Një vizitë në Klinë në kërkim të familjeve të lagjes Kekaj
Ende pa filluar evidentimin e familjeve të lagjes Keka nga fshati Priboc, nuk kishim informacione se familje të lagjes Keka ka edhe p.sh. në Klinë, Preshevë, Kaçanik diku edhe në kufi Shqipëri -Mal të Zi e sigurisht do të del edhe ndonjë vendbanim tjetër. Kështu në kërkim të familjeve Keka, sipas informacioneve, se edhe në Klinë, ka familje të kësaj lagje, bëmë një vizitë në këtë qytezë, më 10. 01. 2016.
Si pikë orientimi, natyrisht kishim shkollën e mesme të mjekësisë me emërtimin “Keka Med”. Pasi bëmë pyetje se a mund ta takojmë ndonjë njeri nga familjet e Kekajve, morëm përgjigje, se duhet ta takoni Xhaferin i cili është i Kekajve. Bacën Xhafer e gjetëm shumë shpejt, dhe ai ende pa e ditë se kush jemi na ftoi të hymë në shtëpi.
Por ne nuk deshëm të hyjmë brenda, pasi aty afër ishte një kafene mjafte e rregulluar. Duke ia shpjeguar qëllimin tonë, aty erdhën dy djem të ri: Iliri menaxheri i shkollës së mjekësisë dhe Liridoni magjistër i shkencave politike. U befasuan, ashtu sikurse edhe ne, sepse ata thanë se ne jemi Keka dhe këtu në Klinë, tani së voni jemi shpërngul nga fshati Bokshiq.
Në mungesë të mbajtjes së shënimeve, nuk mund të flasim me saktësi, por vetëm nga mbamendja nga rrëfimet e të të parëve tanë, pra nga ato që i kemi dëgjuar, disa edhe janë harruar, se kur kemi ardhur këtu (Bokshiq) e nga cili vend saktësisht nuk mund ta di na thotë baca Xhafer, por thuhet se ne kemi ardhur këtu shumë herët nga një fshat i Malit të Zi afër kufirit me Shqipëri, (diku afër Tuzit).
Ai bile na thotë se vendi prej kah kishin ardhur është quajtur Keka. Edhe sot në këtë vend gjendet mikrotoponimi Kroi i Kekëve. Prej aty, thotë, kanë ardhur në Bokshiq. Këta Kekajt paskan qenë 4 vëllezër dhe në kërkim të kushteve më të mira për jetesë kanë vendosur që tre vëllezër të largohen e njëri të rri aty. Dhe si duket në rrugëtim e sipër, një vëlla është ndal këtu, ndërsa dy të tjerë kanë shkuar në Kamenicë, thotë ai.
Ky mendim se kanë shkuar në Kamenicë, sikur lidhet me tregimet e të parëve tanë nga Priboci, (pra të parët e lagjes Keka të Pribocit) janë të ardhur nga një vend tjetër, të cilët kanë ikur prej zullumit të pushtetit të huaj. Duke mos pasur kufi si sot ( atëherë ishte Iliri, Arbëri e më vonë Perandori Osmane) popullata ka lëvizur, ka migruar më shpesh e më lehtë nga një vend në vendin tjetër në kërkim të kushteve më të mira apo duke mos dashur të pranojnë kushtet e pushteteve të huaja. Ne dimë, që Priboci dhe Zarbica (zyrtarisht), në vitin 1952 kthehen me Bujanoc, deri atëherë ishin pjesë e komunës së Dardanës (Kamenicës).
Mund të jetë një tezë, natyrisht e pa verifikuar, se në kohën e dyndjeve, shpërnguljeve, largimit nga një vend në vendin tjetër, këta Kekajt, vëllezër të kenë ardhur së bashku deri në Bokshiq, dhe një vëlla është ndalur aty, ndërsa dy të tjerë kanë ardhur në Priboc, natyrisht se gjithmonë duke i ikur tatimeve e zullumeve të pushteteve të huaja që kanë bërë mbi shqiptarët.
Ne, këtu, na rrëfen baca Xhafer, në kohën e Rankoviqit e kemi ndërruar mbiemrin Kekaj që e kishim deri atëherë. Natyrisht nga përndjekjet që bënte ai mbi familjet tona. Sot kemi disa mbiemra sepse tani i kemi të gjitha familjet mbiemrat e babagjyshërve. Por ne jemi Kekaj.
Ai na tregon se një profesor me emrin Rrustem nga Vitomirica e dinë më së miri historinë e Kekajve tonë këtu. Unë kam biseduar me të para shumë kohe dhe nuk kam shënuar dhe gjithsesi i kam harruar. Por me pas mund me ra në kontakt me të, nëse është gjallë ende, besojë se ai dinë për lagjen tonë dhe jo vetëm për këtë.
Sot na tregon Xhaferi, ne kemi disa mbiemra: Ibishi, Sejdiu, Brahimi, Binaku, Hajrizi, Fazliu dhe Dauti.
Siç i llogaritëm, aty, shpejt e shpejt, (sepse ka mundësi që ta kemi harruar ndonjë) tani në Klinë janë 31 shtëpi të Kekajve.
Ishte një takim i përzemërt, i ngrohtë, natyrisht edhe me emocione, se sipas të gjitha gjasave jemi të të njëjtës lagje, por të larguar bukur shumë.
Pasi kishim formularët me vete, u takorduam që t’i plotësojmë e t’ia bashkëngjisim lagjes së madhe Keka, që kemi filluar evidentimin e familjeve dhe të anëtarëve të lagjes kudo që janë, natyrisht duke u mbështetur në argumente, fakte, e rrëfime.
S’do mend se në këtë fillim nuk kemi dokumente të shkruara për lëvizjet e pjesëtarëve të lagjes Kekaj nga një vend në vendin tjetër nga kohët e hershme. Mbetet që të interesuarit të hulumtojnë në arkiva të vendeve të ndryshme, ndoshta në Turqi, Shqipëri (Shkodër) apo edhe Vatikan.
Ismet Tafili & Shaban Rexhepi
