Shkruan: Ramadan MUSLIU
Albina Idrizi i takon grupit të krijuesve që në qetësi ndërton veprën e vet, larg zhurmës mediale e e propagandës së kich-artit të ri që ka vërshuar jetën publike. Edhe romani i saj më i ri, “Për një mëngjes ndryshe”, edhe pse, pothuajse si të gjitha veprat që kanë identitet artistik, po e bën jetën në qetësi, për elementet që sjell, tematikën në veçanti, por edhe për trajtat e narracionit, por edhe për vetë mënyrën e perceptimit të jetës, inkuadrohet në trendin e ri të të ashtuquajturës prozë të dokumentimit artistik të realitetit.
Romani përbëhet nga dy pjesë, pothuajse heterogjene edhe si problematikë por edhe si frymë, domethënë si shtimung emocional, si atmosferë në përgjithësi. Kufiri ndarës mes pjesës së parë dhe të dytë është ai kohor, është sinori kronologjik që ndanë dy periudha të jetës së shqiptarit, lufta e fundit. Pjesa e parë kronologjikisht vendoset në të ndodhurat gjatë periudhës së paraluftës, në prag të luftës dhe fillimit të saj, kurse pjesa e dytë e romanit merret me realitetin e ri, jetën e pasluftës, me periudhën për të cilën kemi ndërtuar stereotipin vullgar si periudhë të lirisë.
Albina Idrizi për kryeprotagonist të rrëfimit të vetë romanor ka Ema Tërnovci-Tafën, një vajzë tipike shqiptare që rrjedh nga një familje patriarkale me elemente që priren kah e reja. Fati i saj dhe të motrës Mirushës, janë pikat orientuese të këtij narracioni.
Dy motrat e mbetur jetim që herët janë të lidhura së tepërmi më njera tjetrën. Pasqyrimi, të përdorim kushtimisht këtë term, të fatit të tyre jetësor përbën boshtin fabular. Mirushja, motra e madhe e Emës dhe Samiut, fejohet më një djalosh që vritet gjatë shërbimit ushtarak. Ajo ndërkohë, siç jemi mësuar ta përdorim atë termin tradicional të jetës sonë patriarkale, kthehet për të vëllaun Metin, një njeri me aftësi të kufizuara, duke u pajtuar të bëhet pjesë përbërëse e mozaikut të jetës sonë patriarkale. Ema, përkundrazi, është personazh që ofron profilin tjetër psikologjik dhe moral, është një vajzë që do të mbajë penjtë e jetës së saj në duart e veta, dashurohet në të birin e kunatit të Mirushës, Gurin, të birin e profesor Dinit. Idila e dashurisë me të dhe shprishja e asaj idile, për shkak të rrethanave të jetës, kalimi nëpër kurthet e shumta që ofron jeta si në Kosovë e veçmas në mërgim (Francë), është pjesa tjetër komplementare e rrëfimit.
Rrëfimi romanor, duke qenë se ka pretendime të jetë një dokumentim artistik të jetës në një kohë-hapësirë reale, ai përmban pothuajse pamjen e plotë të asaj jete, dukë përfshirë brenda vetës ideologjinë, fermentimet sociale e politike të asaj shoqërie, moralitetin e kohës dhe shumë segmente të tjera që e shquajnë aspektin etnik të një kokektiviteti, ai do të jetë një përvoje jetësore e transformuar në narracion artistik. Prandaj, po qe se duam ta lexojmë edhe si një lloj ideografie të kohës, nuk kemi nga ia mbajmë nga kongruencat e situatave fabulare nga ato të jetës reale sa që mund të themi se kemi një mozaik të plotë të jetës në një kohë reale, të një periudhe që i ka edhe kornizat konkrete, të theksuara si periudha të paraluftës dhe mbas luftës. Tangjentimi i drejtpërdrejtë me jetën reale ka bërë që këto situata të jenë të identifikueshme, madje duke ofruar edhe një lloj mimetike të jetës.
Romani “Për një mëngjes ndryshe” pothuajse identifikon në mënyrë kronologjike të gjitha situatat nëpër të cilat kaloi popullata shqiptare këndej në luftë për identitet shtetëror, duke dhënë në mënyrë eksplicite kornizat e realitetit, por edhe brendësinë e pamjes artistike thellësisht autoriale.
Romani ndërtohet si një rrëfim në veten e parë apo, siç njihet si “Ich form” kajzeriane, ku vetja e rrëfimit është edhe vetë peronazhi. Këtu herë pas herë shfaqet një lloj inkonsguence, sepse në rrëfim narratori tejkalon caqet e vështrimit personal, duke kaluar në kapjen e një tablloje sa më të gjerë, që është karakteristikë e të ashtuquajturit narrator të gjithëdijshëm. Mirëpo, meqë është një roman që rrëfehet në vetën e parë kjo në mënyrë automatike e nënkupton një subjektivim të rrëfimit. Ky moment narracionit romanor ia falë një lloj lirizmi, një përceptibilitet poetik. Mirëpo në të gjitha rastet romaniserja Albina Idrizi arrin të mbajë në barazpeshë pamjet e realitetit, shpesh të ashpra, me prirjen për poetizim, që normalisht se kufirin e vrazhdë të realitetit e bën më të lëvizshëm, duke i dhënë mundësi imagjinatës të bëjë jo vetëm mbindërtime, por të krijojë edhe hapësira të gjera veçmas sa i përket zgjerimit të spektrit emocional.
