Nga: Lindita DODA
/2L ONLINE/ – Në tempullin e poezisë spikasin mjeshtrit e fjalës.Të shkruash bukur do të thotë të përcjellësh, të emocionosh, të përkëdhelësh më puhizë vegimesh, me tingellima ngjyrash gjuhën tënde.
Poeti Gjilanas Xhevat Latifi është një i tillë. Ai luan mjeshtërisht me vargun me ngarkesat e epshme figurative, ku metafora dhe simboli mbajnë kryet e vendit, të pajisura me një spektër ideo-emocional herë herë tronditës, por që mbartin ndjeshmëri dhe natyrshmëri të sinqertë pa sforcime.
Përmes vargut të tij“flet”me jetën e njerzëve dhe me vetveten.Ai vjen si një zë poetik origjinal dhe i lakmueshëm në artin krijues.Priret drejt poezisë hermetike duke u bëre një transkiptues i fortë i emocioneve.Poezia e tij është e thellë të duhet të shohësh në thëllësi të vargut të kuptosh burimin logjik të fshehur tek epika dhe hyjnorja.Përmes tyre përpiqet të zgjojë errësirën e zemrës dhe mendjes dhe kur këto kanë humbur në luhatjet e fatit dhe të jetës.
Latifi me një varg hërë hërë të ngjashëm me prozën poetike na pëcjell një botë të pasur ndjesishë dhe trajtash të kujtesës, emocionit, përjetimit, reflektimit, çfarë i përgjigjet një spektri të gjërë tematiko-ideor dhe gjendjesh nëpër të cilat e çon ai lexuesin, duke ia trazuar përfytyrimin dhe duke e bërë atë pjesë e vuajtjes e revoltës së tij për gjërat që s’po shkojnë si duhet në vendin dhe shoqërinë tonë.Vargu i tij qëndron larg shërbimit të ideologjizmave, ai vihet përballë mefshtësisë shpirtërore që haset jo rrallë sot, por njëkohësisht ëndërron dhe shpreson për ditë më të mira.
Latifi është modeli i poetit origjinal që reflekton brenda vetes dhe nxjerr në pah gjithcka cfarë e ka qenësore njeriu. Duke qenë i tillë spikat në trajtimin artistik të dukurive të realitetit, si në rrafshin social e historik ku shpirti i tij krijues kthehet në një uragan revolte shpirtërore duke u përpjekur të zgjojë ndërgjegjen e kombit për çështje jetike të ekzistences së tij ashtu edhe në atë të familjes, po ashtu vjen po aq origjinal dhe në rrafshin intim e të marrëdhënieve dashurore.
Emocionet në poezinë e tij vijnë të përshkruara në imtësi, pa rënë në vulgaritet e banalitet, por elegante me një gjuhë karakteristike të vargut epiko lirik i sjell pastër, që e bën lexuesin të përjetojë çaste të bukura dhe të ndiejë kënaqësi estetike dhe shpirtërore.
Në poezinë“Baba”kemi të spikatur një paralelizëm figurativ mes babait dhe lisit,kohës, historisë dhe vetë krijimit të rruzullimit.Harta e jetës është shkruar në ballë mes rrudhave. Imazhi i maleve me borën përsipër dhe babait me plis mbi krye.Poeti thekson se dheu mban frymën e nënës dhe të babës, duke sublimuar dashurinë për atdhe.Eshtë një poezi lirike e ngrohtë që përcjell dashurinë për babanë, duke i dhënë përmasat e një fryme universale.
Si mjeshtër i metaforës ky poet vjen në poezinë“Po bën naze me hënën”përmes metaforës, revoltohet për natën e errët që i ka orët të gjata mbi këtë vend të lashtë pellazgësh.Përmes këtyre vargjeve liriko epike herë herë të ngrohta vihet re përpjekja për tu cliruar nga disa kufinj të padukshëm objektivë apo subjektivë të vënë apo vetëvëne për të bërë pjëse e të tërës.
