DYLON

Njeriu që ligjëronte qetësinë – Nuhi REXHEPI (1942-2026)

Njeriu që ligjëronte qetësinë – Nuhi REXHEPI (1942-2026)
Avatar photo Redaksia

Njeriu që ligjëronte qetësinë – Nuhi REXHEPI (1942-2026)

Shkruan: Mehmetali Rexhepi

EkoHigjiena

Shkuarja e shpirtit të profesorit tim Nuhi Rexhepi në botën e pakthyeshme të amshimit, nuk më lë indiferent! Tash pas këtij kumti për vdekjen e Profesor Nuhiut, nuk qetësohem dot pa i hedh pak radhë, që i kam shqiptuar diku gojarisht në kujtime ndejash, por nuk i kam shkruar…

Prania edukative mësimore e profesorit tashmë të ndjerë, më ka përcjellë në dy rrethana të moshës sime: si nxënës i profesorit në gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit dhe, si studentë në Filologjikun e Universitetit të Prishtinës. Më ka përcjellë i njëjti karakter, e njëjta qetësi, e njëjta buzëqeshje, i njëjti durim pa asnjë shfaqje nervozizmi, e njëjta kulturë e ligjërimit të Tij, ndonëse në Fakultet dukshëm më e zgjeruar e emrit të përveçëm Nuhi Rexhepi.

I pastër, i prajshëm në pyetje-përgjigje, i durueshëm në pritjet e Tija për vonesën time të dorëzimit të provimit me shkrim, madje në minutat kalimtar të kohë-zgjatjes së paraparë të provimit. Mirëpo, Profesori Nuhi ishte aty me modelin e durimit në pritje.

Profesori Nuhi Rexhepi kishte një diell rrezatues, të atillë çfarë i duhej për të na mbajtur të pashkëputshëm nga goja e tij, prej nga i rridhnin fjalët e ligjëratës përkatëse. As bërtima, as shtrëngatë kundruall zhurmës bezdisëse të morisë së nxënësve, përkatësisht të studentëve në nivelin akademik nga grimasat e fytyrës dhe shqiptimit të fjalëve të Tija prej urtaku. Të tillët si Profesor Nuhiu i duheshin arsimit tonë kombëtar në të gjitha shkallët e ngjitjes së dijes dhe të vlerave qytetëruese…

Te profesor Nuhiu nuk hasa folklorizma të kurrfarë ngjyrimesh. Ndonjëherë kur nuk fliste zëshëm i fliste heshtja, i fliste qetësia…

Nuhi Rexhepin si bashkëqytetarë tonin e kishim vlerë dhe, tash do ta kemi faqe kapitulli të Librit të Madh të Kujtesës. Duke shpaluar këtë Libër të Kujtesës, te të dashurit e Tij dhe mes nesh, zgjohen dhimbja, krenaria, loti dhe gjakimi për modelin njerëzor e miqësor që ndërtoi në mesin tonë Profesor Doktor Nuhi Rexhepi!

Pushoftë i qetë në paqen e pasosur! /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.