Romani,mund të thuhet pa ngurrim, edhe pse trajton momente të rënda të realitetit (vrasjet e ushtarëve shqiptarë në APJ, protestat dhe grevat studentore, mbyllen e shkollave, mbajtjen e mësimit në shtëpi private dhe të gjitha format e tjera të represionit, megjithatë këto pamje, falë imagjinatës autoriale gjithnjë dalin të zbutura, ngase autorja si krijuese me prirje poetike, kap situatat pikante dhe ato dimensione që ndriçohen nga një dritë e brendshme. Më një fjalë, Albina Idrizi shfaq një qëndrim të ashtuquajtur “vitalist” për ekzistencën, duke u përpjekur ta kuptimësojë artistikisht.
Shpesh në rrëfim ndeshim momente të sprovës së moralitetit njerëzor, siç është pajtimi i Mirushës që të martohet me Metin, të vëlluan e të fejuarit të vrarë në APJ, vetëm e vetëm që të dëshmohet se jeta ka kuptim vetëm si sakrificë. Po kaq edhe sjellja e Emës ndaj burrit të saj, Gurit, i cili nga një djalosh revolucionar, të ikur në mërgim nga fushatat represive serbe, shndërrohet në një narkoman, dëshmon se moraliteti në jetë është mbi gjithçka, një vlerë hyjnore që e mban njerëzimin gjatë historisë. Ema, me një stoicizëm tipik për femrën shqiptare, arrin jo vetëm të mbajë familjen gjallë, të fitojë statusin e emigrantit legal në Francë, por edhe të ndikojë në jetën e të tjerëve, punonjësve të kampit për strehimin e emigrantëve, duke ofruar një model të sakrificës personale për të ruajtur familjen.
Pra, romani, siç është thënë edhe më herët, ka një referencialitet të gjerë, por mbi të gjitha shquhet ajo që lidhet me moralitetin, dhënien e një modeli të jetës shqiptare e veçmas të sakrificës së femrës shqiptare. Prandaj personazhi i Emës, është ai që duket, jo vetëm pse rrëfimi është në vetën e parë, por më shumë për shkak të karakterizimit, si një kompleks moral e psikologjik, duke mbetur si një model i personazhit që e ndeshim në jetën tonë të përditshme.
Romani “Për një mëngjes ndryshe” është një si rrëfim- medaljon, që ka dy pamje, dy anë, atë të periudhës së idealizmës shqiptare, ku kolektiviteti është ai që drejton proceset dhe është bartës i sakrificës, dhe ana tjetër e medaljes, që është pjesa e dytë e romanit, pamja e një realiteti që është si një kontrapunkt me pamjen e parë, periudhë e humbjes së idealeve, e ballafaqimit me vetveten dhe e administrimit të vetvetes. Kështu në këtë pjesë kemi edhe dy protagonistët, bartës të rrëfimit, Emën dhe Gurin njërën karakter që bart pozitivitetin dhe tjetrin, që është shembull i njeriut të humbur, njeriut që e ka depersonalizuar narkomania. Autorja në pajtim me konceptin e vet vitalist megjithatë do që sakrificën e femrës shqiptare, ta shpie deri në fund. Edhe kur policia e sjell Gurin në gjendjen e një qenie që vegjeton, ajo nuk heq dorë prej tij, por, për dallim nga ndonjë roman i ngjashëm që do të përfundonte me hepi end, Ema e pranon gjendjen tragjike si një formë të verifikimit ekzistencial të njeriut. Romani, pra sjell një pamje autentike artistike të jetës shqiptare në prag të luftës dhe pasluftës, duke e dhënë profilin e njeriut tonë në aktin e sakrificës, veçmas të femrës shqiptare.
Rrëfimi gjithnjë mbahet nën kontroll, duke kërkuar funksionalitetin e rrëfimit, por edhe të situatës që rrëfehet. Si kompozicionalisht, ashtu edhe për gjuhën e narracionit që asnjëherë nuk mbetet në kufij të reportazhit, i cili është kërcënim i vazhdueshëm, kur kemi të bëjmë me këto tematizime, po aq edhe për kapjen e dimensioneve imagjinative të momenteve historike, duke i përpunuar ato, mbetet si një ekzemplar rrëfimi të arrirë duke qenë një vepër e rëndësishme në kahen e prozës së sotme, si shfaqje dominuese në zhanrin e romanit të sotëm, në atë të të prozës së dokumentimit të jetës. /2L ONLINE/