Historia e shqiptareve ka kaluar nëpër kalvare rrëqethjesh, ku janë dashur flijime në themele kështjellash për t’i bërë ato të rezistueshme ndaj rebesheve të kohërave, të cilat sa herë kanë kaluar këtej nga trojet tona, kanë treguar dhëmbët dhe nuk kanë pasur mëshirë për mijëra viktima të pafajshme, duke shkaktuar tragjedi dhe rrafshime kulturash mijëra vjecare.Poeti, duke u lëkundur në valët e shpresës, i drejtohet Evropës që të kthej sytë nga Shqipëria, e cila vazhdon të përjetojë dhimbjet e së kaluarës dhe mjerimin e së tashmes për shkak të braktisjes dhe lënies së trashëgimtarëve të pellazgëve të lashtë në mëshirë të fatit.
Po aq interesant ky poet është dhe në vargun e shkurtër në pak fjalë arrin të transmetojë shumë te lexuesi, në poezinë “Udha”Përcjell se njeriu në jetë është gjithmonë në udhëtim.Her në ardhje e herë në kthim, kujtimet ngjizen shtigjeve që përshkojmë. E kur presim ardhje të zemrës, na duket sikur asnjëherë s‘bashkohen pikat ardhje-pritje!Me kaq pak vargje,kaq shumë përshkruar në këtë poezi.
Poezia“Sa shumë i frikësohem ardhjes tënde”Fillon me endjen më të vjetër njerëzore, pritjen që është rrëfim i shpirtit për të thënë atë cfarë ëndërrojmë e duam. Po pse edhe pritja tashmë është formë tjetër, dikur kur nostalgjia na e sjell në kujtesë edhe ata që ishim, se si dashuria ka tingëlluar me buçitje, ndoshta se tashmë në heshtje të han edhe më shumë…po edhe ato si t’i quaj, rrënqethjet nga policia se i ngjajnë momentit qe sjell ters, me ankth se po vjen dashnorja e “kuqe”. E protagonisti për autorin, një i flakur i ndrojur dhe i duruar njëkohësisht, e përqafon dashurinë ashtu siç i ka dal përpara, edhe pse dashuri jo reciproke, për të dashuria është flakë, dhe e kuqe.Autori këtu shpreh më së miri në mënyre poetike forcën e pritjes dhe mundjen e frikës.
Në poezinë “Kur vjeshta luan me mua”autori vjen me një varg të trishtë, ngritur mbi themelet e vjeshtës, Ka shume detaje nga vjeshta, si : shirat e vjeshtës që bien mbi pullaz, një trishtim i zverdhur, bariu që struket në gëzof pa sens muzike, një vjeshtë që ngjason me varrezat e qullura nga shiu, vetëm akrepat e orës përputhen nga rastësia, kur gjumi kërkon krahë të bardhë, pikat e shiut lënë njolla baltë,melankoli rebeluese ,këtu dashuria bartet thellë në akrepa kohesh per ti shpëtuar vjeshtes se trishtë.
Një trinomin i dhënë me mjeshtëri nga autori në këtë poezi mes dashurise, vjeshtes dhe mallit për ngrohtësi…
Poeti e ngjyros vjeshtën me pamjen gri, se dashuria është larg, nuk ka dritë në sfond, vetëm atmosferë varrezash nën ritmin e pikave të shiut.Poezia përcjell mesazhin e dhimbjes dhe të trishtimit,se kur dashuria mungon edhe jeta i ngjan një varreze, ku cdo gjë mbulohet nga pluhuri i vdekjes.
