DYLON

Nuhiu për ndeshjen ndaj Prishtinës: Sfidë për të reaguar me luftë dhe sakrificë drejt suksesit

Nuhiu për ndeshjen ndaj Prishtinës: Sfidë për të reaguar me luftë dhe sakrificë drejt suksesit
Avatar photo Redaksia

Kryetrajneri i SC Gjilanit, Ardian Nuhiu është shfaqur para mediave në prag të duelit kampional ndaj FC Prishtina, duke folur në lidhje me përgatitjet e ndeshjes, gjendjen e futbollistëve si dhe startin kampionat.

“Ndeshje e fortë përballë një kundërshtari që vjen me shumë vetëbesim nga ky fillim kampionati. Mirëpo, unë kam besim te skuadra dhe në përgatitjen e ndeshjes të cilën e kemi bërë. Kërkojmë të jemi të disiplinuar, të qetë kur kemi topin, por dua të jemi të rrezikshëm para portës duke shfrytëzuar çdo mundësi që do të na paraqitet. Kemi respekt ndaj kundërshtarit, por pres që skuadra ime të bëj diferencën” ka thënë Nuhiu.

EkoHigjiena

Duke folur për përgjegjësit e rezultateve, Nuhiu tha se përgjegjësitë gjithmonë i marr ai, asnjëherë nuk ka ikur, apo është fshehur prapa tyre. ‘Së bashku me presidentin dhe drejtorin kemi ndërtuar një skuadër të fortë, apo një shtëpi, tullë pas tulle, të cilën personalisht e shoh shumë lartë. Në asnjë moment nuk do të kërkojmë arsyetime, por do të kërkojmë rezultate, për të cilat kemi besim shumë të madh që do të vijnë”, thotë ai.

Nuhiu ka  falënderuar tifozët për mbështetjen e madhe të cilën e kanë dhënë, jo vetëm në këto dy ndeshje, por gjithmonë kanë qenë pranë skuadrës. “Pres që edhe në ndeshjen e nesërme të qëndrojnë pranë skuadrës dhe ta mbështesin, sepse këtë vit do kemi luftëra shumë të forta dhe mbështetja është më se e nevojshme, duke besuar që në fund do të festojmë gjithë së bashku”, tha ai.

Kryetrajneri i skuadrës kuq e bardhë ka folur edhe për dëmtimet e lojtarëve.

“Kemi disa shqetësime të vogla dhe atë për shkak të fushës sintetike. Stafi mjekësor është duke qëndruar afër tyre dhe po bëjnë të pamundurën për ti rikuperuar”, tha ai.

Duke iu referuar vërejtjeve për shkak të rezultateve, Nuhiu ka thënë se kanë qenë kërkues në dy ndeshjet e para të kampionatit. “Nuk lejoj që në skuadër të ketë futbollist të padiciplinuar. Çdo ndeshje diferencat janë të vogla ndërmjet futbollistëve dhe varësisht nga kundërshtari do të përzgjedhim edhe lojtarët të cilët do të startojnë ndeshjen”, thotë ai.

Kryetrajneri i Gjilanit tha se presioni e frymëzon për të punuar edhe më tepër. “Kam mbështetjen e presidentit dhe drejtuesve. Por, më e rëndësishmja është mbështetja dhe përcjellja e futbollistëve në punën tonë. Jemi në rrugën e duhur në të cilën besojmë shumë dhe nuk ka mundësi që të mungoj suksesi”, thotë Nuhiu .

Ai ka edhe një mesazh para ndeshjes së nesërme ndaj Prishtinës.

“Sfidë të cilën dua që çdo njëri ta shfrytëzoj mundësinë për ti rritur vlerat e tyre duke luftuar dhe duke sakrifikuar për të arritur te suksesi”, ka thënë kryetrajneri i SC Gjilanit, Ardian Nuhiu.  /2LONLINE/