Nuhiu: Kemi potencial për vazhdimësi të mirë, nesër përballje e fortë (VIDEO)

Nuhiu: Kemi potencial për vazhdimësi të mirë, nesër përballje e fortë (VIDEO)

Në konferencën për media një ditë para ndeshjes së 11-të kampionale Llapi – Drita, u paraqitën kryetrajnerii Dritës, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Marko Simonovski.

Para gazetarëve, trajneri Nuhiu foli për rëndësinë e kësaj ndeshje, përgatitjet dhe pritshmëritë.

“Nesër na pret një përballje e fortë,  si për ne ashtu edhe për kundërshtarin. Takohen dy skuadrat të cilat kanë shumë kualitet brenda vetës. Nëse shohim Llapin në ndeshjet e fundit shohim se ata po kalojnë një formë të mirë, ku përveç aspektit ekipor ata kanë edhe futbollistë, të cilët në mënyrë individuale dijnë t’i zgjidhin situatat. Jemi munduar që të përgatisim një kundër lojë dhe jemi të gatshëm edhe për atë fushë. Kemi nevojë për vazhdimësi, sepse mendoj se kemi potencial për të vazhduar me rezultate të mira”, theksoi Nuhiu.

Optimist për takimin e nesërm u shpreh edhe futbollisti, Simonovski, i cili theksoi se udhëtojnë për tre pikë.

“Luajmë kundër një ekipe që në këto ndeshjet e fundit ka fituar 9 pikë dhe normalisht ata janë të motivuar, sikurse çdo kundërshtar tjetër ndaj Dritës. Neve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të mendojmë për tre pikët e fitores dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje edhe nesër. Synimi i gjithsecilit në ekip është të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe fitore”, potencoi Simonovski.

Trajneri Nuhiu u pyet për formën e skuadrës pas fitores së fundit ndaj Feronikelit, për çka theksoi se përveç dy golave të shënuar, skuadra nuk u rrezikua në asnjë moment të ndeshjes.

“Më ka pëlqyer skuadra në ndeshjen e fundit, më gëzon fakti që e gjetëm edhe rezultatin pas lojërave të mira. Djemtë kanë zhvilluar ndeshje të mirë, më ka pëlqyer përqëndrimi, serioziteti, angazhimi dhe skuadra ishte vazhdimisht në kërkim.  Më gëzon fakti që skuadra nuk lejoi në asnjë moment të rrezikohet, duke krijuar shumë dhe futbollistët po marrin formën e tyre dhe po vijnë tek më e mira”, deklaroi Nuhiu.

Trajneri, Ardian Nuhiu njoftoi se futbollisti Arbnor Muja po vazhdon rikuperimin, ndërsa në pikëpyetje për nesër është edhe Erjon Vucaj, për shkak të disa shqetësimeve të fundit.

Ndeshja e xhiros së njëmbëdhjetë, KF Llapi – FC Drita zhvillohet nesër, ora 13:00 në stadiumin e Merdares.  /2LONLINE.com/

KOMENTE