DYLON

Nuhi Matoshi, uragani që mund të lëvizte malet!  

Nuhi Matoshi, uragani që mund të lëvizte malet!  
Avatar photo Redaksia

/Regjisori që nuk kishte frikë nga sfidat e profesionit/

(Nuhi Matoshi 1946 – 2018)

EkoHigjiena

Nga Isak N. Bilalli  

Nuhi Matoshi, njihet si një nga regjisorët e shquar të plejadës së vjetër i cili padyshim trajtohet si një nga kontribuuesit që dhuruan angazhim sistematik në shërbim të avancimit kulturoro-artsitik në Gjilan dhe më gjerë, përgjatë një harku kohore jo të shkurtër. Angazhimi i tij profesional si aktor e regjisor i teatrit përkon në një farë forme me zanafillën e konsolidimit të teatrit të qytetit-fillimi i viteve 70-ta, si një institucion që shënonte rritje e avancim në perspektivën e vlerave që prezantonte.

Nuhi Matoshi, i takonte asaj epoke të hershme në të cilën kohë më së shumti mungonin resurset njerëzore, në të cilin boshllëk të gjetur ai nuk ngurroi të merrte përgjegjësi profesionale në zanatin e tij, edhe pse në atë kohë si i ri,  nuk kishte përgatitjet e duhura. Në të tilla raste mjafton dëshira e madhe për të vënë në skenë diçka që publiku të përjetoj emocion për të cilën edhe kërkohet një lloj mjeshtërie dhe afinitet për të i dhënë skenës dhe publikut atë që meriton, dhunti që i ndjeri kishte të lindur. Nuhiu, si një student i ri i gjuhës dhe letërsisë shqipe, e kuptoi shpejt që nevoja ishte e madhe dhe duhej bërë diçka më shumë. Me guximin dhe kurajën që kishte ai, filloi të marrë udhë për t’u bëre nga ushtarët e parë të formacioneve artdashëse që po viheshin në shërbim të krijimit të një strukture të shkolluar artistësh, respektivisht gjenerata e parë e studentëve të Prishtinës, ku krahas Normales për Gjuhë e Letërsi, paralelisht ai ndoqi edhe studimet për Art Dramatik.

Si student entuziast dhe me elan e dashuri të madhe për artin skenik, ai u ndikua apo më mirë të thuhet u maturua profesionalisht për një kohë rekorde nga profesori e regjisori Muharrem Qena i cili, kishte nuhatur dellin artistik tek ai, duke ia besuar edhe rolin kryesor në shfaqjen me tekst të Edmond Morisit, “Pjata e drujtë”, ku ai interpretoi në mënyrë brilante, arritje profesionale të cilin e replikoi gati në të gjitha projektet e tjera teatrale.

Nuhi Matoshi, me pas nuk ju nda teatrit të Gjilanit pothuajse aspak, sepse jo vetëm se ai e kishte gjykuar që nevoja ishte më e madhe për të kontribuar në qytetin e tij por më shumë ishte momentumi që kërkohej të ngritej ky institucion në nivel meritor dhe këtë kontribut ai e ndjente detyrim. Ardhjen në Gjilan e shënoi duke e vënë në skenë shfaqjen “Familja e Peshkatarit” në vitin 1971, në të cilën shfaqje luante edhe rolin kryesor duke lënë në këtë formë gjurmë në këtë periudhë kur teatri vetëm se fillon të fitojë vëmendjen dhe interesimin e publikut për t’u ushqyer me art e kulturë.

Për një kohë të shkurtër, zbarkojnë në teatër edhe regjisorë të tjerë, si Muharrem Shahiqi nga teatri i Kombësive të Shkupit dhe Fetah Mehmeti të cilët poashtu fillojnë të vënë në skenë shfaqje serioze, e në këtë mënyrë shtohet dukshëm edhe numri i aktorëve me të cilët edhe i ndjeri fillon regjinë e projekteve të shumta teatrale. 

Gjilani, meritor për të patur teatër profesionist

Nuhi Matoshi ishte një profesionist që nuk parafliste shumë por gjithçka që dëshironte të fliste e nxirrte në skenë, ndaj dhe konform natyrës që kishte ai i kishte vënë detyrë vetes që bashkë me kolegët regjisorë e aktorë ta qonte teatrin drejt titullit Teatër Profesionist.