Në poezinë”Kujtimi i ftohtë i një dite vere” poeti flet nga këndveshtrimi i Jonit, diku përballë Syrit të kaltër duke parë në sfond figurën e Pashait të Tepelenës në vorbullën e përgjakshme të historisë. Për shqiptarët nata e zezë s’ka të sosur dhe poeti ndez një qiri duke nderuar kujtimin e atyre që u masakruan, jetimëve që morën rrugët, të ikurit e pafat që mbetën pa një varr në Atdheun mëmë.Te lisat e mëdhenj, gurët me myshk një lule mbetet përjetësisht e kuqe, duke vulosur fatin e përgjakur të shiptarëve dhe gjithë atyre që patën fatin tonë.
“Kthim i druides ne shtëpi”një poezi rrënqethëse, nga këndvështrimi i një mërgimtari që fluturon mbi oqeani e dhimbjes duke lënë pas trojet e Atdheut të nemur bashkë me mallin për frymën e babait dhe të nënës.Poezia i ngjan një klithme dhimbjeje që bucet nga gjoksi i mërgimtarit dhe shigjeton shkaktarët e vrasjes së shpirtrave të engjëjve, që qëndrojnë mbi re dhe vështrojnë me shpirt të vrarë mjerimin e Atdheut nën peshën e pashallarëve të kuq.Janë ata që e bëjnë vatrën e lindjes të pamundur për të jetuar duke detyruar shqiptarët të ikin nga sytë këmbët nga trojet e nemura.
Thënë aq të goditura në vargje të mbeten gjatë në kujtesë“Duhet me marrë frymë thellë për të kuptuar lirinë, sepse është larg trojeve të shqipes”.Poezia”Kur bombat sollën dashurinë” të ngazëllen me forcën e artit, të cilën poeti e njeh mjeshtërisht.Do të mjaftojnë vetëm disa detaje artistike, ku ushtari i UÇK-së ulet në gjunjë duke nxjerrë nga plagët flamurin e lirisë, tashmë kur mbi Kosovë po fryn era e lirisë së trojeve dhe kur nata ka marrë arratinë drejt Udhës së qumështit.
Një këngë djepi“nanuris”foshnjë e sapo lindur për të frymuar me afshin e ngrohtë të lirisë.Një emër shfaqet mbi trojet e lashta pellazgjike dhe fluturon si shqiponja drejt majave të Tomorit për të shpërndarë jehonën e lirisë .
Në poezinë”Copeza nga Parajsa” poeti kërkon rrugën e Parajsës për të gjetur dashurinë e vrarë, e cila ka mbetur si një buqete lulesh të bardha në oqeanin e ngrirë të trishtimit.Vargun “Lule të bardha si qirinj për natën e Pashkëve” poeti e përdor si lajtmotiv për të përcjellë mesazhin e dhimbjes që lanë dashuritë e humbura në rrugët e trishtimit, të cilat tashmë i takojnë Parajsës, duke lënë pas mërzi dhe lot.
Poezia”Akt nate ose baresha me fyell” poeti kërkon kroin e shterur dhe bareshën me fyell në terrin e natës ku loja e ujkonjës lë prapa jehonën e egërsisë. Një melodi vaji shoqëron një dritë që po fiket në një shtëpi të braktisur duke e krahasuar atë me një aparat që po përcjell jetën e shkëputur të një pacienti.Trishtim dhe mërzi, këto janë emocionet që përcjell poezia.
Ky është një këndvështrim i shkurtër mbi krijimtarinë mbresëlënëse të këtij autori, do kisha dëshiruar të lexoja më shumë poezi të tij në vargun e thjeshtë me më shumë muzikalitet dhe rimë për një gjeografi më të gjerë lexuesish megjithatë ajo që merr lexuesi nga ky poet është një ngopje shijesh estetike me një kuotë e lartë.
Rruga e shtëpisë time ka kujtime për diellin…
Poezi nga Xhevat Latifi
Baba
Fryma po lëkund lisin e tundja nuk ban za!
ballit rrudhat i vizatojnë një hartë që çon n’mal me borë
Një plis i rrin lisit karshi dhe e prek me dorë
Tu’e marr amanet tapinë dhe tregimin e mullisit!
