DYLON

Njerëzit kuptohen duke biseduar e qëniet tjera duke i marrë erë njëra tjetrës!

Avatar photo Redaksia

Mustafa BAJRAMI

Rëndësia e dialogut mes nesh, ose, si të tejkalohet situara në të cilën gjendemi !

EkoHigjiena

Rreshtat në vijim, edhe nëse të lexuara pjesërisht nga lexuesit e shkrimeve tona, për shkak të gjendjes së tanishme të shoqërisë sonë e cila po humb aftësinë e të biseduarit të bereqetshëm, pretendojnë të japin edhe më tutje një kontribut modest për të kuptuar rëndësinë e ndryshimit të kësaj gjendje. Ndoshta sikur gjithmonë, por edhe më shumë se aq, shqiptarët kanë nevojë të kuptojnë më mirë njëri tjetrin. Nevoja për tu kuptuar sot është sikur nevoja për të mbijetuar dje, kur ishim vu në tehun e shpatës së mbijetesës. Të dëgjojmë, të bisedojmë dhe ta kutojmë njëri-tjetrin, apo të detyrohemi ti dëgjojmë të tjerët, kjo është e tërë qështja!

Grekët e vjetër besonin se e vërteta zbulohet nëpërmes bisedimit (dialogos). Urtësia, thoshin ata, arrihet me komunikimin e ndërsjellë. Dialogu ushqen shpirtin e të rriturit sikur loja me lodra shpirtin e fëmijës. Nga grekët bota mësoi dialogun ndërsa romakët asaj i dhuruan aftësinë e të folurit. Të parët, në histori hynë me urtësi (fryti i bisedimeve) të dytët u njohën me “të drejtën” (fuqia e retorikës).

Sokrati tërë jetën e tij e kaloi duke biseduar. Sipas tij, edhe të menduarit është një lloj dialogu me vetveten. Dialogu është hominem quero, thoshte ai. Të jesh njeri, donë të thotë të bisedosh me tjetrin. Njeriu nuk është qenie që vetëm flet por qenie që bisedon. Andaj, ka dallime substanciale mes të folurit dhe të biseduarit. Të flasësh ka kuptimin e të qenit vetëm ti ndërsa kur bisedon me dikë, e pranon atë të barabartë me ty dhe afër teje. Njerëzit sot nuk janë gjithaq të vetëdijshëm për rëndësinë e krijimit të urave mes tyre, duke biseduar. Ata po flasin shumë por shumë pak bisedojnë. Njeriu që flet tepër nuk ka shumë për të dhënë e kur dëgjon vetëm vetveten nuk dëgjon të tjerët. Njeriu ka nevojë të mësojë si të bisedon por edhe si të dëgjon. E tërë jeta është luftë për veshin e huaj, thoshte Kundera. Nëse është e vërtetë se “muret kanë veshë”, e vërtetë është se edhe “veshët kanë mure”. Dialogu më i mirë është pa ndërmjetësime. Sa më shumë që ka ndërmjetësues aq më larg janë palët mes vete. Ky numër kaq i madh i institucioneve, shoqatave, organizatave dhe të tjerave që për çdo ditë themelohen tregon mungesën e dialogut që prodhon respekt të ndërsjellë dhe dashuri mes njerëzve. Jemi në kërkim të vërtetës të cilën zor po e gjejmë. Në skenë janë antivlerat ndaj kërkohet ndihma e institucioneve që në fakt ato nuk prodhojnë dashuri.

Por, cilat janë shkaqet dhe motivet që pengojnë dialogun mes njerëzve? Mos është të folurit e tepërt, llomotitja dhe të ngjashme? Dialogu nuk bëhet vetëm duke folur. Në dialog dëgjohet edhe mendimi tjetër. Njerëzit me përvoja të gjata janë të gatshëm të dëgjojë më shumë se ata me përvoja të pakta. Ibn Halduni kishte nënvizuar se njeriu me përvojë dëgjon më shumë se sa flet. Personi i gatshëm për dialog dallon nga ai që refuzon dialogun dhe i cili është asgjë. Me dialog zbutet bindja e gabueshme se vetëm njëra palë ka të drejtë. Dialogu jep mundësinë e vlerësimit të tjetrit, krijon mundësinë e qasjes kritike ndaj çështjes së shtruar. Ai është fillimi i përfundimit të besimit të çoroditur se pala tjetër nuk ka të drejtë.

