Kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu u shpreh i kënaqur me fitoren e sotme ndaj kampionit në fuqi, Feronikeli.
Tekniku shkupjan e analizoi dhe vlerësoi ndeshjen si shumë dinamike dhe luftarake, teksa beson se ekipi i tij e meritoi fitoren.
“Një ndeshje shumë e luftuar nga futbollistët tanë të cilët me meritë edhe e fituan ndeshjen. Dominuam totalisht në pjesën e parë përballë kundërshtarit i cili kishte ardhur për tu mbrojtur. Kemi mbyllur të gjitha hapsirat dhe realizuam një gol. Më pas në pjesën e dytë në mënyrë instikte lojtarët u tërhoqën prapa për ta mbrojtur rezultatin. Megjithëse patëm rastet tona edhe në pjesën e dytë, por në fund mbetëm me një gol dhe duhet të jemi të kënaqur, sepse ishte një ndeshje derbi dhe me rëndësi ishte vetëm fitorja”, deklaroi Ardian Nuhiu.
Trajneri i ‘bardhekaltërve’ falenderoi edhe grupin e tifozëve “Intelektualët” të cilët ishin në numër të madh dhe mbështetën futbollistët e Dritës për 90 minuta.
“Një meritë e veçantë në këtë suksesin tonin është edhe mbështetja që vjen nga tifozët “Intelektualët”, të cilët mbajtën lartë motivin për futbollistët gjatë 90 minutave”, theksoi Nuhiu.
Sipas tij, mbrojtja e Dritës është më e mira në kampionat dhe për këtë flet numri i golave të pranuar deri më tani, si skuadra me më së paku gola të pranuar.