Tashti nxirr orën Bablok mate kohën
Atë që donin kaçakët, Vehbi Ibrahimi, Halil Alidema, Adem Jashari…
dritë po bënë n’lapidar ajo kënga me kavall
Heuuu zor, shumë zor me ta mbajt hapin e Gillan’kës!
Nuk them se po zihemi, them se më mungon
Me ta nie frymën si ofshame malli për lirinë e vendit…
Tash i besoj : fluturave, barit, luleve që rriten lugjeve, malit, bjeshkëve
Tash i besoj: Ujit, shiut, lumit dhe ajrit
Tash i besoj: Dheut që ka frymën e Babës dhe Nanës!
Po bënë naze me hënën!
Ka net që eteri ka zjarrmi, fotot vijnë me petk jugu
Ti , deti , valle delfinësh ngritën dhe gjuhën, n’flok fjongo yjesh
Thua: çfarë t’i bëjmë natës ka orët e gjata, yjet duken si thinja
A e kalojmë lumin pa urë, në ëndërr, lexojmë 1001 netët e Sheherzadës
Për rreth Lady Dajanës, globalizmi paraqitet pikturë e Pablo Pikasos
Jam Lorka sonte, bëhem gati për një revolucion, nuk lejojmë më na vra lirinë
Do protestojmë: re’t’zeza kalojnë, vjen jeshilja…
E kupton, hapërojmë lumin Mat , pellazg të moçëm andej dhe këndej Drinit
Operë valci e zogjve t’ bardhë, n’buzë qumësht
Mos ma thuaj, këndej iket me xhog t’zi, n’ Evropë sfidohet moda në Paris
Me dashurinë me luajt polka, mallkohesh me vetminë ,
bahesh murgeshe në facebook!
Hajde bëjmë urë, mitin e Rozafës e bëjmë pasëord, i dërgojmë frau Merkel
Ajo dinë me i bo tifo dashurisë, me faqe me shikua hënën…
danke Dojch, n’ Ballkan ne ende i bëjmë naze hënës!
Udha
Hapi
merr ritmin e zemrës ,
fryma, shkund kujtimin
as fund as fillim ardhja e jote!
Sa shumë i frikësohem ardhjes tënde!
Nuk thyhem duke pritur, as nuk krrusem tuj pritë,
por ikëm nga ardhja e jote, s’di se ku, i trishtuar,
si me kanë luftë
Pse nuk bëzan tel!?
Nuk ashtë si dikur, m’ cingërrue thellë si kambana n’katedrale,
Rrugës taksitë, kanë sinjale policie, t’kapë pak trishtim kur ndalen
Kur hapet dera, e pres me dalë një këmbë me sandale,
sandale e kuqe, me pas flokët dhe gusha e shpluar tuj qeshë
Nuk del ti jo!
Nuk je më ajo që dikur nuk mujke as zana me t’nalë
Tash je kuti karafilash të kuq,
Duken si një libër n’raft me Sokratin, Platonin dhe Seneken
Shkruan: mos i vë shpresat te unë. Të premtoj do të zhgënjej…
E pra, ç’far bëj unë sall të katranos n’letër atë puthjen n’buzë t’kuqe
Si me kan cub, pirat pellgun e Matit tuj ba roje Gjallicës
Heuuu…
Po vret e po kthjellë ky mot, n’diell që s’po nxen e unë frikohem nga ardhja e jote si me kan arushë e çartur…
Po pres me u bo trim i rastësisë e me m’pshtet për muri…
Kur vjeshta luan me mua
E sheh! Shirat e vjeshtës po bien mbi pullaz
Është freskët, të pikë pika në shpinë.
Nuk është si shiu i verës,
nuk mjafton ombrellë
Me mbulua trishtimin e zverdhur…
Kalesha në mjegull, nuk di ku vritet nuk di ku pritet
Ikën larg diku në legjenda!
