Nuhi Berisha, veprimtaria kombëtare, krijimtaria dhe rruga drejt luftës çlirimtare
Shkruan: Izmi Zeka
Me rastin e 65-vjetorit të lindjes së Heroit Nuhi Berisha
Nuhi Berisha, veprimtaria kombëtare, krijimtaria dhe rruga drejt luftës çlirimtare
Nuhi Berisha, ndonëse në moshë të re, u angazhua në veprimtarinë kombëtare shqiptare në Kosovë dhe në përpjekjet për organizimin e rezistencës kundër pushtetit jugosllav. Ai ishte pjesëmarrës në zhvillimet e vitit 1981, veprimtar i organizimit ilegal dhe autor i shkrimeve me karakter politik, historik e organizativ.
Veprimtaria e tij përbën një lidhje ndërmjet përvojës së demonstratave të vitit 1981, veprimtarisë së organizuar ilegale dhe përpjekjeve të mëvonshme për krijimin e parakushteve të luftës çlirimtare.
Në vlerësimin e figurës së Nuhi Berishës, krahas veprimtarisë së tij atdhetare, rëndësi të veçantë ka edhe krijimtaria e shkruar. Ai botoi veprën “Pranvera e Luleve të Kuqe” dhe përgatiti broshurën “Mendime mbi organizimin”.
Këto dy vepra paraqesin dy aspekte të veprimtarisë së tij: dëshminë dhe reflektimin mbi zhvillimet politike të fillimit të viteve ’80, si dhe mendimin e tij për organizimin e veprimtarisë ilegale. Krijimtaria dhe dëshmitë për demonstratat e vitit 1981 “Pranvera e Luleve të Kuqe” është një dëshmi e rëndësishme për demonstratat e vitit 1981, të parë nga këndvështrimi i një pjesëmarrësi dhe veprimtari që i përjetoi drejtpërdrejt ato zhvillime.
Nuhi Berisha i përshkruan ngjarjet që nga demonstrata e 11 marsit, duke vijuar me zhvillimet e 26 marsit, 1 dhe 2 prillit dhe me pasojat e tyre. Në vepër trajtohen atmosfera në konvikte, përfshirja e studentëve dhe shtresave të tjera të shoqërisë, reagimi i pushtetit, arrestimet, dhuna dhe shtrirja e demonstratave në pjesë të ndryshme të Kosovës.
Në shkrimin “Dimra të vështirë”, Nuhi Berisha përshkruan fillimin e demonstratës së 11 marsit në mensën e studentëve. Sipas rrëfimit të tij, pakënaqësia për kushtet e ushqimit u shndërrua në protestë dhe më pas në marshim drejt qytetit. Studentëve iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë, ndërsa kërkesat fillestare për kushte më të mira të jetesës u shndërruan gradualisht në kërkesa politike.
Në përshkrimin e tij dallohen ndryshimet që ndodhën brenda një kohe të shkurtër, nga pakënaqësia sociale drejt artikulimit të kërkesave politike. Berisha përshkruan edhe qëndrimet e ndryshme brenda Universitetit të Prishtinës. Ai vëren se një pjesë e profesorëve i përkrahnin studentët, ndërsa kishte edhe të tjerë që e kundërshtonin veprimtarinë e tyre dhe mbanin qëndrime në përputhje me politikën zyrtare. Kjo pasqyronte ndarjet që krijuan demonstratat në shoqërinë kosovare dhe përplasjen ndërmjet kërkesave të studentëve dhe strukturave të pushtetit.
Në vijim të veprës, Nuhiu përshkruan zgjerimin e demonstratave, sidomos më 26 mars. Ai sjell hollësi mbi grumbullimin e njerëzve, komunikimin ndërmjet demonstruesve, këngët dhe parullat, rrethimin nga policia dhe përdorimin e njësive speciale.
Në këtë periudhë kërkesat politike bëhen gjithnjë e më të qarta. Ndër parullat e përmendura prej tij ishin “Duam shokët”, “Duam kushte”, “Duam liri”, “Unitet”, “Trepça është jona”, “Poshtë tradhtarët” dhe, më pas, “Kosova Republikë”. Në veprën e tij zë vend edhe komunikimi i demonstruesve me përfaqësues të pushtetit të atëhershëm.
Nuhi Berisha përshkruan paraqitjen e Azem Vllasit para studentëve dhe përpjekjet për t’i bindur ata që të tërhiqeshin nga kërkesat e tyre. Përshkrimi i këtij takimi paraqitet nga këndvështrimi i autorit dhe pasqyron atmosferën e tensionuar të asaj kohe. Pas shpërndarjes së demonstruesve, Berisha përshkruan dhunën dhe arrestimet, veçanërisht në konvikte. Sipas dëshmisë së tij, ndërhyrja e forcave të sigurisë u shoqërua me përdorimin e gazit lotsjellës, thyerjen e dyerve, rrahje dhe arrestime.
