Në prag të ndeshjes derbi FC Drita-SC Gjilani, klubi Drita ka mbajtur konferencën e radhës për media, ku u paraqitën kryetrajneri Ardian Nuhiu, kapiteni Ardian Limani dhe portieri, Faton Maloku.
Trajneri Nuhiu tha se pas ndeshjes së fundit ndaj Drenicës kishin kohën e mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen derbi dhe tashmë kanë analizuar kundërshtarin.
“Kemi analizuar kundërshtarin deri në detajet më të vogla, edhe si grup se si luajnë por edhe aspektin individual të lojtarëve. E dijmë që skuadra kundërshtare ka cilësi dhe kanë sjellë futbollist me përvojë për atë arsye kemi marrë të gjitha masat për të qenë sa më gati për ndeshjen”, theksoi trajneri Nuhiu.
Kryetrajneri foli edhe për formën e skuadrës dhe pritshmëritë, gjersa theksoi se shpreson që t’i gëzojnë tifozët në fund.
“Më gëzon fakti që të gjithë futbollistët janë mirë me shëndet, përveç, Marko Simonovskit që ka një shqetësim, kurse grupi tjetër janë të gatshëm për lojë, janë jashtëzakonisht të motivuar dhe me shumë dëshirë po e presin këtë ndeshje. Nuk diskutohet kemi krijuar një ide apo mënyrë se si do t’i qasemi ndeshjes dhe si do të luajmë. Kam besim te skuadra se do të performojmë në mënyrën më të mirë. Është ndeshje e rëndësishme për ne, por e veçantë edhe për tifozët tanë, të cilët do të mundohemi t’i gëzojmë në fund”, ka thënë Nuhiu.
Për rëndësinë e këtij takimi dhe përgatitjet foli edhe kapiteni, Ardian Limani.
“Edhe ne futbollistët jemi shumë të përgatitur për këtë ndeshje, e dijmë rëndësinë e ndeshjes dhe gjithashtu jemi mundu të transmetojmë edhe te futbollistët e ardhur së fundmi peshën e këtij derbi dhe rëndësinë e fitores në këtë ndeshje. Jemi të gatshëm gjithsecili, po gëzojmë formë të mirë, i kemi marrë të gjitha masat dhe e kemi kuptuar se si do t’i qasemi ndeshjes”, ka deklaruar Limani.
Ndërkaq, portieri, Faton Maloku tha se do të japin maksimumin në fushën e blertë.
“Derbi është gjithmonë ndeshje e vecantë për të gjithë edhe për ne në fushë. Kundërshtarin e njohim mirë, por edhe kapacitetin tonë dhe e dijmë se cka kërkohet. Bashkë me trajnerin kemi bërë të gjitha përgatitjet, tani na mbetet të japim maksimumin në lojë dhe të sjellim rezultatin pozitiv”, ka thënë Maloku.
Ndeshja derbi e xhiros së gjashtë FC Drita – SC Gjilani zhvillohet nesër, e dielë, ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /2LONLINE.com/