Nuhiu: Ndeshje derbi, kemi motivin dhe planin se si të luajmë

Nuhiu: Ndeshje derbi, kemi motivin dhe planin se si të luajmë

Në prag të ndeshjes së 13-të kampionale, FC DRITA ka mbajtur konferencë për media, ku u paraqitën kryetajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Ardit Tahiri.

Në këtë konferencë u fol për peshën e ndeshjes derbi, Ballkani – FC Drita, gjersa trajneri Nuhiu potencoi se si e tillë duhet të trajtohet me përqendrim maksimal.

Nuhiu thekson se skuadra është e motivuar dhe tashmë kanë planin se si të luajnë nesër.

“Nesër kemi një ndeshje të rëndësishme që duhet ta trajtojmë me përqendrim dhe vlerësim maksimal, sepse bëhet fjalë për një skuadër të mirë, që luan si grup mirë dhe ka individë cilësor. Nesër takohen dy skuadra me shumë cilësi brenda vetes dhe viteve të fundit kanë luftuar për kreun e tabelës. Një derbi që kam besim ta arsyetojë epitetin e derbit dhe kam besim se do shohim futboll kualitativ. Më gëzon fakti që skuadra është mirë, djemtë kanë qenë të motivuar gjatë javës dhe kemi përgatitur një plan për mënyrën se si do luajmë, ku uroj dhe shpresoj që nesër ta nxerrim në praktikë atë plan”, ka thënë Nuhiu.

Optimist për ndeshjen u shpreh edhe futbollisti, Ardit Tahiri, i cili theksoi se atmosfera në grup është e mirë dhe janë gati për ndeshjen derbi.

“Ne e dijmë rëndësinë e ndeshjes së nesërme dhe poashtu nivelin e kundërshtarit. Jemi munduar dhe kemi punuar maksimalisht me përgatit ndeshjen për nesër. Atmosfera në ekip është mjaft e mirë dhe shpresoj të fitojmë”, ka thënë Tahiri.

Kryetrajneri, Ardian Nuhiu theksoi faktin se tashmë kanë kaluar disa ndeshje dhe skuadra e futbollistët janë komponuar me njëri-tjetrin, gjersa nesër pret të tregojnë lojë të bukur në një ndeshje që sipas tij është e rëndësishme, por jo edhe përcaktuese me doemos për vazhdimësinë e kampionatit.

Kurse, futbollisti Ardit Tahiri ndër të tjera theksoi se nesër pritet të jetë një përballje e fortë dhe ndeshje e mirë për t’u ndjekur, por Drita është e motivuar të bëjë më të mirën dhe të marrë fitore.

Për ndeshjen e xhiros së 13-të janë të gatshëm të gjithë futbollistët, përpos Arbnor Mujës që po vazhdon rikuperimin dhe Prince Balde për shkak kartonit të kuq.

Ndeshja derbi e kësaj jave zhvillohet të shtunën, ora 13:00 në Stadiumin e Qytetit në Suharekë. /2LONLINE.com/

KOMENTE