Dialogu pa rezultate është më i mirë se rezultati pa dialog

Njeriu, “i gjallë” është atëherë kur tregon gatishmëri për të biseduar. Dialogu pa rezultate është më i mirë se rezultati pa dialog. Pyetjet (çështjet) e parashtruara në dialog janë esenca e dialogut e jo përgjigjet e dhëna aty. Liria e të pyeturit është djepi i mendimit të lirë. Një ndër gabimet më të mëdha që bëjnë teologët është pikërisht qëndrimi i tyre kundër pyetjes. Ata frikojnë besimtarët mbase edhe me dënim nga Zoti, nëse këta të fundit pyesin shumë. Nëpërmes pyetjes njeriu arrinë tek e Vërteta. Pyetja lidhë edhe njerëzit dhe është themeli i shoqërisë së hapur. Pyetjet e shtruara në dialog janë ato që bashkojnë ndërsa përgjigjet që dalin nga aty janë ato që mund të ndajnë. Pyetja “jote” së bashku me pyetjen “time” krijojnë pyetjet “tona”. Pyetjet janë më të dashura se përgjigjet. Ajo që mbetet dhe nuk ndryshon është pyetja e jo përgjigja. Kur largojmë mënjanë përgjigjet, të freskëta mbeten vetëm pyetjet sepse ato jemi “Ne”. Kur bisedohet me tjetrin, biseda është dialogu mes njerëzve. Njeriu si njeri mund të ekzistojë vetëm kur bisedon me njeriun përndryshe nuk është njeri.

Dialogu është marrje-dhënie reciproke, si i tillë prodhon dashuri. Dashuria e vërtetë është ajo që jep dhe merr. Kur bisedohet, njerëzit bashkohen dhe duhen mes vete. Aty ku gënjehet nuk ka dashuri. Dialogu krijon bazën e dashurisë mes njerëzve. Dashuria shtohet vetëm duke biseduar.

Dialogu është mënyra për t’i bërë njerëzit të hapen ndaj njëri tjetrit. Mbyllja e betonizuar në vetvete është strofulli i djallit por edhe i diktatorit. Në fakt, ai i cili për ndonjë arsye mbyllet në vetvete, nëse dëshiron të mbetet njeri, ai duhet të bisedoj, së paku me karakterin e brendshëm, por gjithsesi të bisedoj. Pa dialog njeriu është diçka tjetër, por jo më njeri. Nëpërmes “tjetrit” njeriu njeh vetveten ndërsa me ndihmën e të tjerëve tejkalon “vetëm vetveten”. Në ontologji njeriu është e pa-përkryer ndërsa në gnoseologji është i kufizuar. Dialogu është mënyra më sublime për të arrit të vërtetën. Berzhajevi mendonte se e vërteta është sikur jeta bashkëshortore; e vërteta nuk është e vetëm njërës palë, por e të dyjave. Mendimi yt mbi veten tënde korrigjohet me mendimin e tjetrit për ty. Dialogu mes njerëzve perfeksionon edhe atë që është “Unë” edhe atë që është “Ti”. Ai është mozaiku i të qenit “Ne”.

Vetëm njeriëzit që mashtrojnë veten se kinse njohin plotësisht të vërtetën nuk kanë nevojë të bisedojnë dhe me që nuk ka njerëz të tillë, të gjithë njerëzit pra kanë nevojë të bisedojnë. Dialogu nuk duhet të bëhet me imponime sepse imponimi shkel mbi integritetin e tjetrit. Njeriu është i prirë të jetë materialist më shumë se që i jep rëndësi vlerave të larta morale. Mohimi i të drejtës së tjetrit për të jetuar është krim i rëndë që i bëhet njeriut, nga njeriu. Egoizmin nuk e duron as Zoti. Dialog nuk mund të ketë as mes njerëzve që mendojnë njëjtë. Të qenit të njëjtë nuk ka kurrfarë kuptimi. Nëpërmes dialogut duhet kërkuar të vërtetën e jo fitoren ndaj tjetrit. Sikur që nuk është e vërtetë krejt çka them unë, nuk është gabim as krejt çka thua ti. Nëse ka njeri që krejt çka thotë është ashtu, atëherë pse të ekzistojnë të tjerët? Dialogu zhvillohet vetëm aty ku njerëzit mendojnë ndryshe. Të bisedohet me ata që mendojnë si ti, donë të thotë të flasësh me vetveten. Zhdukja e dallueshmërisë mes njerëzve është fillimi i vdekjes së shpirtit të shoqërisë.