Këto ngjarje, në kujtesën e autorit, përbëjnë një nga momentet më të rënda të demonstratave të vitit 1981. Në pjesët që lidhen me 26 marsin, Nuhi Berisha e përshkruan dhunën e ushtruar ndaj demonstruesve dhe e interpreton atë si shprehje të karakterit represiv të pushtetit jugosllav. Gjuha e përdorur në këto pjesë është e ngarkuar politikisht dhe pasqyron qëndrimin e autorit si pjesëmarrës në lëvizjen kombëtare. Për këtë arsye, vepra duhet lexuar njëkohësisht si dëshmi personale dhe si dokument i mendimit politik të autorit.
Ngjarjet e 1 dhe 2 prillit zënë një vend tjetër të rëndësishëm në libër. Nuhiu përshkruan masivitetin e demonstratave, përfshirjen e familjeve dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë, si dhe përballjen me forcat policore serbe.
Në shkrimin “Prilli i kuq”, ai trajton edhe fjalimet e mbajtura para demonstruesve dhe qartësimin e kërkesave politike. Në këtë kontekst përmendet edhe figura e “punëtorit”, me të cilën identifikohej Hydajet Hyseni, dhe fjalimet që përcollën kërkesën për Republikën e Kosovës, lirimin e të burgosurve dhe kundërshtimin e strukturave që konsideroheshin kundërshtare të lëvizjes. Berisha përshkruan edhe solidaritetin e familjeve me demonstruesit. Të plagosurit dhe të lënduarit strehoheshin nëpër shtëpi, ndërsa familjet përpiqeshin t’u siguronin kujdesin e nevojshëm. Në këtë mënyrë, demonstratat nuk paraqiten vetëm si një lëvizje studentore, por si një proces që përfshiu pjesë të gjera të shoqërisë kosovare.
Në pjesët e mëvonshme të veprës trajtohen pasojat e demonstratave: shpallja e orës policore, burgosjet, mbyllja e shkollave dhe Universitetit të Kosovës, dënimet e demonstruesve dhe përndjekja e veprimtarëve. Berisha ndalet edhe te demonstratat e shqiptarëve në mërgim dhe te jehona që morën zhvillimet e Kosovës jashtë vendit.
Në fund të veprës, ai i rikthehet edhe vrasjes së Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Gjermani. Ngjarjen e trajton si një goditje të rëndë për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe e lidh me vazhdimësinë e veprimtarisë së brezit të ri. Kjo pjesë dëshmon se për Nuhi Berishën ngjarjet e vitit 1981 dhe zhvillimet e mëvonshme përbënin pjesë të një procesi të pandarë politik.
Rëndësia e “Pranverës së Luleve të Kuqe” qëndron edhe në mënyrën se si autori e lidh përvojën personale me përshkrimin e një periudhe historike. Ai ishte pjesëmarrës në ngjarjet që trajton, por njëkohësisht përpiqej t’i fiksonte ato me shkrim. Për këtë arsye, vepra përbën një burim të dorës së parë për njohjen e përjetimeve dhe të atmosferës politike të asaj kohe, duke kërkuar, sikurse çdo dëshmi personale, të vlerësohet në raport me burime të tjera historike.
Një dimension tjetër i figurës së Nuhi Berishës del në kujtimet e bashkëveprimtarëve. Enver Topalli, i cili kishte bashkëpunuar me të, e përshkruan si veprimtar të gatshëm për sakrificë dhe thekson vendosmërinë e tij në veprimtarinë kombëtare. Kujtimi i Topallit përfshin edhe episode nga puna ilegale, shpërndarja e materialeve dhe mënyra e komunikimit në rrethana kur zbulimi mund të sillte arrestimin dhe burgosjen.
Në kujtimet e Ahmet Isufit paraqitet edhe reagimi i Nuhiut pas vrasjes së tre veprimtarëve shqiptarë në Gjermani. Sipas Isufit, Nuhiu e konsideroi ngjarjen një goditje të rëndë, por kërkoi që veprimtaria e tyre të vazhdonte. Ky qëndrim lidhet me konceptimin e tij për vazhdimësinë e organizimit dhe me bindjen se humbjet nuk duhej ta ndërprisnin veprimtarinë kombëtare.
Krijimtaria e Nuhi Berishës nuk kufizohet vetëm në përshkrimin e ngjarjeve. Ajo shfaq edhe interesimin e tij për historinë, organizimin dhe përvojat e popujve që kishin kaluar nëpër procese çlirimtare. Leximi dhe formimi intelektual ishin pjesë e përgatitjes së tij, ndërsa shkrimet e tij dëshmojnë për përpjekjen për ta lidhur përvojën politike me mendimin teorik dhe praktik.
Veprimtaria organizative dhe bashkëpunimi me Rexhep Malën
Një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së Nuhi Berishës ishte organizimi i veprimtarisë ilegale. Në këtë kuadër, krahas veprës “Pranvera e Luleve të Kuqe”, ai përgatiti broshurën “Mendime mbi organizimin”.
