Një rrugë në qytetin e Gjilan do ta mbajë emrin e Esat Stavilecit
/2L ONLINE/ – Një rrugë në qytetin e Gjilanit është propozuar ta mbajë emrin e akademik Esat Stavileci i cili ka ndërruar jetë më 15 gusht. Siç mëson Portali 2L ONLINE, Komisioni Komunal për emërtimin e rrugëve që është duke punuar rreth kësaj çështje, në takimin e sotshëm, në nderë të jetës dhe veprës së akademik Esat Stavilecit ka dal me një propozim të tillë që një rrugë e qytetit të Gjilanit ta mbajë emrin e akademikut dhe për të ka pas dakordim të plotë të komisionit në fjalë.
Kështu, Gjilani duke e ndjerë rëndë humbjen e një akademiku dhe në nderim të veprës së tij ka vendosur për një gjë të tillë që sigurisht se pas finalizimit të plotë të punës së këtij Komisioni, për çështje të emërtimeve të rrugëve, shesheve e institucioneve, edhe do të zyrtarizohen propozimet e dala, duke përfshirë edhe këtë që ka të bëjë me rrugën e propozuar që do të mbajë emrin e Akademik Stavilecit.
Përndryshe, varrimi i të ndjerit akademik Esat Stavilexi do të bëhet sot në Gjakovë.
Esat Stavileci u lind më 11 korrik 1942, në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit.
Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Prej vitit 1965 deri në pensionim punoi profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoraturës. /2L ONLINE/