Vjeshtë është, i ngjanë varrezave të qullura me shiii
Struket në gëzof bariu është i pa sens për muzikë
me luajt me vallen e gjetheve…
Ti e ke dashtë vjeshtën,
thua: është si arka e gjyshes me fruta
dy ftonj rrinë krenar në qoshe – tregim i moçëm
për dashurinë e ndaluar “kalorësi dhe molla e kuqe”.
Është vjeshtë, ftohtë bien kambanat , në ballë një pikë kanë
… vera iku si ti një ditë pranë meje nuk mi lëshove sytë!
pas vete ca pika balte, njollë në këmbë!
Është vjeshtë, gjumi kërkon krahë të bardhë
Sërish varreza dhe sërish shiii e mjegull,
Është fakt kam pak xhelozi,
sonte kur akrepat përputhen
Për një takim nga rastësia…
Vjeshtë është!
Kujtim i ftoftë i një dite vere
Është ftoftë sot Joni, më bënë mornica në trup
te kjo portë e Atdheut, ujë i egër te Syri i Kaltër
mbanë n’ kujtesë ujin e gjelbër n’amë!
Hej Ali Pasha, Jozefina të ka ikur rrugës shtëpisë sime,
kishte nur n’qepallë, bënte naze me diellin andej këndej Drinit!
Pasha mue sall vitet shkojnë se kujtimi për Ty mbetet i amshuar
T’i e di më shikove më sy fjetur, më lëshove dorën ngadalë
Nata mbeti n’kalendar e zezë, vija n’mur i një të zëni jesir!
Ahhh lulet Nanë, lulet janë n’dritare si nuse buzëkuqe!
sa here hapet fryn Juga aromë bojsilegu!
Më thuaj të ndez një qiri për muhaxhirët, çamët, labët matjanët
për të ikurit, jetimët që bota i ka mbledh me një emër UNHCR*
Të puth dorën! Si fëmijë lëshoj puplat n’frymë n’kufij t’ndaluar
Te lisat e mëdhenj gurët me mushk
një lule që mbetet përjetësisht e kuqe!
…këngë e Avdi-së : “Kur do’t del oj Nanë pranvera…”
Është ftohtë, ditë vere!
Kthimi i druides në shtëpi!
Ti e di rruga e shtëpisë ka kujtime për diellin
Është rrugëtim salmoni nëpër ujërat e botës
Është rrugëtim lejleku që vie saktë si orë zvicerane në fole…
Ma thuaj çfarë sheh mbi re të bardha ku rrinë engjëjt e kaltër
Air Canada të shton adrenalinën të ngulfat malli?
oqean është dashuria – aty fryma e babës rron,
mban mend dorën e nanës, u lëshua ngadalë u paqësua me nur
Tha: Ke me shkua pas shtatë detesh me e thanë një fjalë shqip!
Tashti, është natë në Evropë në Ballkan ora historisë bie mbi Kumanovë
Si 100 vjet më parë gazetat londineze shkruajnë për një vajzë shqiptare
Që thërret gjer në kupë të qiellit : Më lini të qaj!!!
Është krejt njëjtë si “Vajtojcat e Rekës”, si kënga ne eurovizion e Rona Nishlliut…
Papush nga këtu vetëm ikin!
Doganieri do të thotë këtu nuk jetohet!
Taksisti do të shaj vendit, do të thotë është i nëmur!
Mos qaj kokën për kuvertë presidenten ose presidenten në kuvertë
As për kryeministrin komunist!
Krejt thonë së është keq e krejt donë me u ba mirë!
Ne duhet me marr frymë thellë me kuptue lirinë…
Kur (bombat) sollën dashurin!
Engjëjt e kaltër po hyjnë në dej dhe nata merr udhën e qumështit
në tokë ushtari i UÇK-së ulet në gjunjë
heq nga plaga shaminë i jep të dashurës…
Ajo e prek në shpatull i fut dorën në flokë
i fol me zë të ulët për dhimbjen shtatë-zanë
thotë: Çohu he burrë se duhet me pjekë bukën!
