DYLON

Njeriu që s’iu shmang vrasjes së paralajmëruar!

Njeriu që s’iu shmang vrasjes së paralajmëruar!
Avatar photo Redaksia

Njeriu që s’iu shmang vrasjes së paralajmëruar!

( Shkrim i publikuar në gazeta e portale, në 5 VJETORIN e vrasjes tinzare të Udhëheqësit të Qendrës për Informim të Kosovës, Enver Malokut )

EkoHigjiena

Njëmbëdhjetë Kallnori i vitit 1999 nuk shënon thjeshtë vetëm një vrasje tashmë të përditshme, në përditshmërinë e luftës në Kosovë që po merrte përmasa dramatike. As dhe humbjen e një njeriu të rëndomtë siç ishin bërë rëndomësi humbjet e njerëzve prej plumbave dhe luftës që kërcënonte një popull të tërë dhe të pambrojtur, sidomos në prag të hyrjes në shekullin XXI, që ishte pagëzuar si Shekulli i Lirisë për Kosovën.

Njëmbëdhjetë Kallnori shënon edhe një herë dhe pikëllon, si shumë herë në historinë tonë, atdhetarët, me një fjalë shqiptarët e përkushtuar që gjakonin lirinë me çdo çmim.

Në këtë muaj vrastar, si më vrastarët apo më të mallkuarit për shqiptarët dhe veprimtarët e kauzës për çlirim e bashkim të trojeve të ndara, u godit rëndë dhe pabesisht Kosova, njerëzit e saj, si brenda dhe jashtë vendit, me mbetjen apo shuarjen e dhunshme të jetës së Enver Malokut, nga plumba kriminelësh dhe veprime të qarta antishqiptare. U godit rëndë jo vetëm familja Maloku, po edhe Qendra për Informim e Kosovës, udhëheqës i të cilës ai ishte për vite të tëra, edhe vetë Presidenca e pambrojtur e Kosovës, ku Enveri ishte dhe njihej ndër bashkëpunëtorët më të afërt dhe më besnikë të dr.Rugovës, gjithashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku Enver Maloku ishte ndër themeluesit e saj dhe njëri nga vepruesit më të devotshëm të saj. Mbi të gjitha dhe më së shumti u godit lëvizja për liri dhe pavarësi të Kosovës, ku ai, fund e krye, ish zëdhënësi më i përkushtuar i saj, ish vepruesi më i palodhur dhe i pandalshëm i saj dhe gazetaria shqiptare, ajo gazetari e guximit të paimagjinueshëm për kohën e rrethanat, që më së shumti i duhej dhe kish nevojë Kosova. U godit njeriu që mendonte shqip, vepronte shqip, që gjërat i thoshte troç e shqip, njeriu që fillim e mbarim ndenji vertikal në rrugën drejt lirisë. Kjo goditje nuk ishte dhe nuk është as sot e lehtë, kur shihet, vërehet e shenjohet mungesa e Tij apo e një Njeriu përmasash si Ai.

Duke e njohur nga afër dhe duke qenë njëri nga bashkëpunëtorët e shumtë të tij, s’kam se si ta fsheh dhembjen as në Kallnorin e këtij viti (2004), po as admirimin e madh që kisha dhe kam për të, për fuqinë dhe veprimin e tij të parreshtur në drejtim të arritjes së lirisë, për guximin krijues në fushën e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, për reagimin me kohë dhe me vend për të gjitha zhvillimet në skenën vepruese e politike shqiptare, për shqiptimin troç të së vërtetës së hidhur e të rëndë për të gjitha zhvillimet e mbrapshta të skenës politike shqiptare dhe të asaj ndërkombëtare, mbi të gjitha, admirimin për demaskimin, luftimin dhe goditjen e politikës shfarosëse të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe kushtrimin e vazhdueshëm e kurrë të heshtur në gjakim të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Kur e them këtë, kam një mal argumentesh e, mbi të gjitha, shkrimet e tij të përmbledhura, post- thum, në librin me titull sa simbolik e domethënës por edhe emblematik sa i përket karakterit dhe veprimtarisë së Enver Malokut, “Gjuha e stuhisë”.

