/2L ONLINE/ – Shfaqja “Jetë me qera’, me autor Refet Abazi e në regji të Ekrem Sopit, e vënë në skenë nga Teatrit i Gjilanit e hapi mbrëmë Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, që është pjesë e Manifestimit kulturor “Flaka e Janarit”, identitet ky kulturor i Gjilanit.
Një e keqe në shoqërinë tonë nuk duhet dhe nuk guxon të fshihet, ajo duhet të tregohet hapur dhe e njëjta me kohë të largohet, ngase kështu frymon e tërë bota prosperuese. Këtë siç duket e kishte në mendjen e tij, regjisori gjilanas Ekrem Sopi kur kishte marrë përsipër ta vinte në skenën teatrale të Gjilanit shfaqjen në fjalë, shfaqje kjo që godet të metat në shoqërinë tonë, që godet politikën tonë të stërkequr, mentalitetin e prapët të pushteteve tona, që duhet t’i fusin hundët kudo, nëse do të shohin përfitim nga kjo, qoftë për xhepin apo epshin e tyre, pavarësisht dëmeve që ia shkaktojnë shoqërisë.
Por, shfaqja në fakt është kritike edhe ndaj të metave të vet shoqërisë në përgjithësi, që e lejon këtë, duke përfshirë këtu kritikën edhe ndaj të metave të vet artistit.
“Jetë me qera”, paraqet një ngjarja që ndodhë në teatër, ku një regjisor i ri, pasi fillon të punoj shfaqjen, përballet me problemet politike si dhe problemet e brendshme të teatrit. Edhe pse regjisori mundohet ta ndryshoj tekstin dhe qasjen, duke ia përshtatur kërkesave të pakuptimta të autoriteteve që kanë ndikim në teatër, ai prapë se prapë nuk mundë ta çoj projektin deri ne fund, pasi që atij i ndalohet shfaqja.
Ishte kjo një shfaqja që shpërfaq aktualitetin tonë, që nxori bukur mirë në pah problemet që i ka kultura në raport me politikën. Vënia në skenë e kësaj shfaqje nga Teatri i Gjilanit, i cili edhe vet ballafaqohet me probleme të shumta, për fajin e politikës, shoqërisë, vet artistëve,.. doli të jetë e qëlluar, për faktin që ata që janë në rrjedha panë aktualitetin e hidhur në këtë dramë të karakterit social.
Përndryshe, edhe këtë, vit ashtu si edhe çdo herë, kishte një interesim të jashtëzakonshëm për të parë shfaqjen dhe kështu pritet të jetë përgjatë gjithë Festivalit të Dramës “Talia e Flakës”, duke treguar edhe njëherë se Gjilani ka publikë të flaktë dhe të etshëm për shfaqje. Mirëpo salla e stërmbushur, ndonëse imazh i mirë, po sjellë në vete rrezikun që njeriu të mos mund ta përcjellë me vëmendje një shfaqje, për shkak të prezencës edhe të asaj pjese të shikuesve të pakulturuar (bëjnë muhabet mes tyre gjatë gjithë shfaqjes) që mendojnë se vetëm me ardhje në teatër do të mund të kulturohen pakëz! Të tillë kishte edhe mbrëmë dhe do të ishte mirë që organizatori të mendonte për këtë dhe të mos lejojë të tejkalohen tejmase kapacitetet e sallës.
Në shfaqjen “Jetë me qera”, luajtën: Gani Rrahmani, Alban Shahiqi, Aurita Agushi, Gyner Halili, Naser Zymberi, Avni Shkodra, Tringa Hasani, Safete Mustafa, Artan Selimi, Egzona Salihu, Rexhep Maloku dhe Jashar Shahiqi.
Skenografia dhe kostumet: Bekim Korça.
Përzgjedhja muzikore: Florim Gagica, Arzije Isufi, Murat Ismajli.
Dritat: Fatmir Halili.
Organizator: Raif Haziri.
Garderobiere: Bahrie Kurtalani.
Realizatorë të skenografisë: Medi Hoti, Haki Aliu, Fehmi Hoti.
Rekuizitat: Suad Berisha.
Shfaqja fillon në ora 19:00.
Sot në ditën e dytë të Festivalit po në ora 19:00, do të jepet shfaqja “Kush e Solli Doruntinën”, Teatri “Aleksandër Moisiu”- Durrës. Nga Ismail Kadare me regji nga Leart Vasili. Shfaqja fillon në ora 19:00.
Në ditën e tretë, do të jepet shfaqja “Mendje djallëzore”, Teatri “Istref Begolli” – Pejë. Me autor Blerim Haxhiaj e me regji nga Elmaze Nura. Shfaqja fillon në ora 19:00.
Në ditën e katërt (e hënë), do të jepet shfaqja “Lufta në kohën e dashurisë”, Teatri “Multimedial” – Prishtinë, me autor Jeton Neziraj e regji të Blerta Neziraj. Shfaqja fillon në ora 19:00.
Të martën, në ditën e pestë të Festivalit, për dallim nga ditët tjera, do t’i kemi dy shfaqje, një nga ora 17:00 dhe një nga ora 19:00. Shfaqja e parë do të jetë “Ushtari i dy luftërave” nga Teatri “Dodona” e ACDB, me autor Ibadete Abazi e regji të Elhame Kutllovci, si dhe shfaqja “Karramel” nga Teatri “Adriana”– Ferizaj dhe Kllapa. Autor dhe regjia Naser Shatrolli.
Të mërkurën me 27 janar do të kemi shfaqjen “Gishti” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, me autor Doruntina Basha e me regji të Erson Zymberit.
Dhe në ditën e fundit, do të jepet shfaqja “Kandili i Argjandit”,Teatri “Migjeni” – Shkodër, nga Martin Camaj me regji të Fatbardh Smaja. Edhe kjo shfaqje fillon në ora 19:00.
Pas kësaj shfaqje edhe do të jepen çmimet e këtij festivali dhe do të bëhet mbyllja e këtij Festivali, për t’i lënë rrugë aktiviteteve tjera muzikore e letrare të “Flakës së Janarit 2015″.
Përndryshe, për çdo ditë sa do ta kemi festivalin e Dramës Shqipe, do të kemi edhe debatet për shfaqjen, që mbahen menjëherë pas përfundimit të shfaqjeve. /2L ONLINE/