Njëzëri për transferimin e të burgosurve në Kosovë. Marrëveshja për transferimin e personave të dënuar vlen në të njëjtën masë sikur për kosovarët në Zvicër ashtu dhe për zviceranët në Kosovë
Shtetasit e Kosovës që kane kryer vepra penale në Zvicër, në të ardhmen do të mund të vazhdojnë vuajtjen e dënimit në Kosovë. Siç qe paralajmëruar edhe më parë, Dhoma e Kantoneve e Parlamentit të Zvicrës, në mbledhjen e tij që ka përfunduar në orët e vona të mbrëmjes, ka votuar të hënën për këtë çështje. Ashtu sikurse kishte vepruar edhe Dhoma Nacionale në mbledhjen e saj në muajin shtator, edhe Dhoma e Kantoneve, si dhomë e dytë, ka qenë unike duke votuar njëzëri marrëveshjen e arritur në mes të Zvicrës dhe Kosovës që rregullon këtë problematikë.
Marrëveshja për transferimin e personave të dënuar vlen në të njëjtën masë sikur për kosovarët në Zvicër ashtu dhe për zviceranët në Kosovë. Ajo mbështetet në një marrëveshje të përbashkët të lidhur nga Këshilli i Evropës me shtetet përkatëse. Por, pasi që Kosova ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet e BE-së si shtet i pavarur, për të ka qenë e domosdoshme një marrëveshje e mëvetësishme.
Parimisht, delinkuentët e dënuar duhet të japin pajtimin e tyre për tu transferuar në ndonjë burg në vendin e prejardhjes. Por ka edhe situata në të cilat ata mund të transferohen atje edhe kundër vullnetit të tyre. Kjo e dyta vlen sidomos për ata të cilët, pas vuajtjes se dënimit, edhe ashtu duhet të dëbohen. Ndërkohë, mbetet e hapur çështja e procedurës së ankesës së atyre që transferohen kundër dëshirës së tyre. Për transferimin e të burgosurve duhet të japin pëlqimin të dy shtetet., shkruan news.ch
Ajo që Qeveria Federale synon të arrijë me këtë marrëveshje është mundësimi i riintegrimit të të dënuarve në vendin e prejardhjes dhe kursimi i shpenzimeve për mbajtjen në burg të të huajve, që është barrë e kantoneve. Sipas marrëveshjes, përgjegjës për sigurimin e strehimit të tyre do të jetë shteti pritës, në këtë rast, Kosova., transmeton albinfo
Në miratimin e marrëveshjes që është bërë në shtator nga Dhoma Nacionale, janë ngritur disa shqetësime sa u përket rasteve të pakicave rome ose personave me pasaporta serbe. Por, ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga i kishte siguruar deputetët se secili rast do të trajtohej në mënyrë të veçantë.