NPL “Tregu”, pjesë e edukimit të brezave dhe e promovimit të vlerave tona!
“Sot, në Ndermarrjen Publike Lokale Tregu (NPL) “Tregu”, patëm kënaqësinë të mirëpresim nxënësit e SHFMU “Thimi Mitko”, të cilët, të shoqëruar nga mësueset e tyre, vizituan ambientet e Tregut tonë. Gjatë kësaj vizite, nxënësit u njohën nga afër me hapësirat e Tregut dhe mësuan më shumë rreth veprimtarisë tregtare, shumëllojshmërisë së produkteve dhe asortimentit të pasur që ofrohet çdo ditë”, thuhet në njoftimin e kësaj ndërmarrjeje publike.
Vizita vazhdoi në hapësirën ku ekspozohen dhe shiten veshjet kombëtare dhe suveniret e ndryshme, ku, përmes simboleve, veshjeve dhe elementeve të trashëgimisë sonë kulturore, nxënësit patën mundësinë të mësojnë më shumë për historinë dhe traditat e kombit tonë.
Natyrisht, nuk munguan as fotografitë, buzëqeshjet dhe momentet e bukura të argëtimit.
“Për NPL “Tregu”, dyert e hapura për nxënësit dhe gjeneratat e reja janë një mundësi e mirë për të kontribuar në edukimin e tyre, në njohjen e jetës ekonomike dhe në ruajtjen e vlerave tona kombëtare e kulturore”, thuhet në fund të njoftimit. /2LONLINE/
