DYLON

Njeriu, gjuha helmuese dhe injoranca!

Avatar photo Redaksia

Nexhat Buzuku

EkoHigjiena

/2L ONLINE/ Injoranca kutërbon, urrejtja dhe inati kundër gjithçkaje, deri në përmasat e një urrejtjeje patologjike, duke kërcitur dhëmbët dhe gjuhën e egër, të pistë, e në natën e errët duke urryer edhe vetveten për budallëqet e ditës. Gjuha me helm deri në vrer e njeriut pa fuqi, pa atë fuqinë e vërtet njerëzore, që atij i jep karakter dhe njerëzi, e kanë kthyer këtë profil njerëzish në hiena që edhe tokës i bëjnë rëndë…Ky lloj njeriu është i pushtuar nga mendja e errët, ku asnjë shkëndijë nuk e ndriçon trurin e tij, ky lloj njeriu është vetëm një trup fizik sikur një bishë e ngordhur që nuk i shërben askujt përveç një tufe mizash…

*
Kush është njeriu? A është njeriu i lirë? Cili është morali i njeriut? Në ç’raport është njeriu me njeriun, lidhja njeri-njeri? A është jeta e njeriut një praxis që lufton për mbijetesë? Njeriu i atakuar nga forcat abstrakte të fuqisë apo njeriut tjetër të pushtetshëm, që kontrollon, mbikëqyr, përgjon dhe arsyeton gjithë veprimet irracionale dhe imorale në emër të lirisë?! A është liria një nocion abstrakt? Cili është kufiri midis jetës dhe vdekjes? A është zhdukur një kufi i tillë? Cilat janë situatat kufitare në të cilët ekzistenca e njeriut është vënë në pikëpyetje? Zjarri atomik, sëmundjet, përmbytjet, ndryshimet dramatike klimatike, tjetërsimi i njeriut nga çdo gjë që e rrethon dhe nga vet njeriu – janë kërcënimet për njeriun sot dhe nesër.

Thelbi i moralit tonë nuk është shpëtimi i njeriut, që ndryshon në kohë dhe hapësirë, por shpëtimi i Zotit, i cili midis rrjedhave të formave dhe aventurave njerëzore të çdo lloji, është gjithnjë po ai, ritmi i pamposhtëm që lufton për liri.

*
Të mjeruar, burracakë, zemërngushtë, një hiçgjë jemi ne, gjallesat njerëzore. Por, brenda nesh, diçka thelbësore më e lartë se ne, na shtyn pamëshirshmërisht drejt lartësisë.

Krenaria, krekosja, vetëlavdata, kush jam unë e kush është tjetri, unë i parë, ai i dytë, i tretë, kurrkund hiç, unë i pasur ai i varfër… – ja për çfarë bën monolog, ndonjëherë edhe dialog, njeriu i sotëm, i humbur në karakterin sadomazohist, që është një hiçgjë në këtë botë të kalbur, ku lënda e tij, mishi e gjaku, mendja, gjithnjë janë të parëndësishëm, pra një lëndë e papërdorshme dhe pa kuptim, në një botë ku gjithçka kontrollohet nga ajo fuqia abstrakte – njeriu teknologjik dhe atomik!

Sa i varfër është njeriu në mendjen e tij! Sa i pafuqishëm është ai! Sa i dëmshëm për tokën me veprat e tij mizore! Po sikur të mos e kishte frikën nga terri i vdekjes… /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.