Tash n’çdo gur thyhet nga një shkronjë me afshin e dëshmorëve
një këngë djepi që bie me diellin sjell një emër
që e kanë mbajtur shekujt palë palë n’prehër
…flauflojnë meteore si lot shiiii pikin në lum
Thua bomba e parë po lindte një fëmijë të ikur nga dora e Zeusit
Pellazgut plak në Tomor i qeshë mustaku i thinjur
Për t’i rënë qark e për qark si amanet
Tokës
Ujit
Ajrit…
Copëza nga Parajsa
I mbaj në kujtim ca lule të bardha
si qirinj për natën e Pashkëve
Ajo ka të ftoftë , ethe, nuk e pranon vdekjen
Kafshon buzët për rilindjen e një dashurie
Më mban në ethe kujtimi
për një grua me boja të kuqe në buzë
Që deshi të mbytej në liqe
si një mjellmë me krahë të thyer
Mbi një hundë të drejtë spartane
në ballë ca pikla gati mbyll sytë
Nga fusha e mëllenjave vie kalorësi i dalë nga mjegulla…
Më trego nga i bie rruga për parajsë!?
Të pushoj gjunjët
kokën ta mbështes në bari të njomë
Yje të shprush në gjoksin tënd të bardhë
Më trego ku vriten nga dashuria burrat
e ku thyhen në dashuri gratë!
Ti vëmë kapak frymës
afshit të cifluar ti vëmë një pikë!
I mbaj në kujtim ca lule të bardha
si qirinj për natën e Pashkëve
Më trego nga i bie rruga për parajsë!?
Yje të shprush në gjoksin tënd të bardhë!
Akt nate ose baresha me fyell
Një kandil pashke rri në kënd të dhomës si bariu n’shi
Syri i blertë thyhet në natën futë që bie si mister
Më thuaj ka ndonjë rrugë tjetër që i bie malit për gjysmë
Të gjejmë kroin e shterur dhe bareshën me fyell
Pikë pikë mbi faqet e tua loja e ujkonjës lë prapa jehun e egërsisë,
Nuk mund t’puth, më trishtë…
Mbi një shtëpi të braktisur shuhet ngadalë një dritë
Që i ngjanë aparatit që përcjellë jetën e një pacienti
Ajo rri e heshtur si një luan që niset në gjah
Lulkat në ojna i bien këmishës së natës si dritat e qytetit n’liqe,
Shtatë dajre rrahin qiellin në Ditën e Verës kur luan mbi ballukume
Kuq faqet bëhet fllad prej nuri nëntë herë theu kambanën e gjumit!
Dymbëdhjetë gjurmë tamblit t’ bardhë lë kur puthë Zeusin e fjetur!
Nuk bëre asgjë për mua
Nuk pate mëshirën e kohës me pa gjethet n’lis tuj ra si thinja
Mollë e ndaluar m’shiton n’sy m’thua nuk mundem me vizatue diellin,
A i biejnë rrugët këndej nga iket e iket tuj ardhë heuu sa e gjatë kjo udhë
me i ra permjes jeshiles n’liqen Mati aty ku pellazgët bënin dashuri
n’dritë t’hanës!
Nuk bone asgje për mua sall kaluam lumin t’qullur n’shiii
m’ke lanë vetun me rrokullis orët e natës si gurët Sizifi!
Thu’a: Çfarë janë këta priftërinjë që therrin n’tymnajë temjani
n’hartë gjenetike të etnisë n’dej ADN ma kërkojnë pasëord vetminë 100 vjet
t’a them shok’rishtë nuk bone asgjë për mua,
me m’dhan dorën t’uj rrëshqit brigjet, lumejtë ajrin dhe tokën…
tutje n’pluhurin kozmik ku rrin i yll i vetmun n’rrugë t’qumshtit
Mos bëjë asgjë për mua! …frymo!