuhiu.
Trajneri Nuhiu foli edhe për garën e Kupës, duke potencuar se çdo ndeshje në secilën fazë të garës duhet trajtuar si një finale.
“Kupa e Kosovës është një kompetcion të cilin duhet ta trajtosh me kujdes. Të luash çdo ndeshje si një finale. Gabimet nuk të tolerohen në asnjë moment, prandaj objektivi ynë është ndeshja e nesërme”, përfundoi Ardian Nuhiu.
Ndeshja e rrethit të parë, FC Drita – KF Liria, zhvillohet nesër me fillim nga ora 12:00 në Stadiumin Ndihmës në Gjilan. /2LONLINE/