Në të trajtohen çështje që lidhen me strukturimin e veprimtarisë, takimet, komunikimin, ruajtjen e literaturës, konspiracionin dhe disiplinën e veprimtarëve.
Broshura paraqitet në formë të përmbledhur, me mendime dhe udhëzime mbi organizimin. Ajo pasqyron mënyrën se si Nuhi Berisha e konceptonte funksionimin e një veprimtarie ilegale dhe nevojën për përgatitje të veprimtarëve.
Në të trajtohen edhe çështje që lidhen me përgatitjen fizike dhe ushtarake. Këto ide tregojnë se në mendimin e tij, veprimtaria politike dhe përgatitja për një përballje të armatosur shiheshin si pjesë të një procesi të lidhur.
Në një nga pasazhet e broshurës ai trajton nevojën që në organizim të përfshiheshin njerëz nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Në pjesë të tjera thekson rëndësinë e përgatitjes dhe të sigurimit të mjeteve të nevojshme për veprimtarinë. Këto qëndrime duhen parë në kontekstin e mendimit politik të një pjese të veprimtarëve ilegalë shqiptarë të fillimit të viteve ’80, të cilët synonin kalimin nga veprimtaria e grupeve të vogla drejt një organizimi më të gjerë.
Pas burgosjes së një numri të madh bashkëveprimtarësh, ndër ta Ahmet Isufi, Zija Shemsiu, Enver Topalli dhe Sami Kurteshi, Nuhi Berisha vazhdoi veprimtarinë. Humbja e bashkëveprimtarëve nuk e ndërpreu angazhimin e tij, por ndikoi në mënyrën se si ai e konceptonte nevojën për riorganizim dhe vazhdimësi.
Një zhvillim i rëndësishëm ishte lirimi i Rexhep Malës nga burgu në vitin 1983. Takimi i tij me Nuhi Berishën në Gërmi, i mundësuar nga Teuta Hadri, shënoi fillimin e një bashkëpunimi të ngushtë. Të dy i bashkonte përvoja e veprimtarisë ilegale, përndjekja politike dhe synimi për vazhdimin e organizimit kombëtar. Ky bashkëpunim do të bëhej një nga momentet më të rëndësishme të periudhës së fundit të jetës së Nuhi Berishës.
Pas këtij takimi, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala u angazhuan në riorganizimin e veprimtarisë ilegale dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet veprimtarëve. Në këtë periudhë Nuhi Berisha lidhet me veprimtarinë e LRSHJ-së, ndërsa bashkëpunimi me Rexhep Malën u shndërrua në një nga boshtet e organizimit të atëhershëm. Veprimtaria e tyre u zhvillua në kushte të ndjekjes së vazhdueshme nga organet e sigurimit jugosllav.
Më 10 janar 1984, forcat e policisë dhe të ushtrisë jugosllave i rrethuan në një lagje të Prishtinës. Përleshja vazhdoi gjatë natës dhe në orët e para të 11 janarit. Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala nuk pranuan të dorëzoheshin dhe ranë gjatë përballjes me forcat Serbe.
Rënia e tyre më 10–11 janar 1984 shënoi fundin e veprimtarisë së dy prej figurave të njohura të organizimit ilegal të asaj periudhe. Në komunikatat e mëvonshme të LRSHJ-së, ata u përkujtuan si veprimtarë dhe udhëheqës të rëndësishëm të lëvizjes.
Në kujtesën politike dhe shoqërore të Kosovës, emrat e tyre u lidhën me periudhën e veprimtarisë ilegale që parapriu zhvillimet e mëvonshme të luftës për liri.
Figura e Nuhi Berishës përbën një ndërthurje të veprimtarisë politike, organizative dhe krijimtarisë së shkruar. “Pranvera e Luleve të Kuqe” ruan dëshmi mbi demonstratat e vitit 1981 dhe përjetimin e tyre nga një pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, ndërsa “Mendime mbi organizimin” pasqyron konceptimin e tij për organizimin e veprimtarisë ilegale dhe përgatitjen e saj për një fazë më të avancuar të rezistencës.
Përmes këtyre dy veprave dhe veprimtarisë së tij, Nuhi Berisha përfaqëson një brez veprimtarësh që e lidhën përvojën e demonstratave të vitit 1981 me riorganizimin e mëtejshëm të rezistencës kombëtare.
Bashkëpunimi me Rexhep Malën dhe rënia e tyre në natën e 10–11 janarit 1984 e vendosën këtë dyshe në një nga momentet e rëndësishme të historisë së veprimtarisë ilegale shqiptare në Kosovë.
Krijimtaria dhe dokumentet e lëna prej Nuhi Berishës mbeten burime për studimin e mendimit politik dhe të formave të organizimit të kësaj periudhe. /2LONLINE/