Dogmatizimi i fesë shenjë e përdorimit të saj për interesa të ngushta

Njeriu dogmatik nuk duron dallueshmërinë. Dogma pengon debatin dhe zhvillimin. Dogma është forma e brendshme e dhunës ndërsa dhuna është forma e jashtme e dogmës. Pushteti i Greqisë së vjetër pranoi mendimin gjenial të Sokratit por vetëm deri atëherë kur ky i fundit preku dogmat helene, dhe kur i kritikoi ato, e helmuan për vdekje. Edhe në fe ekzistojnë dogmat. Të mira apo të këqija që janë, ato nuk lejon të preken. Nëse dikush merr guximin ti interpretojë, ai njeri shpallet heretik dhe i kërkohet koka. Gjeneratat e para të myslimanëve nuk ishin dogmatike. Shkaqet e prapambeturisë së myslimanëve të sotëm duhet kërkuar në dogmatizmin e gati gjitha segmenteve të fesë. Nëpërmes interpretimeve të thata ku në prapaskenë qëndrojnë interesat e ngushta të individëve dhe grupimeve të caktuara, institucionet fetare dhe njerëzit që i udhëheqin ato janë vet-shpallur të ardhur nga Zoti. Kritika ndaj tyre, nga ata interpretohet kritikë ndaj fesë. Sot është dogmatizuar edhe politika e krerëve të institucioneve tona dhe sa herë që mendohet ndryshe nga ata, shpallesh armik i atij institucioni, i vendit dhe shoqërisë. Soji i Kabilit që kundërshtoi babanë e tij dhe në fund vrau vëllanë e tij në emër të fesë, sot është gjithëkund.

Dialogu i vërtetë nuk kërkon rregulla të shumta e as filozofi të thata. Mjafton sinqeriteti mes njerëzve. Vetëm njerëzit me shpirt të pastër mund të bisedojnë, të tjerët vetëm flasin. “Ne mund të ekzistojmë vetëm kur unë dhe ti puqemi diku, për të biseduar” thoshte M. Buber.

Të shpërndahet mirësia nuk don të thotë se ajo pakohet

Në dialog askush nuk humb, por të gjithë mund të fitojnë. Përgjatë dialogut dalin gjëra të mrekullueshme. Aty zhvillohet një “sharing” i së vërtetës. Edhe nëse e vërteta, e bukura dhe e madhërishmja u shpërndahen njerëzve, ato kurrë nuk pakohen. Vlera e njeriut matet me nivelin e bashkë-ndarjes me të tjerët; sa më shumë që jemi të hapur ndaj njëri tjetrit aq më shumë i afrohemi Zotit dhe sa më shumë që largohemi nga njëri tjetri aq më larg i jemi Atij.

Dialogu është analizimi i vetvetes si dhe metoda më e mirë për pranimin e tjetrit. Dialogu duhet të vlerësohet mbi bazën e interesave të përbashkëta të palëve që dalin nga bisedimi. Në një shoqëri ku flitet më shumë se që zhvillohet dialog aty nuk ka liri. Fati i asaj shoqërie mbetet në duart e fatit të kohës. Në këtë gjendje duket se jemi ne dhe nëse vazhdohet kështu shqiptarët do ta kenë shumë të vështirë.

Në paqe fëmijët varrosin prindërit ndërsa në luftë prindërit varrosin fëmijët

Dialogu që nuk ka kuptimin e bashkëpunimit shndërrohet në imponim dhe si i tillë është fillimi i dhunës. Herodoti në Historia e tij kishte shkruar: “Askush nuk duhet të zgjedhë luftën para paqes. Në paqe fëmijët varrosin prindërit ndërsa në luftë prindërit varrosin fëmijët”. Prandaj, sa më shumë që bisedohet aq më pak dhunës i mbetet hapësirë. Dialogu është politika më e mirë e mundshme. Është imperativ i kohës të kyçemi në dialog, sa më shpejt që është e mundur. Duhet të lejohet zhvillimi i proceseve integruese për çështjet e hapura dhe të krijojmë marrëdhënie reciproke për tejkalimin e gjendjes së krijuar, kudo në hapësirat shqiptare. Gjithnjë e më shumë po ngjallet vetëdija edhe tek pjesëtarët e Bashkësisë Islame mbi nevojën e krijimit të një atmosfere të re dhe më tolerante. Qëndrueshmëria e saj varet prej marrëdhënieve që do të krijohen mes të gjithëve. Solidariteti, pranimi i njëri tjetrit dhe qëndrimi larg diferencimeve duhet të jetë bazë e përpjekjeve për një të ardhme më të mirë. Këto, dhe shumë të tjera arrihen vetëm nëpërmes dialogut të hapur, të sinqertë dhe larg interesave të ngushta personale. /2L ONLINE/