Kjo nuk ishte thjeshtë një dëshirë e Nuhiut por një mision që duhej përmbushur dhe këtë brengë e ndante vetëm në ndeja të veçanta me numër jo të madh njerëzish. Fakti se në repertoar paraqiteshin atëbotë dy deri ne tre shfaqje gjatë një viti kalendarik ishte dëshmi që ky ishte një mision që kërkonte realizim. Ne anën tjetër sukseset e këtij teatri nuk mungonin si në kompeticionet  Republikane e Federative, e lere më për ato krahinore që nuk diskutoheshin, që stoliseshin me medalje ari e vlerësime tjera maksimale.

Nuhi Matoshi ishte pjesë e kësaj nomenklature artistësh që me projektet e tyre i dhanë një vrull të jashtëzakonshëm njohjes dhe afirmimit të vlerave kulturore  të cilat ishin në mungesë të theksuar. Vizioni i tij për të dërguar Teatrin e Gjilanit në rangun e teatrove profesioniste, ishte një detyrë e dhënë vetvetes që ai bashkë me plejadën e arëbërësve në Gjilan ishin mobilizuar për ta realizuar këtë mision të pamundur të kohës. Ky vizion për të ardhmen ndërlidhej me perceptimin që ai kishte për teatrin dhe çfarë ofronte respektivisht çfarë jepte skena për publikun.

Një nga kolegët e tij të gjallë dëfton, se i ndjeri e shihte teatrin si një pasqyrë ku njerëzit shohin veten e vet dhe ku të tjerët në refleksion shohin kristalitetin e shpirtit të një shoqërie. Ky definicion i tij shpjegohet me shembullin se nëse shkon në një qytet për herë të parë dhe dëshiron të mësosh më shumë rreth atij qyteti, rreth mendësisë, kulturës, historisë së atij vendi shko e vizito teatrin sepse aty ke për të marrë përgjigje për shumicën dërmuese të pyetjeve që i ke parashtruar. Ky vështrim i tij aspak sipërfaqësor e kishte mobilizuar të ndjerin të ishte kërkues dhe ngulmues në përcjelljen e këtij vizioni përmes një metodë pune që koleget e sotëm e kujtojnë me pietet e respekt. Nuhiu, si në punë por edhe në jetë ishte i qetë dhe nuk ishte aspak intrudues me aktorët respektivisht me ekipet realizuese sepse komunikonte lirshëm duke lënë gjithmonë hapësira përmirësimi dhe avancimi në çdo rrethanë.

Kush ishte në të vërtetë Nuhi Matoshi?

Aktori e gazetari Nexhmedin Ymeri e rikujton atë si regjisor i nivelit të lartë me të cilin kishte patur kënaqësi të punonte dhe se puna me te ishte një kënaqësi në vete. Ne ato vite imitimet ishin element skenik që publiku i perceptonte si mëlmesa të lezetshme por regjisori Matoshi ishte kërkues në nxitjen e aktorëve të krijojnë vija vetanake të çdo karakteri duke shmangur kopjimin apo imitimin. Nuhiu ishte një njeri dhe një artist me kulturë të lartë civile. Ai nuk e ngriste zërin asnjëherë me aktorët, por e vetmja gjë që kërkonte prej aktorit ishte që gjithsecili të gjente rrugën e vet drejt realizimit të rolit në mënyrë sa më autentike, pohon Ymeri.

Vijat e ndryshimit dhe të realizimit të rolit në mënyrë sa më profesionale, ai i kërkonte me një formë butësie duke i dhënë çdo aktori mundësinë të gjente mënyrën me të mirë të realizimit ashtu si e ndjente aktori/aktorja që ishte ngarkuar me atë rol. Në momentin kur aktori ka prekur horizontin e karakterit të kërkuar ai ka patur qasje kolegiale me aktorin duke e inkurajuar ta mbajë linjën dhe nivelin e arritur, gjithmonë me tone kolegiale dhe përafruese. Kjo lloj përqasje e ka bërë atë të jetë i dashur, i pranueshëm dhe i preferuari i aktorëve për të punuar  me të së bashku.

Kjo lloj qasje e tij e reflektuar në punë dëfton edhe për karakterin e tij si njeri i cili në asnjë rrethanë nuk fliste keq për të tjerët dhe në asnjë lloj rrethanë në shtëpinë e madhe të teatrit nuk gjendeshin copëza smira, inati apo xhelozie për regjisorët dhe aktorët e tjerë.  Cilësia e shfaqjeve që kanë parë dritën e bardhë në skenë, kanë bërë që publiku ta perceptojë atë si një profesionist premtues dhe të shihet me plot entuziazëm dhe pritshmëri të larta sa herë që Nuhiu ka bere regjisurë.