Këto shkrime do duhej lexuar çdo herë, pa e harruar asnjë herë datën kur janë shkruar e thënë dhe ishin shpërndarë botës në të gjitha anët, sepse në atë kohë ( vitet nëntëdhjeta të shekullit të shkuar ) ishte Qendra për Informim e Kosovës, ajo që bënte një propogandë të drejtë dhe të vërtetë për Kosovën dhe për përpjekjet e saj në luftën për liri e pavarësi, pa e shmangur as shtypin e përditshëm apo revial që shtypej e dilte në Kosovë dhe rreth saj.

Mirëpo, Qendra për Inforimim e Kosovës, falë punës përkushtuese të Enver Malokut dhe ekipit që udhëhiqej prej tij, i cili s’ ndihmohej sa e kish hakun prej institucioneve të kohës, kishte depërtuar në kancelaritë e Perëndimit dhe të SHBA-ve dhe gjithkund, në qendrat e vendosjes për Kosovën.

Ky depërtim i furishëm dhe dokumentues i QIK-ut, i cili, pa dilemë, identifikohej me emrin e Enver Malokut, kishte trembur po edhe nxitur makinerinë pushtuese serbe për të bërë ç’është e mundur për mbylljen si dhe shuarjen e saj.

Përpjekja e parë dhe e dështuar për vrasjen e Enver Malokut (korrik 1998) nuk arriti të ndalte veprimin e tij atdhetar dhe ta shmangte atë nga rruga e nisur drejt gjakimit të lirisë, po as nuk i mobilizoi në masën e duhur institucionet e kohës për t’i mbrojtur njerëzit e angazhuar dhe të shenjuar për likuidim, shkaku i veprimtarisë atdhetare, sepse, si njerëzit ashtu edhe institucionet që udhëhiqeshin prej tyre ishin të shenjuara nga pushtuesi shekullor (Serbia) dhe, natyrisht, të pambrojtura.

E vetmja mbrojtje, nëse mund të thuhet mbrojtje po që s’garantonte jetë, ishte veprimi publik dhe e vërteta.

Enver Maloku , i cili nuk ishte halë vetëm në sytë e Serbisë, po edhe halë në sytë e atyre që nuk u pëlqente veprimi institucional dhe i legjitimuar nga vota e qytetarit apo që nuk mund ta bartnin dhe shpienin më tutje obligimin e marrë nga isntitucionet e Kosovës (sepse ai këto veprime jo pak i kishte në thumb të gjuhës dhe kritikës) ishte rasti më i mirë për veprimet kriminale serbe që, me një të goditur t’ i arrinin dy qëllime:

– ta qëllonin m’u në kokë informimin dhe propogandën e shqiptarëve për liri e pavarësi, dhe

– përmes një vrasjeje në pikë dite dhe para banesës së tij, përmes një skenari tejet enigmatik dhe të pazbuluar deri më sot, të thellonin hendekun e dyshimeve dhe ndarjeve mes vetë shqiptarëve, me synim të dobësimit të luftës së drejtë për çlirim nga robëria shekullore serbe.

Pavarësisht çfarë gjeneze mund të kishte dora përmes së cilës u shti në Enver Malokun, më 11 Kallnor 1999, skenari dhe realizimi i vrasjes u bë në adresë të shërbimeve sekrete serbe. E, dihet mirëfilli se, ato tek shqiptarët, të shumtën e herave kanë qëlluar përmes dorës së vetë shqipfolësve.

Duke i lexuar e përcjellur edhe në kohën kur u shkruan dhe komentuan ngjarjet e çdo dite nga Enver Maloku në “Informatorin” e QIK-ut apo në Gazetën e Mbrëmjes, siç e quanim me të drejtë, po edhe sot, pas pesë vjetësh, as lëvizja politike e shqiptarëve për liri e pavarësi, përfshirë edhe institucionet e kohës po edhe vetë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pas së cilës ishte nga dalja publike e saj (dhe kjo mund të vërehet edhe në librin “Gjuha e stuhisë”) nuk kishte pse të hiqte dorë apo ta humbte një njeri çfarë realisht ishte Enver Maloku.