Zhgënjimi i madh i regjisorit Matoshi

Pas periudhës së lulëzimit të jetës kulturore deri para fillimit të viteve ‘80ta, pason një lloj zhgënjimi në jetën profesionale të regjisorit Matoshi, pakënaqësi që lidhet kryekëput me përpëlitjet e tija dhe të Gjilanasve të tjerë për ta fituar epitetin si teatër profesionist, objektiv i cili mbeti i parealizuar në atë kohë.

Si edhe shumë kolegë të tjerë të teatrit ai ndjehej, i paplotësuar i mërzitur dhe ndërfaj sepse nuk po arrinin të preknin majat e arritura në raport me rezultatet që kishin korrur për një periudhë gati dy dekadash e për efekt krahasimor, Teatri i Gjakovës renditej më lart. Nuhi Matoshi, dhe teatristët e Gjilanit nuk kishin asgjë kundër arritjeve të Teatrit të Gjakovës por ishin kundër strukturave udhëheqëse krahinore të kohës, të cilët nuk po përdornin kandarin e duhur në vënien në peshore të asaj se çfarë po prodhonte Teatri i Gjilanit në krahasim jo vetëm me Gjakovën por edhe me Teatrin Krahinor të Kosovës.

Kjo lloj brenge, të cilën nuk po e luftonte dot e bëri të ndjerin të ndërmerrte një hap tjetër në karrierën profesionale dhe të vazhdonte me punë në kryeqendrën e Kosovës duke u angazhuar po si regjisor por në fushën televizive. Kjo ishte një disiplinë, pak, në mos aspak e eksploruar nga profesionistët e kohës sepse mungonin resurset njerëzore në masë të ndjeshme respektivisht kërkohej dikush që kishte guximin për t’u sfiduar.

Angazhimi në TVP kapitull i rëndësishëm profesional

Padyshim që regjisori Matoshi edhe në Televizionin e Prishtinës – TVP,  do të linte gjurmë të pashlyera sepse backgroundi dhe përvoja e tij e madhe në teatër e bënte atë te ishte një nga profesionistet premtues në këtë disiplinë të re kreativo-artistike.

Detyra funksionale e tij sipas përshkrimit të vendit të punës ishte përgjegjës për realizimin e programeve kulturoro-artsitike me theks të veçantë në realizimin e programeve folklorike muzikore që transmetoheshin të dielave por Nuhi Matoshi kurrë nuk ndaloi me kaq. Ai mund të realizonte këtë detyrë të thjeshtë për te dhe të lejonte të ndryshkej në rrafshin kreativ por ai vendosi të jetë kërkues dhe realizues i detyrave shtesë me të cilat sot komuniteti artistik dhe ish kolegët janë falënderues deri në skajshmëri.

Nuhi Matoshi me trup punonte ne Prishtine në TVP, por me mendje dhe me shpirt ishte në Teatrin e Gjilanit.

Përtej përshkrimit figurativ ai vazhdonte të punonte me kastën e aktorëve gjilanas duke i angazhuar me kohë të pjesshme në çdo iniciative artistike që ai vullnetarisht i merrte në Prishtinë, nisma që nuk ishin të pakta. I ndjeri, sa herë që dilte në shesh xhirim me ekipin realizues për programet kulturoro-muzikore ai gjente një karrem profesional për te i integruar me sekuenca të ndryshme artistike aktorët e teatrit që i bënte pjesë e agjendës artistike.

Kjo lloj qasje shpejt u aplikua si normë edhe nga TVP-ja ku mes intermezzo-ve muzikore futeshin “sketche” apo rrëfenja artistike që reflektonin brengat apo shqetësimet qytetare. Përdoreshin këto elementë me qëllim të forcimit të unitetit dhe solidaritetit popullor që ky regjisor i përdorte me shumë finese bashkë me trupën e teatrit të qytetit të Gjilanit.

Nuhi Matoshi u sfidua në realizimin e dramave televizive duke e sjellë para shikuesve teatrin edhe në shtëpi, por kjo nuk është e tëra. Ai u sprovua si regjisore në filma televiz, kuptohet fillimisht si asistent regjisorë bashkë me regjisorët e kohës si: Ekrem Kryeziu, Faruk Begolli, Skender Limani, Muharrem Qena, Faik Ymeri etj.