Megjithatë, “njeriu” enigmatik dhe shumë sinjifikativ, me “kapelë të Leninit”, mund të ishte pjesë e skenarit përçarës mes vetë shqiptarëve, të cilët edhe sot, pas pesë vjetësh, e ke vështirë t’i bindësh se kjo vrasje, si edhe disa të tjera para saj që e prekën po ashtu kokën e lëvizjes për liri e pavarësi ( kolonel Ahmet Krasniqin, Azem Hajdarin, tentim vrasjen e dr. Sabri Hamitit, përfshirë këtu, pa dyshim edhe vijën e parë të luftës në Llap, Hyzri Tallën, Ilir Durmishin dhe Afrim Maliqin), nuk ishin pjesë e hakmarrjeve për të thënat troç dhe për demaskimin e prapaskenave dhe veprimeve të mbrapshta brendashqiptare.

Vërtitja e “njeriut” me kapelë të Leninit edhe në Kosovën e pasluftës vazhdon t’i ntrashë dyshimet, sidomos tek ata që mendojnë se Serbia është shkulur nga këtu përfundimisht.

Po të lexohet me kujdes ajo që na la Enver Maloku, e kemi më lehtë t’ i kapërcejmë dyshimet brenda nesh, po edhe t’i përballojmë sfidat që na presin, pavarësisht se dikush, mjerisht edhe ndër shqiptarë, i është gëzuar dhe ka ngritur dolli për vrasjen e tij.

Mos të harrojmë, Enver Maloku ishte i pari që në një shkrim të tij me titull “Viti i luftës 1998 dhe Viti i lirisë 1999”, e tha edhe këtë: “Nga viti i luftës 1998, të shpresojmë se po kalojmë në vitin e lirisë 1999. Të gjallët le të jenë të lumtur se janë gjallë, pavarësisht prej dhimbjes, pikëllimit e trishtimit që na është ulur në sofrat, shtëpitë, vendmbanimet dhe vendin tonë. Le të gëzojnë dhe festojnë të gjallët që i pret një vit i vështirë, vit i luftës dhe i lirisë. Në këtë kuptim : Gëzuar Vitin e Ri 1999, vitin e lirisë!”

Si profet i njëmentë, Enver Maloku ishte dhe mbeti i pari që parashikoi qartë e drejtë dhe na e uroi Vitin e Lirisë, anipse pak, shumë pak ditë pas këtij urimi do t’ ia mbyllnin sytë brutalisht e pabesisht, por jo edhe kujtimin për të, jo edhe veprës që na la.

Jo njëherë, por shpeshherë, e kemi biseduar çështjen e likuidimeve tinzare që i ka bërë UDB-a serbe përmes shqiptarëve në Kosovë, e edhe përpjekjet dhe veprimet e kësaj UDB-je pas vitit 1990.

Enver Maloku, si një e një që bëjnë dy, e ka ditur se do të përfundojë me një likuidim. Por, as është trembur, as është ndalur, as është shmangur deri në frymën e fundit. Andaj, nëse dikujt mund t’i takojë epiteti i një heroi për veprim publik, po edhe për guxim publik, pa mëdyshje, i pari është Enver Maloku.

Së paku, pas vrasjes së tij nuk kemi më çka ta xhelozojmë veprën e tij në shërbim të atdheut. Duhet vetëm ta admirojmë dhe, pse jo, edhe të shërbehemi e të veprojmë me shembullin e tij.

Në takimin e parë njohës me Enver Malokun, diku në vitet ’80-ta, shekulli i shkuar, kishim biseduar gjatë për Markezin dhe veprën e tij “Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar”. Tash, pas sa vitesh të ikura, bindem se Enver Maloku as në atë kohë e as më vonë, ai nuk iu shmang paralajmërimit të vrasjes, sepse kishte një paralajmërim dhe synim më të madh: Lirinë e Kosovës.

( 11 janar 2004 )

Sabit RRUSTEMI

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.