Në cilësinë e regjisorit, ai gjithashtu realizoi edhe dokumentarë televiziv, filma te metrazhit të shkurtër si dhe programe të ndryshme artistike ku do që syri i kamerës kërkohej te depërtonte për të qenë në shërbim të shikuesve. Universaliteti, e bëri Nuhi Matoshin të specializohej dhe të trajtohej padyshim në qarqet televizive si regjisori që realizonte më së miri programet festive sepse dinte të gërshetonte elementët muzikorë me ato artistike duke prodhuar gjithmonë në këtë mënyrë programe tejet të pëlqyera për publikun.

Mbyllja e TVP-së, pensionim i parakohshëm i regjisorit Gjilanas

Periudha pas vitit 1992 kur instalohen masat e dhunshme në Radio Televizionin e Prishtinës RTP,  e për rrjedhojë të gjithë punonjësit shqiptarë largohen nga ky institucion e gjejnë Nuhi Matoshin në gjendje aq sa të rënduar, të mërzitur e të thyer por në të njëjtën kohë  aq edhe motivues për të vazhduar me sfidat e profesionit, tashmë në rrethana ekstreme skajore. Fatkeqësisht gjatë kësaj periudhe kohore i ndjeri nuk krijoi mjaftueshëm, jo se nuk dinte apo nuk mundej por industria televizive është një makineri e rëndë në të cilën një person i vetëm dhe pa fonde financiare të mëdha teknikisht e ka të pamundur të punojë respektivisht të mbijetojë.

Pamjaftueshmëria në krijimtari e kësaj periudhe duhet të shihet në perspektiven e pritshmërive që publiku kishte për te, sepse emri i tij fliste vetë, si dhe pritjet që ai si profesionist kishte për të vazhduar me dinamikën e njëjtë. Industria televizive për kohën ishte e paralizuar dhe ne mungesë të gjithçkaje gjithë projektet artistike u gjeten në kolaps, përfshirë edhe teatrin e qytetit. Shfaqje ose organizime kulturore që organizoheshin në baza ad-hoc, ishin të vetmet që mbaheshin në ambiente të improvizuara për shkak të ndjekjes që bënte pushteti Serbo-sllav i kohës, në të cilat organizime ai kurrë nuk mungonte.

Kjo situate ngërçi dhe pamundësie për te krijuar e kishte vendosur të ndjerin në një situate siç mund të thuhet në gjuhën e popullit, “i vendosur me shpatulla pas murit” për të pranuar gjendjen që ai të futej në periudhën e para pensionimit të detyruar.

Regjisori Matoshi u përfshi ne disa projekte kryesisht projekte kulturoro-artistike në realizimin e programeve festive të fundvitit në të cilat drejtoi dhe udhëhoqi gjithashtu punën e estradistëve kosovar në një kohë kur dihet se në çdo pore të jetës, atëbotë, mbizotëronte terri informativ dhe aroma e luftës.

Paslufta, periudhë përmbyllëse e karrierës

Pas vitit 1999, tashmë në moshë të shtyrë Nuhi Matoshi nuk ndaloi me përpëlitjet e tija për të gjetur veten në realizimin e ndonjë mega projekti filmik në të cilin do të mund të shkrinte gjithë përvojën jetësore por rrethanat apo mundësitë nuk lejuan as për te, as për regjisore të tjerë, të përmbushnin një ëndërr të tillë.

Edhe pas pensionimit, Nuhi Matoshi guxonte të mendonte për projekte të mëdha, njësoj siç kishte patur guximin të lundronte ujërat e rrëpijshëm përgjatë gjithë karrierës së tij profesionale. Të ndjerin e gjejmë në realizimin e një sërë filmash të metrazhit të shkurtër si dhe se fundmi në cilësinë e aktorit në filmin  “Kësulat” me skenar të Jimi Tihovsit e regji të britanikut Alan Trow.

Me punën që bëri gjatë gjithë krijimtarisë jetësore, i ndjeri, la gjurmë te pashlyera si një nga emrat që kontribuoi substancialisht në ngritjen e cilësisë së performancës së Teatrit të qytetit të Gjilanit, punë e cila trajtohet si gurë e tulla në ndërtimin e këtij institucioni, ku sot gjithkush që vjen, sheh dhe dëshiron të dijë më shumë për qytetin  e mëson në teatër. /2LONLINE/